Ukraina identifikon 10 ushtarë rusë të akuzuar për ‘kryerje mizori’ në Bucha - Zelensky ka një thirrje për BE-në

Bota

Ukraina identifikon 10 ushtarë rusë të akuzuar për ‘kryerje mizori’ në Bucha - Zelensky ka një thirrje për BE-në

Nga: Bota sot Më: 5 maj 2022 Në ora: 06:06 Përditësuar në ora: 10:10 më 05.05.2022
Volodymyr Zelensky

Rënia e Mariupolit do të ishte 'shkatërruese'

Një politikan ukrainas thotë se rënia e Mariupolit do të ishte "shkatërruese". Duke folur në programin "Today" të BBC Radio 4, Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrimin e Ukrainës në BE, Ivanna Klympush-Tsintsadze, tha se sulmi i Rusisë ndaj fabrikës së çelikut Azovstal nga toka dhe ajri "do të ishte padyshim shumë i dhimbshëm, shkatërrues për ne.

Por ne jemi të vendosur të kthejmë të gjitha territoret tona”. Klympush-Tsintsadze tha se forcat ruse janë përpjekur të futen brenda fabrikës së çelikut përmes tuneleve nëntokësore "duke gjetur një tradhtar" për t'u treguar atyre rrugën, por tha se deri më tani ata kishin qenë të pasuksesshëm.

Ka disa sugjerime se ushtarët rusë janë tashmë brenda uzinës, por është e paqartë se sa të sakta janë këto raporte.

Klympush-Tsintsadze shtoi se Ukraina "po pret që të ndodhë një mrekulli" në mënyrë që civilët ende të bllokuar në uzinë të mund të shpëtohen.

Rusia ka thënë se do të zbatojë një armëpushim sot për të lejuar më shumë evakuime të civilëve nga uzina Azovstal.

E pyetur se sa i besueshëm ishte pretendimi i Rusisë, ajo tha se Rusia ka "shkelur" fjalën e saj kur janë arritur marrëveshjet, por se do të ishte "një mundësi e madhe për të shpëtuar jetën e civilëve të tjerë".

Britaniku që iu bashkua Regjimentit të Azov: Mjafton që të bjerë vetëm një predhë..

Mark Ayres i ka kaluar dy muajt e fundit në Ukrainë pasi iu bashkua Regjimentit Azov, i cili filloi si një njësi paraushtarake e ekstremit të djathtë. Veterani i Ushtrisë Britanike këmbëngul se ai ka sfiduar disa luftëtarë të Azov mbi besimet e tyre dhe ata që ka takuar nuk janë "përbindësh dhe të çmendur", shkruan sky nes transmeton "Bota sot".

Një britanik që iu bashkua një njësie ushtarake të diskutueshme ukrainase thotë se është i gatshëm të kalojë vitin e ardhshëm duke luftuar kundër pushtimit të Rusisë - dhe ai nuk është penguar nga kapja e britanikëve të tjerë.

Mark Ayres i ka kaluar dy muajt e fundit në Ukrainë pasi iu bashkua Regjimentit Azov, i cili ka origjinë të ekstremit të djathtë - duke këmbëngulur se ai ka sfiduar disa anëtarë mbi besimet e tyre dhe ata që ka takuar nuk janë "përbindësh dhe të çmendur".

Veterani 47-vjeçar i Ushtrisë Britanike, i cili ka një djalë adoleshent në Mbretërinë e Bashkuar, foli fillimisht për Sky News kur mbërriti në Ukrainë në fillim të marsit, pavarësisht se nuk kishte asnjë lidhje me vendin.

Që atëherë, Ayres thotë se ka ndihmuar Regjimentin Azov të mbrojë qytetin e Bucha, ku Rusia akuzohet për kryerjen e krimeve të luftës me vrasje masive dhe torturave, përdhunimeve dhe vrasjeve të civilëve./M.L.

Shkrimi i plotë këtu

Rusia humb kontrollin mbi disa vendbanime ukrainase

Ukraina thotë se ka bërë disa avancime në kufirin e rajoneve jugore të Kherson dhe Mykolaiv - ku zmbrapsi sulmet e shumta ruse në lindje, raporton Sky news, përcjell "Bota sot".

Në përditësimin e mëngjesit, forcat e armatosura ukrainase thanë se rusët "humbën kontrollin mbi disa vendbanime në kufirin e rajoneve Mykolayiv dhe Kherson".

Forcat ukrainase gjithashtu zmbrapsën 11 sulme në rajonet Donetsk dhe Luhansk, tha ai.

Ndërkohë, luftimet për fabrikën Azovstal në Mariupol kanë vazhduar.

"Me mbështetjen e avionëve, armiku rifilloi ofensivën për të marrë kontrollin e uzinës," thuhej në përditësim, duke shtuar se trupat ruse po"po përpiqeshin të shkatërronin njësitë ukrainase" në këtë xhep të fundit të mbetur të rezistencës ukrainase në portin e shkatërruar të qytetit.

Rusia paralajmëron armëpushim treditor në Mariupol

Një armëpushim i paralajmëruar nga Rusia pritet të nisë të enjten në fabrikën Azovstal në Mariupol, me qëllim të evakuimit të civilëve, teksa ushtarët ukrainas që gjenden brenda fabrikës janë zotuar se do të luftojnë deri në fund.

Rusia njoftoi për një armëpushim treditor në Azovstal, teksa shtetet e Bashkimit Evropian debatuan për ndalimin e importeve të naftës ruse më 4 maj.

“Forcat e armatosura ruse do të hapin korridoret humanitare nga ora 08:00 deri në orën 18:00, sipas kohës së Moskës, më 5, 6 dhe 7 maj nga fabrika e Azovstalit, në mënyrë që të evakuohen civilët”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.

Civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, janë ende të bllokuar brenda qytetit të rrethuar ukrainas të Mariupolit dhe një armëpushim i zgjatur është i nevojshëm për të siguruar evakuimin e tyre, tha të enjten presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.  

Pasi dështoi që të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas, Kiev, në javët e para të luftës që ka lënë mijëra të vrarë, Rusia ka intensifikuar sulmet në lindje dhe jug të Ukrainës, ku gjendet edhe qyteti-port i Mariupolit.

Rusia shpalli fitore në Mariupol më 21 prill, pas javësh të rrethimit dhe granatimeve. Ky qytet është kyç për përpjekjet e Moskës që ta shkëpusë Ukrainën nga Deti i Zi dhe të lidhë territoret që janë nën kontrollin rus.

Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq gjatë kësaj jave kanë evakuuar qindra persona nga Mariupoli dhe zona të tjera. Por, edhe afër 200 civilë, si dhe ushtarë ukrainas, ende gjenden në bunkerët nën fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, thonë zyrtarët ukrainas.

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Si Turqia synon të tërheqë turistët rusë

Turqia po përpiqet të tërheqë më shumë turistë rusë duke zgjeruar përdorimin e “Mir”, sistemi vendas rus i pagesave, pasi ajo kërkon të anashkalojë pengesat e krijuara nga sanksionet perëndimore. 

Turqia sivjet dëshiron t'i rrisë të ardhurat që vijnë nga turizmi e t'i çojë ato në nivelet e para-pandemisë, për të rigjallëruar një ekonomi të goditur rëndë nga kriza e zhvleftësimit të lirës turke. Kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, sepse Turqia mbështetet shumë tek energjia, tregtia dhe turizmi rus. Në vitin 2019, shkëmbimi tregtar midis dy vendeve arriti në 26.3 miliardë dollarë (25.07 miliardë euro), ndërsa Rusia është gjithashtu një nga furnizuesit kryesorë të energjisë për Turqinë. 

Turqia, vend anëtar i NATO-s, i kundërshton në parim sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe nuk iu është bashkuar këtyre sanksioneve. Ajo dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën, në mes të një krize ekonomike të thelluar në vend, me inflacionin që arrin në nivelin më të lartë të 20 viteve, nëpërmjet rritjes së kostove të energjisë dhe të grurit. 

Kjo është arsyeja pse të ardhurat nga turizmi shihen si jetike për reduktimin e deficitit, por kufizimet e pagesave me karta dhe operacionet e fluturimeve për shkak të sanksioneve kanë shkaktuar frikën e një rënieje të turizmit rus në Turqi. Megjithatë, Turqia mund të ketë gjetur një zgjidhje. 

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Lufta në Ukrainë frenon eksportin gjerman

Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka lënë gjurmë të mëdha edhe në eksportin gjerman. Bizneset me Rusinë janë zvogëluar dukshëm në muajin mars.

Në muajin e parë fillimit të agresionit rus në Ukrainë, eksportet gjermane kanë rënë më shumë se në fillim të krizës pas shpërthimit të pandemisë Corona dy vjet më parë. Në mars eksportet gjermane kanë rënë me 3,3 përqind në krahasim me muajin e kaluar dhe tani kanë një vlerë prej 120,6 miliardë euro, njoftoi të mërkurën (04.05) Enti Federal i Statistikave.

Rënia e fundit më e madhe ka qenë në prill të vitit 2020, kur pandemia ngadalësoi tregtinë e jashtme. Ekonomistët e anketuar nga agjencia e lajmeve, Reuters kanë pritur një minus prej vetëm 2 përqind në muajin mars 2022, pasi në shkurt ka pasur një rritje sezonale të eksporteve prej 6,2 përqind. Nga ana tjetër, importet janë rritur me 3,4 përqind në muajin mars, pas rritjes prej 4,7 përqind në muajin shkurt.

Lufta në Ukrainë 

"Rënia e eksporteve  vjen edhe për shkak të luftës në Ukrainë", tha kryeekonomisti në Hauck Aufhäuser Lampe Privatbank AG, Alexander Krüger.

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Më shumë se 220 fëmijë kanë vdekur në pushtimin rus të Ukrainës

Që nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt, 221 fëmijë kanë vdekur dhe 408 janë plagosur, ka thënë Avokati i Popullit i Ukrainës.

"Nuk është e mundur të përcaktohet numri aktual i fëmijëve të vdekur dhe të plagosur për shkak të faktit se forcat okupuese po luftojnë në mënyrë aktive në qytetet e Ukrainës," shkroi Lyudmyla Denisova në Telegram./M.L.

Forcat ruse ka të ngjarë që veprojnë brenda fabrikës së çelikut Azovstal

Për herë të parë, forcat ruse kanë arritur të futen thellë në Azovstal në Mariupol dhe ka të ngjarë të operojnë brenda fabrikës së çelikut, tha Instituti për Studimin e Luftës (ISW) në vlerësimin e tij të situatës ushtarake të së mërkurës.

Lajmi vjen pas disa ditë luftimesh të ashpra në fabrikën e çelikut, ku po qëndrojnë luftëtarët e fundit të Ukrainës në qytet, së bashku me qindra civilë.

Think-tanku me bazë në SHBA tha gjithashtu se mbrojtja e Ukrainës ka penguar kryesisht përparimet ruse në Ukrainën lindore.

Forcat ukrainase deri më tani i kishin penguar forcat ruse nga bashkimi i ofensivave të tyre në juglindje të Izyum dhe në perëndim të vijës së frontit Donetsk-Luhansk.

Në Ukrainën perëndimore, përpjekjet ruse për të ndërprerë dërgesat e ndihmave në Ukrainë nga vendet perëndimore dhe për të ngadalësuar përpjekjet e ri-furnizimit me armë kanë rezultuar gjithashtu të pasuksesshme, tha ISW.

Forcat ruse kishin intensifikuar sulmet ajrore kundër infrastrukturës së transportit pranë stacioneve hekurudhore në Lviv dhe Transcarpathia të enjten, por në fund nuk arritën të shkaktonin dëme serioze./M.L.

“Shpërlarje truri”/ Shkrimtarja ruse ‘godet’ Putinin – zbulon planin strategjik për luftën kundër SHBA-ve

Stefania Parmeggiani Stefania Parmeggiani

Si ndodhi që Rusia nisi pushtimin e Ukrainës? Çfarë po ndodh në mendjen e Putinit? Cili është synimi i i fjalimeve të tij frikësuese dhe jo koherente? Jemi duke kërkuar përgjigje  për këto pyetje që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Në një intervistë për gazetën Elena Kostiukoviç, përkthyese, shkrimtare dhe specialiste mbi lidhjet kulturore midis Rusisë dhe Perëndimit, thotë se ne perëndimorët e interpretojmë luftën me mjetet e logjikës.

Por kjo sipas saj nuk mjafton.

Ajo ka hulumtuar rrënjët kulturore që na sollën tek ky konflikt. Dhe kështu lindi edhe libri i saj i fundit “Në mendjen e Vladimir Putinit”, një analizë e situatës katastrofike në të cilën gjendet sot Rusia, duke u nisur nga disa koncepte kyçe të mendimit post-sovjetik, siç është ai i “Russkij Mir”, Botës Ruse, një shtet ideal ku të bashkohen të gjithë popujt rusë “gjenetikisht superiorë” ndaj të tjerëve.

Nga ju lindi ideja për shkrimin e këtij libri?

Nga Umberto Eko.

Çfarë lidhje ka Putin me të?

Unë isha përkthyesja e tij në rusisht. Kur po përktheja librin “Lavjerrësi i Fukosë”, u befasova nga këmbëngulja me të cilën anëtarët e shoqërisë sekrete i referoheshin Planit. Ishte një fjalë që përmendej pa pushim midis faqeve të romanit të tij dhe jo rastësisht. Pasi çdo teori konspirative, çdo komplot i supozuar global, ka në qendër të saj një Plan misterioz. Duke dëgjuar fjalimet e Putinit, fillova të vërej këmbënguljen me të cilën edhe ai flet për Planin.

Një shembull për këtë?

Më 15 shkurt 2022, pas një takimi me kancelarin e ri gjerman Olaf Sholc, ai u tha gazetarëve: “Gjithçka do të vazhdojë sipas planit!”. Kur u pyet mbi përmbajtjen e planit ai refuzoi të përgjigjet, duke përsëritur: ”Ne e dimë se çfarë përmban ai”.  Dhe siç mund ta shohim sot, plani përfshinte bombardime, viktima në civilë, fëmijë të vrarë, zjarre, plaçkitje, dhunë, varreza masive, termocentrale bërthamore të shndërruara në bomba me sahat, ushtarë shumë të rinj rusë të dërguar për të luftuar pa e ditur arsyen, evropianët që bëhen pengje të shantazheve të tij… Dhe më e keqja:ai është një plan, i pavarur nga çdo negociatë apo lëshim.

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Putini teston armën bërthamore “Iskander” me 100 ushtarë në Kaliningrad

Sipas burimeve të Moskës, forcat ruse në Kaliningrad kanë simuluar sulme me raketa me aftësi bërthamore në mes të ofensivës në Ukrainë, transmeton "Bota sot".

Si pjesë e një stërvitjeje, rreth 100 ushtarë simuluan lëshimin elektronik të sistemeve të lëvizshme raketore balistike me armë bërthamore të tipit Iskander, tha të mërkurën Ministria e Mbrojtjes. Forcat e armatosura praktikuan sulmin ndaj objektivave ushtarakë të një armiku imagjinar si përgjigje ndaj një kundërsulmi.

Që nga fillimi i operacionit ushtarak në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin ka treguar gatishmërinë e tij për të përdorur armët taktike bërthamore të Rusisë. Në fund të shkurtit, Rusia vendosi forcat e saj bërthamore në gatishmëri të lartë. Shefi i Kremlinit paralajmëroi gjithashtu për "hakmarrje të shpejtë" nëse Perëndimi ndërhyn drejtpërdrejt në konfliktin e Ukrainës.

Kaliningrad është një enklavë ruse në Detin Baltik midis dy anëtarëve të BE-së dhe NATO-s, Polonisë dhe Lituanisë./M.L.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat