Biden dhe liderët evropianë bisedojnë për mbështetjen për Ukrainën

Bota

Biden dhe liderët evropianë bisedojnë për mbështetjen për Ukrainën

Më: 21 mars 2022 Në ora: 21:49
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me liderët evropianë, me të cilët ka folur për luftën në Ukrainë, tha Shtëpia e Bardhë.

Në këtë bisedë kanë marrë pjesë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe ai italian, Mario Draghi.

Shtëpia e Bardhë tha se liderët kanë “biseduar për shqetësimet serioze lidhur me taktikat brutale të Rusisë në Ukrainë, përfshirë edhe sulmet ndaj civilëve”.

“Ata theksuan mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, përfshirë edhe ofrimin e mbështetjes së sigurisë për ukrainasit trima që po e mbrojnë shtetin e tyre nga agresioni rus, dhe për mbështetjen humanitare për miliona ukrainas që janë larguar nga dhuna”, u tha në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, është paraparë që të udhëtojë për në Evropë më vonë gjatë kësaj jave, për të marrë pjesë në takimet me NATO-n, Bashkimin Evropian, aleatët e G7-ës në Bruksel. Po ashtu ai pritet të ketë takime dypalëshe me presidentin e Polonisë, Andrzej Duda në Varshavë të premten më 25 mars./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat