Forcat ruse vazhdojnë bombardimet në Ukrainën lindore

Bota

Forcat ruse vazhdojnë bombardimet në Ukrainën lindore

Më: 2 korrik 2022 Në ora: 15:59
Foto ilustrim

Forcat ruse po vazhdojnë të sulmojnë qytetin e Lisiçanskut dhe rajonet përreth tij, në një përpjekje për të pushtuar qytetin e fundit të kontrolluar nga forcat ukrainase në provincën e Luhanskut. Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase tha se po rritet rezistenca e banorëve lokalë në zonat e pushtuara nga Rusia në lindje të vendit. 

Ministria e ruse e mbrojtjes tha se ka vënë nën kontroll rafinerinë e naftës në periferi të qytetit të Lisiçankut, por guvernatori i rajonit ukrainas, Serhiy Haidai tha se luftimet për kontrollin e saj janë ende duke vazhduar. Zyrtarët ukrainas thanë sot se forcat ruse po vazhdojnë bombardimet ndaj këtij qyteti dhe rajoneve të tjera në lindje të vendit. 

"Kramatorsku, zonat e Bilohorivkas, Majakit dhe Donetskut u bombarduan me artileri të rëndë dhe raketa. Bombardime ka patur edhe në Lisiçansk dhe dy rajone të tjera përreth tij. Armiku kreu sulme ajrore edhe në zonën e Vershinas", tha sot zëdhënësi i ushtrisë ukrainase Oleksandr Shtupun. 

Ai theksoi se në pjesën veriperëndimore të Detit të Zi forcat detare ruse vazhdojnë të bllokojnë komunikimet e forcave ukrainase dhe kanë vënë dy luftanije në gjendje gatishmërie për të kryer sulme me raketa ndaj objektivave tokësore në territorin e Ukrainës. 

“Avionët luftarakë të forcave ajrore ukrainase vazhdojnë të patrullojnë hapësirën ajrore të Ukrainës dhe të mbështesin operacionet e njësive tokësore. Pushtuesit rusë janë të frikësuar nga rezistenca e popullatës lokale, e cila po rritet veçanërisht në rajonin e Khersonit. Udhëheqësit ushtarakë të pushtuesve po lëviz me automjete të blinduara dhe me numër të madh forcash sigurie. Banorët lokalë vazhdojnë t’u bëjnë rezistencë të fortë trupave ruse”. 

Ushtria ukrainase publikoi sot pamje filmike të një shpërthimi të fuqishëm, që ajo thotë se ishte rezultat i një sulmi ndaj një depoje armësh të forcave ruse në Ukrainën lindore. Mediat perëndimore nuk ishin në gjendje ta verifikonin me burime të pavarura këtë njoftim. 

Ushtria ukrainase publikoi sot një video tjetër të Ishullit të Gjarprit, ku sipas saj shihen avionë rusë duke e bombarduar atë të premten vonë në mbrëmje. Në një deklaratë të lëshuar nga komandanti i ushtrisë ukrainase, gjenerali Valery Zaluzhny, thuhet se dy avionë luftarakë rusë Su-30 sulmuan ishullin me bomba me fosfor. Forcat ruse u tërhoqën nga ishulli strategjik në Detin e Zi të enjten. 

Kremlini tha se tërheqja nga Ishulli i Gjarprit ishte një “gjest i vullnetit të mirë” për të ndihmuar në zhbllokimin e eksportit të drithërave në këtë rajon. Por, ushtria ukrainase pretendon se i kishte detyruar forcat ruse të tërhiqeshin nga ishulli, pasi i kishin sulmuar ato me artileri dhe raketa.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat