Macron do të dërgojë sërish ambasadorin në SHBA pas telefonatës së Bidenit

Bota

Macron do të dërgojë sërish ambasadorin në SHBA pas telefonatës së Bidenit

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 22:20
Emmanuel Macron, Joe Biden

Presidenti francez Emmanuel Macron do ta dërgojë sërish javën e ardhshme ambasadorin e këtij vendi në Shtetet e Bashkuara pasi Presidenti Joe Biden ra dakord që këshillimi me Francën përpara se të njoftonte një pakt sigurie me Australinë, mund të kishte parandaluar një mosmarrëveshje diplomatike, sikurse thuhet në një deklaratë të të dyja palëve të publikuar të mërkurën.

Javën e kaluar, Franca tërhoqi ambasadorët e saj nga Shtetet e Bashkuara dhe Australia si dhe akuzoi Presidentin Biden se e kishte goditur me “thikë pas shpine” pasi Australia hoqi dorë nga një kontratë me Parisin në fushën e mbrojtjes prej 40 miliardë dollarësh për blerjen e nëndetëseve, duke zgjedhur në vend të saj nëndetëset amerikane.

Në një telefonatë të mërkurën, dy presidentët Macron dhe Biden ranë dakord të fillojnë konsultime të thella për të rindërtuar besimin mes palëve, thuhej në një deklaratë të përbashkët. Dy udhëheqësit pritet të takohen në Evropë në fund të muajit tetor.

"Ata ranë dakord se konsultimet e hapura mes aleatëve për çështje me interes strategjik për Francën dhe partnerët evropianë mund ta ndihmojnë situatën”, thuhej në deklaratë. "Presidenti Biden përcolli angazhimin e tij të vazhdueshëm në këtë drejtim".

Sipas zyrës së presidentit francez Uashingtoni ishte angazhuar gjithashtu për të rritur mbështetjen për misionet kundër terrorizmit të udhëhequra nga vendet evropiane në rajonin Sahel të Afrikës.

Shtetet e Bashkuara "njohin rëndësinë e një mbrojtjeje më të fortë dhe më të aftë evropiane, që kontribuon pozitivisht në sigurinë transatlantike dhe globale e që plotëson NATO-n", thuhej në deklaratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat