Blinken, takim me ministrat e jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit

Bota

Blinken, takim me ministrat e jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit

Më: 20 shtator 2022 Në ora: 06:05
Foto nga takimi

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me ministrat e jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit të hënën në një përpjekje për të lehtësuar tensionet dhe për të forcuar një armëpushim të brishtë midis dy vendeve ish-sovjetike pas shpërthimit të luftimeve më të ashpra në më shumë se dy vjet.

Blinken bashkoi ministrin e Jashtëm armen Ararat Mirzoyan dhe ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit Jeyhun Bayramov në një hotel në Nju Jork, në prag të fillimit të takimit të përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ky ishte takimi i parë ballë për ballë i ministrave të jashtëm që nga shpërthimi i luftimeve dy ditëshe të javës së kaluar, në të cilat u vranë më shumë se 200 ushtarë.

Vetëm Sekretari Blinken foli në fillim të takimit, në të cilin delegacionet armene dhe azere u ulën përballë njëri-tjetrit, të ndarë nga zyrtarët amerikanë.

Ne jemi të inkurajuar nga fakti që luftimet kanë pushuar dhe nuk ka patur” një rifillim të bombardimeve, tha Blinken, i cili ka biseduar disa herë me udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit në ditët e fundit.

"Angazhimi i fortë dhe i qëndrueshëm diplomatik është rruga më e mirë për të gjithë", tha ai. "Ka një rrugë drejt paqes së qëndrueshme dhe zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve."

Takimi u mbajt vetëm një ditë pasi Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi vizitoi Armeninë dhe dënoi sulmet e Azerbajxhanit, duke shkaktuar reagime nga zyrtarët në Baku.

Duke folur përpara takimit të së hënës, Bayramov tha se vendi i tij është "i kënaqur me nivelin e marrëdhënieve" me Shtetet e Bashkuara dhe tha se bisedimet e tij të drejtpërdrejta me zotin Mirzoyan nuk ishin të pazakonta.

"Ne jemi gjithmonë të hapur për takime", tha ai.

Dy vendet e Kaukazit janë përfshirë në një konflikt dhjetëvjeçar rreth Nagorno-Karabakut, një rajon që ndodhet brenda Azerbajxhanit, por që ka qenë prej kohësh nën kontrollin e forcave armene të mbështetura nga Jerevani, që nga përfundimi i një lufte separatiste në vitin 1994.

Gjatë një lufte gjashtëjavore në vitin 2020, Azerbajxhani rimori pjesë të mëdha të Nagorno-Karabakut dhe territoreve ngjitur të kontrolluara nga forcat armene. Më shumë se 6700 njerëz vdiqën në ato luftime.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë fajësuar njëri-tjetrin për fillimin e përleshjeve të javës së kaluar./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat