Qendra Mjekësore në Irpin ndihmon ushtarët dhe civilët e plagosur ukrainas

Bota

Qendra Mjekësore në Irpin ndihmon ushtarët dhe civilët e plagosur ukrainas

Më: 13 gusht 2022 Në ora: 19:48
Foto ilustrim

Qendra e parë mjekësore e ndërtuar sipas standardeve amerikane u hap në Irpin të Ukrainës, tre vjet më parë. Deri tani, ajo nuk është dëmtuar nga lufta dhe po pranon sërish pacientë. Zëri i Amerikës bisedoi me disa pacientë dhe punonjës të Qendrës Mjekësore në Irpin.

Denys Pogrebnyi është veteran i ushtrisë ukrainase, i cili pati një dëmtim të shtyllës kurrizore gjatë shërbimit në lindje të vendit.

Pas operacionit vitin e kaluar, ai mbërriti në qendrën mjekësore “Next Step Ukraine” me paterica. Por pas katër javësh pune të palodhur, ai nuk ka më nevojë për to.

"Dua të shërohem dhe të kthehem te vëllezërit e mi në vijën e parë të frontit", thotë ai.

Volodymyr Tovkis u qëllua në kokë në shtator të vitit 2019 në rajonin e Donetskut. Ai ishte në koma për dy javë dhe iu nënshtrua një operacioni në tru. Pasi u stabilizua, shkoi në qendrën mjekësore në Irpin.

“Ndihem shumë mirë këtu. Madje takova disa djem nga ish-njësia ime”, thotë ai.

Qendra mjekësore “Next Step Ukraine” u themelua tre vjet më parë nga “Revived Soldiers Ukraine”, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Presidentja e kësaj organizate, Iryna Vashchuk Discipio, një amerikane me origjinë nga Ukraina, filloi të ndihmonte ushtarët e plagosur ukrainas në vitin 2014, kur Rusia pushtoi një pjesë të Donbasit.

Më vonë, pas hapjes së qendrës mjekësore, ajo grumbulloi fonde, një ekip profesionistësh dhe e pajisi atë me mjete moderne.

Qendra mjekësore që ndodhet pranë Kievit, i mbijetoi mrekullisht sulmeve ruse, thotë drejtoresha e qendrës Tetiana Grubeniuk.

“Personeli mori pajisjet e shtrenjta dhe evakuoi pacientët e qendrës”, tha ajo.

Qendra u rihap pasi Irpini u çlirua në fillim të prillit. Por ndërsa lufta vazhdon, numri i pacientëve po rritet, thotë zonja Grubeniuk. Qendra tani pranon edhe civilë të plagosur në luftë.

Një ushtar tjetër ukrainas, i cili nuk pranoi të identifikohej, erdhi para gjashtë javësh në qendrën mjekësore. Ai u qëllua në gju në rajonin e Donetskut dhe tani po punon për t'u rikthyer në radhët ushtrisë.

“Për shkak se isha shtrirë për një kohë të gjatë, gjuri im u tkurr dhe nuk përkulet plotësisht. Tani përkulet në nivel 70 gradë, por kur erdha këtu, mund ta përkulja shumë më pak”, thotë ai.

Presidentja e organizatës “Revived Soldiers Ukraine” planifikon të hapë një qendër ttë ngjashme në pjesën perëndimore të vendit, e cila do të financohet me fonde të grumbulluara në Shtetet e Bashkuara.

"Shumë nga pacientët tanë janë me aftësi të kufizuara dhe përkohësisht nuk mund të ecin. Dhe ndërsa trupat ruse janë duke qëndruar në kufirin e Bjellorusisë, është shumë e rrezikshme të ftojmë këta njerëz për trajtim, sepse ne nuk do të jemi në gjendje të evakuohemi nga këtu nëse rusët godasin përsëri”, thotë ajo.

Që nga fillimi i sulmit të Rusisë, organizata “Revived Soldiers of Ukraine” përveç ndihmës për trajtimin mjekësor të ushtarëve dhe civilëve, i ka ofruar ushtrisë ukrainase ndihma të tjera me vlerë mbi 5 milionë dollarë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat