Jehona e komenteve të presidentit Biden për Putinin

Bota

Jehona e komenteve të presidentit Biden për Putinin

Më: 29 mars 2022 Në ora: 16:49
Joe Biden

Turneu i shpejtë diplomatik i presidentit amerikan Joe Biden në Evropë do të mbahet mend më shumë për fjalët e tij për presidentin rus Vladimir Putin kur tha se: "Ai nuk mund të qëndrojë në pushtet". Dy ditë pas atij komenti, presidenti Biden sqaroi se megjithëse nuk tërhiqet nga vlerësimi i tij personal, Shtetet e Bashkuara nuk kanë në plan të largojnë Putinin nga pushteti. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, njofton nga Shtëpia e Bardhë se çfarë do të thotë kjo deklaratë ndërsa konflikti në Ukrainë hyri në muajin e dytë. 

Pas tre ditë takimesh të gjata dhe negociatash delikate, marrëveshjesh të forta dhe premtimesh të zjarrta, gjithçka kulmoi në 11 fjalë për presidentin rus Vladimir Putin: 

"Për atë Zot. Ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”. 

Në Uashington të hënën, presidenti Biden nuk u tërhoq nga komenti i tij - por sqaroi qëllimin që kishin ato fjalë. 

“Nuk tërheq asgjë fjalë. Fakti është se unë shpreha zemërimin moral që ndjeva ndaj mënyrës se si po sillet Putini dhe veprimeve të këtij njeriu, që është thjesht brutalitet, që ka prekur gjysmën e fëmijëve në Ukrainë. Sapo kisha vizituar disa nga ato familje. Por dua ta bëj të qartë, se as atëherë dhe as tani, nuk po artikuloj një ndryshim politikash. Shpreha zemërimin moral që ndjej dhe për këtë nuk kërkoj falje”, tha presidenti. 

Por analistët thonë se këto janë komente të rrezikshme për diplomacinë amerikane. 

“Kjo po konfirmon disa nga dyshimet më të këqija për atë që Shtetet e Bashkuara duan të arrijnë në çështjet globale. Për sa i përket reagimeve nga vendet e tjera të botës, sigurisht që komenti ishte i padëshiruar. Sigurisht që pamë reagimin e partnerëve të tjerë evropianë, që sqaruan se Shtetet e Bashkuara nuk duhet dhe nuk mund të përdorin këtë lloj gjuhe përshkallëzuese. Për fat të keq, komenti është ai që do të jehojë ende për disa ditë dhe javë”, thotë Andrew Lohsen me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. 

Presidenti Biden, i cili tha se ishte prekur nga refugjatët ukrainas që takoi në Poloni, theksoi se nuk po e kërcënonte Putinin për ndryshim të regjimit. 

"Unë thjesht shpreha indinjatën time, ai nuk duhet të jetë në pushtet. Ashtu si njerëzit e këqij nuk duhet të vazhdojnë të bëjnë gjëra të këqija. Por kjo nuk do të thotë se ne kemi një politikë për të bërë çdo gjë të mundur për të rrëzuar Putinin nga pushteti”, tha presidenti. 

Analisti i Institutit American Enterprise, Leon Aron, një ndjekës i mprehtë i politikave të Kremlinit, thotë se Putini ka të ngjarë të mos reagojë ndaj këtyre komenteve – tani për tani. 

“Putini është i rregjur. Mos harroni, ai është quajtur vrasës, dhe më pas ata i buzëqeshën njëri-tjetrit dhe shtrënguan duart. Kështu që besoj se në planin afatgjatë, nuk mendoj se komenti do të pengojë diçka. Tani, a mund të themi se ai do ta harrojë - jo, sigurisht që nuk do ta harrojë. Dhe ai patjetër do të përpiqet t'ia kthejë Bidenit, në një mënyrë ose në një tjetër, qoftë në mënyrë retorike apo, me një lloj veprimi politik. Por tani për tani, nuk është ndonjë katastrofë e madhe”. 

Analisti Aron thotë se Putini nuk ka gjasa të ndryshojë kursin në këtë konflikt brutal, që hyri në muajin e dytë. Të hënën, televizioni shtetëror rus transmetoi atë që tha se ishte pjesa e brendshme e një teatri të shkatërruar nga një bombardim rus më 16 mars në qytetin jugor të Mariupol. 

Civilët e strehuar atje thanë se kishin vënë një flamur të bardhë mbi ndërtesë dhe kishin shkruar fjalën "FËMIJË" me shkronja të mëdha të bardha në tokë, të dukshme nga ajri. 

Zyrtarët ukrainas vlerësojnë se rreth 300 njerëz u vranë në atë sulm./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat