Një delegacion i Kongresit amerikan viziton Taivanin

Bota

Një delegacion i Kongresit amerikan viziton Taivanin

Më: 14 gusht 2022 Në ora: 16:46
Foto nga vendi i ngjarjes

Një delegacion i Kongresit amerikan mbërriti të dielën në Tajvan për një vizitë dyditore gjatë së cilës do të takohet me presidenten Tsai Ing-wen. Është vizita e dytë e nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuata që vjen mes tensioneve të vazhdueshme ushtarake me Kinën.

Pekini, që e konsideron Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si territor i tij, ka zhvilluar stërvitje ushtarake rreth ishullit, pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi këtë muaj në Taipei.

Ambasada de fakto e Shteteve të Bashkuara në Taipei tha se delegacioni kryesohet nga senatori Ed Markey, i cili shoqërohet nga katër ligjvënës të tjerë, si pjesë e një vizite në rajonin e Indo-Paqësorit.

Zyra presidenciale e Tajvanit tha se delegacioni do të takohet me presidenten Tsai të hënën në mëngjes.

"Në një kohë kur Kina po rrit tensionet në ngushticën e Tajvanit dhe në rajon me stërvitje ushtarake, vizita e delegacionit të kryesuar nga Senatori Markey në Tajvan, tregon edhe një herë mbështetjen e vendosur të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për Tajvanin," tha zyra presidenciale në një deklaratë.

Ministria e Jashtme e Tajvanit publikoi fotografi nga pritja e katër anëtarëve të Kongresit në aeroportin Songshan në qendër të Taipeit, pasi kishin mbërritur me një avion të forcave ajrore të SHBA-së, ndërsa Sen. Markey mbërriti në aeroportin ndërkombëtar Taoyuan.

"Delegacioni do të takohet me udhëheqës të lartë të Tajvanit për të diskutuar për marrëdhëniet SHBA-Tajvan, sigurinë rajonale, tregtinë dhe investimet, zinxhirin global të furnizimit, ndryshimin e klimës dhe çështje të tjera të rëndësishme me interes të ndërsjellë," tha ambasada de facto e Shteteve të Bashkuara.

Megjithëse stërvitjet e Kinës rreth Tajvanit janë pakësuar, ajo ende po kryen aktivitete ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të dielën se kishte zbuluar 22 avionë kinezë dhe gjashtë anije detare brenda dhe rreth ngushticës së Tajvanit./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat