LIVE: Rusia njofton zyrtarisht SHBA-në për stërvitjet bërthamore!? – Biden i jep paralajmërimin e fuqishëm Putinit

Bota

LIVE: Rusia njofton zyrtarisht SHBA-në për stërvitjet bërthamore!? – Biden i jep paralajmërimin e fuqishëm Putinit

Nga: BOTA SOT Më: 25 tetor 2022 Në ora: 06:28 Përditësuar në ora: 15:42 më 25.10.2022
Foto ilustrim

Vizita në Kiev, presidenti gjerman detyrohet të bisedojë me zyrtarët ukrainas në një strehë për sulm ajror

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier mbërriti befas në Kiev ditën e sotme, ku pati bisedime me me zyrtarët ukrainas në një strehë për sulm ajror në një qytezë në veri-lindje të kryeqytetit.

Nenjëherë pas mbërritjes së tij në qytetin e Koryukivka, ndodhi një alarm ajror që bëri që Steinmeier, kryetari Ratan Akhmedov dhe një grup qytetarët të gjejnë strehë në bunker.

“Kemi kaluar një orë e gjysmë në strehën e bombave. Kjo na dha një ndjenjë veçanërisht të gjallë të kushteve në të cilat njerëzit jetonin këtu”, tha Steinmeier.

Sipas forcave ajrore të Ukrainës, alarmi u ngrit për shkak se ushtria ruse kishte lëshuar 10 dronë të prodhimit iranian nga Bjellorusia fqinje.

Rusia po rekruton të burgosurit me HIV për të luftuar kundër Ukrainës

Kompania private ushtarake ruse Wagner ka filluar rekrutimin masiv të të burgosurve me sëmundje të rënda infektive si HIV dhe hepatiti C në luftën kundër Ukrainës, sipas mediave të huaja.

Lajmi është bërë i ditur nga inteligjenca ushtarake në Kiev (Gur) duke theksuar se në ditët e fundit më shumë se 100 të burgosur me HIV ose hepatit C janë rekrutuar në fshatin Metalostroy, në rajonin e Leningradit.

Për të dalluar militantët e infektuar, komanda Wagner i detyron ata të mbajnë byzylykë të kuq për HIV-in dhe të bardhë për hepatitin.

Irani: SHBA-ja po “zvarrit” vendimin për marrëveshjen bërthamore

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po “zvarrisin” vendimin për ringjallje të marrëveshjes bërthamore, të cilën Teherani e ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Marrëveshja e vitit 2015 ka paraparë heqjen e sanksioneve për Iranin, në këmbim të kufizimit të aktivitetit bërthamor.

Pas vendimit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për largimin e SHBA-së nga kjo marrëveshje më 2018, edhe Teherani ka nisur të shmangë disa pika të marrëveshjes.

Por, prej fillimit të këtij viti, vendet anëtare të marrëveshjes, kanë rritur përpjekjet për ringjallje të paktit.

“Sot, janë amerikanët ata që duhet të marrin vendim, mirëpo ata janë duke e zvarritur procesin me këmbët e veta”, u ka thënë Raisi gazetarëve në Teheran.

Komentet e Raisit kanë ardhur pas disa javësh protesta në Iran, të cilat kanë shpërthyer pas vdekjes së 22-vjeçares, Mahsa Amini, më 16 shtator, teksa ka qenë në mbajtje nga Policia për Moral, nën arsyetimin se nuk e ka vendosur si duhet shaminë në kokë.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera perëndimore i kanë vënë sanksione të reja Iranit për mënyrën si ka reaguar ndaj protestave për Aminin.

“Republika Islamike dëshiron heqjen e sanksioneve, mirëpo në të njëjtën kohë e ka në agjendë edhe neutralizimin e sanksioneve”, ka thënë Raisi, pa ofruar më shumë hollësi.

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se “po tentojnë të ushtrojnë presion politik dhe psikologjik për të siguruar koncesione në negociata”.

Uashingtoni ka thënë më herët gjatë këtij muaji se rikthimi në marrëveshje nuk pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt.

“Nuk është se nuk duam rizbatimin e marrëveshjes bërthamore. Por, ne nuk jemi në pozicionin kur diçka e tillë mund të ndodhë në të ardhmen e afërt”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Uashingtoni është “i fokusuar” që autoritetet në Iran "të japin përgjegjësi për atë që bëjnë” në protesta, ka thënë mes tjerash Kirby.

Zelensky: Rusia ka shkatërruar mbi një të tretën e sektorit tonë të energjisë

Raketat ruse dhe sulmet me dronë të prodhuar në Iran kanë shkatërruar mbi një të tretën e sektorit të energjisë së Ukrainës, tha presidenti Volodymyr Zelensky, gjatë një konference më 25 tetor lidhur me rindërtimin e Ukrainës.

“Rusia po shkatërron gjithçka, prandaj është shumë e vështirë për ne që ta kalojmë dimrin”, tha Zelensky teksa iu adresuar përmes video-lidhjes konferencës në Berlin.

Në këtë konferencë morën pjesë kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Von der Leyen tha se sulmet ndaj infrastrukturës civile të Ukrainës përbëjnë “akt të pastër të terrorizimit”. Ajo tha se shkalla e shkatërrimit të Ukrainës është “tronditëse”, teksa Banka Botërore vlerëson se dëmi total ka arritur në 350 miliardë euro.

Presidentja e KE-së tha se duhet të lansohet një platformë koordinuese për rindërtimin e Ukrainës “sa më shpejt që të jetë e mundur, mundësi para fundit të vitit apo në fillim të vitit të ardhshëm”.

Gjatë konferencës, Scholz deklaroi se sulmet e vazhdueshme ruse me dronë paraqesin një pikë të re të ulët të luftës së Moskës kundër Ukrainës, por edhe një shenjë të dëshpërimit të Moskës.

Scholz tha se rindërtimi i Ukrainës është një “detyrë brezash” dhe duhet të nisë menjëherë, edhe kur po vazhdon pushtimi rus.

“Këtu bëhet fjalë për krijimin një Plani të ri Marshall për shekullin e 21-të – një detyrë brezash që duhet të nisë tani”, tha ai.

Megjithatë, Zelensky tha se Ukraina ende nuk ka pranuar “asnjë cent” për planin e rindërtimit të shpejtë, që është në vlerë prej 17 miliardë dollarësh.

Ai po ashtu i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të mbulojë deficitin buxhetor për vitin e ardhshëm, që pritet të jetë 38 miliardë dollarë.

Ndërkaq, ministri i Komuniteteve dhe Zhvillimit të Territoreve të Ukrainës, Oleksiy Chernyshov, tha se rindërtimi i Ukrainës duhet të nisë tani, kur luftimet po vazhdojnë.

Vazhdimisht kollitet dhe ndjen të përziera, familja e presidentit rus e shqetësuar për shëndetin e Vladimir Putinit

Vizita mjekësore dhe humbje peshe. Si është Vladimir Putin? Tani mediat e huaja raportojnë se edhe familjarët e tij janë thellësisht të shqetësuar për shëndetin e tij. Dhe kjo për shkak se presidenti rus thuhet se nuk ka oreks, po kollitet vazhdimisht si dhe ndjen të përziera. Në të njëjtën kohë, thashethemet po rriten se Putini iu nënshtrua testeve mjekësore gjatë fundjavës. Ditwn e djeshme kanali Telegram General Svr, i menaxhuar nga një ish-zyrtar rus, i cili tani është disident dhe konsiderohet i besueshëm, iu kthye gjendjes shëndetësore të presidentit të Federatës Ruse me një postim të gjatë:

“Të premten, të shtunën dhe të dielën e kaluar, Putin pushoi dhe po i nënshtrohet një kontrolli tjetër mjekësor. Putini dhe rrethi i tij i ngushtë i miqve dhe familjes janë të shqetësuar për sulmet e kollitjes, si dhe për të përzierat e vazhdueshme dhe mungesën e oreksit për shkak të medikamenteve dhe një diete specifike për pacientët me kancer. Muajt e fundit, lideri i Kremlinit ka humbur 8 kilogramë, dobësia dhe kolla e vazhdueshme konsiderohen nga elitat si një shenjë e përkeqësimit të shpejtë të shëndetit të liderit”.

Është e qartë se asnjë konfirmim nuk vjen nga Moska dhe shërbimet sekrete perëndimore, ndaj këto janë fjalë që duhen marrë me pak.

Mospërfillje të verifikuesh me vetëm me kalimin e kohës. Ndërkohë, postimi i Generall Svr shkon në detaje: “Pavarësisht pushimit dhe procedurave mjekësore, presidenti merrte vazhdimisht raporte në mëngjes dhe në mbrëmje dhe gjithashtu mori pjesë në dy takime përmes video-lidhjes. I njëjti kanal lajmesh pohoi se Putini është veçanërisht i irrituar për shkak të zhvillimit të luftës dhe thuhet se e qortoi ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Frika nga ekzekutimi, zbulohet për herë të parë mbrojtja e hekurt e Putinit

Prej disa muajsh është përfolur se është e pamundur të largohet Vladimir Putin nga pushteti. Ukrainasit janë shumë të vetëdijshëm për këtë, ndaj shkruhej se shërbimi sekret ukrainas do të preferonte t’i priste kokën. Putini ruhet nga një ushtri ushtarësh dhe agjentësh, dhe revista Russia Beyond, e cila financohet nga shteti rus shkruan për mbrojtjen e tij të hekurt.

Ja pse është e vështirë t’i afrohesh Putinit

Pak muaj para se Vladimir Putin të largohet nga rezidenca e tij për t’u shfaqur diku në publik, ekipi i tij i sigurisë është tashmë në terren. Së pari, ata analizojnë të gjitha kërcënimet e mundshme: aktivitetet kriminale, trazirat sociale, perceptimi i publikut lokal për presidentin dhe madje edhe mundësinë e fatkeqësive natyrore si tërmetet ose përmbytjet në zonë gjatë një vizite të mundshme. Rreth një muaj para vizitës së presidentit, anëtarët e ekipit mbërrijnë në vendndodhje për të koordinuar marrëveshjet e tyre të sigurisë me autoritetet lokale dhe kontrollojnë apartamentin ose shtëpinë ku do të qëndrojë Putin. Bëhet kujdes që të gjitha punët e nevojshme lidhur me rregullimin e akomodimit të kryhen paraprakisht, në mënyrë që gjatë qëndrimit të presidentit të mos hyjë asnjë zejtar në hapësirën e banimit. Vetëm pas përgatitjeve të tilla themelore vjen Putin dhe siguria fillon punën e saj të menjëhershme. Shërbimi special përgjegjës për sigurinë e presidentit rus quhet Shërbimi Federal i Mbrojtjes, i cili sipas informacioneve jozyrtare ka mbi 50 mijë punonjës. Brenda Shërbimit Federal të Sigurisë, një njësi speciale ruan personalisht Presidentin Putin.

Përgatitja e truprojave

Anëtarët elitë të shërbimit të sigurisë ruse janë shumë të qëndrueshme. Gjatë ‘aksionit’ (siç quhet ndryshe koha e kaluar e presidentit në publik), rojet e sigurisë organizohen në katër qarqe. Rrethi më i afërt me presidentin janë truprojat e tij personale, djemtë me pamje kërcënuese në reparte, syze dielli të errëta, me një kufje dhe një valixhe. Ata duken të “egër” për një arsye, për sulmuesit, kjo është shenja e parë që Putini është shumë mirë i mbrojtur. Një tjetër detaj që sugjeron një truproje janë duart e tij; ato janë gjithmonë përpara trupit, me dorën e majtë shpesh gjysmë të ngritur. Ky është një kusht i detyrueshëm, roja duhet të jetë gjithmonë në gatishmëri. Sepse detyra imediate e ‘rrethit të parë’, në rast rreziku, është të mbrojë presidentin me trupat e tyre. Valixhet që këta djem mbajnë janë mburoja mbrojtëse që mund të vendosen për të mbrojtur presidentin nga plumbat. Rojet janë të armatosur me një pistoletë ‘gurza’ 9 mm që mund të qëllojë deri në 40 fishekë në minutë dhe të depërtojë në parzmoren e trupit nga një distancë prej 50 metrash. Një pajisje tjetër e destinuar për mbrojtje janë çadrat e bëra nga Kevlar, një fibër artificiale e fortë para-aramide, të cilën rojet mund ta përdorin gjithashtu si mbrojtje cilësore kundër plumbave. Sigurisht, më të rëndësishmit nuk janë rojet e ‘rrethit të parë’, por ata që janë në ‘rrethin e dytë’. Ndryshe nga të parët, ata nuk bien në sy në turmë, janë të veshur zyrtarisht dhe sillen në mënyrë diskrete, duke kërkuar sulmues të mundshëm.

“Rrethi i Tretë” funksionon si një unazë rreth turmës, duke parandaluar personat e dyshimtë të afrohen me presidentin. ‘Rrethi i Katërt’ janë snajperë të vendosur në çatitë e ndërtesave përreth. Kjo është arsyeja pse është e rrezikshme të vraposh, të bërtasësh ose të bësh lëvizje të nxituara pranë presidentit, sepse mund të marrësh një pikë të kuqe në kokë në sekonda. Gjithashtu, kur presidenti shfaqet në hapësira të mëdha publike, shpesh vendosen pajisje shtesë mbrojtëse. Një pjesë e njësisë së sigurisë udhëton gjithmonë me presidentin me furgona të blinduar. Këta njerëz janë forca speciale të armatosura me AK-47, pushkë snajper “Dragunov”, granatahedhës antitank dhe sisteme raketore portative kundërajrore “Osa”. Megjithatë, aseti kryesor i sigurisë së presidentit në rastin e Vladimir Putin është ai vetë. Duke pasur përvojë pune në shërbimet sekrete sovjetike dhe ruse, Putini e di se ekipi i tij i sigurisë e di se çfarë po bëjnë dhe për këtë arsye ai gjithmonë përmbush kërkesat e tyre të sigurisë, shkruan Russia Beyond.

“Bomba e pistë” terrorizon Putinin, Rusia tjetër telefonatë urgjente drejt SHBA

Rusia është në alarm. Ditët e fundit Moska ka intensifikuar bisedat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rrezikun që i kanoset sipas tyre se Ukraina do të lëshojë një “bombë të pistë”. Dje shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Ruse, Valery Gerasimov, pati një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan Mark Milley për përdorimin e mundshëm të një bombe të pistë nga Ukraina, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Moskës, të cituar nga agjencitë ruse. Të dy, raportojnë mediat amerikane, ranë dakord për të mbajtur të hapura linjat e komunikimit.

Nga ana tjetër, ministria ruse e mbrojtjes tha se kishte përgatitur forcat e saj për të operuar në kushtet e kontaminimit radioaktiv, pasi Moska akuzoi Ukrainën se planifikonte të shpërthente një ‘bombë të pistë’, të cilën Kievi e mohoi me forcë. Pas javësh tensionesh në rritje mbi kërcënimet e presidentit rus Vladimir Putin për të mbrojtur “integritetin territorial” të Rusisë me armë bërthamore, kjo është deklarata e parë e Moskës për një ndryshim në gjendjen e gatishmërisë së forcave të saj. Gjithashtu dhe ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu u tha ministrave perëndimorë të mbrojtjes të dielën se Moska besonte se Ukraina po përgatitej të shpërthente një bombë të tillë, një armë konvencionale, thelbi i së cilës është i mbështjellë në material bërthamor. Komandanti i njësive ruse për mbrojtjen bërthamore, biologjike dhe kimike, Igor Kirilov, tha në një konferencë shtypi të hënën se qëllimi i një sulmi të tillë do të ishte fajësimi i Rusisë për kontaminimin radioaktiv. Kirilov përfundoi: “Ministria e Mbrojtjes ka organizuar punën për t’iu kundërvënë provokimeve të mundshme nga pala ukrainase: forcat dhe mjetet janë vënë në gatishmëri për të kryer detyra në kushte të kontaminimit radioaktiv”.

Reagon Perëndimi

Aleatët perëndimorë të Ukrainës hodhën poshtë çdo sugjerim se Kievi po ndërtonte ose planifikonte të përdorte një ‘bombë të pistë’ dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se akuza ishte një shenjë se vetë Moska po planifikonte një sulm të tillë dhe se do të fajësonte Kievin. Zelensky tha të dielën se vetëm Rusia është e aftë të përdorë armë bërthamore në Evropë.

Çfarë është në të vërtetë një bombë e pistë?

E njohur gjithashtu si një pajisje e shpërndarjes radiologjike, një ‘bombë e pistë’ përbëhet nga eksplozivë të lidhur me material radioaktiv që mund të përhapet në një zonë të gjerë, duke ndotur tokën dhe duke paraqitur një rrezik afatgjatë rrezatimi për këdo që nuk evakuohet nga zonat e prekura. Ajo është e ndryshme nga një bombë bërthamore, e cila përdor ngarkesa shpërthyese në formë të veçantë për të kompresuar uraniumin ose plutoniumin shumë të pasuruar derisa të arrijë një masë kritike, duke krijuar një shpërthim bërthamor. Përvetësimi i këtij procesi zakonisht kërkon dekada kërkimesh shkencore dhe është arritur vetëm nga një pjesë e vogël e vendeve si SHBA, Rusia, Pakistani, Koreja e Veriut, India, Kina, Franca dhe MB. Në vend të kësaj, një bombë e pistë është një pajisje shumë më e papërpunuar dhe është shumë më e lehtë për t’u bërë sesa armët bërthamore, të cilat janë shumë më të fuqishme. Në teori, një ‘bombë e pistë’ mund t’i bëjë zona të mëdha të pabanueshme dhe të rrisë rrezikun e kancerit dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me rrezatimin në zona të përhapura.

Pse “bombat e pista” janë kaq të diskutueshme?

Aktualisht nuk ka asnjë traktat që ndalon ‘bombat e pista’, por përdorimi i tyre ndoshta do të konsiderohet i paligjshëm për shkak të rrezikut që paraqet për civilët, dhe gjithashtu mund të jetë nën Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore, i cili synon të zvogëlojë, ndër të tjera, rrezikun që paraqet rrezatimi. ndaj civilëve. Të dyja palët ndoshta do ta konsideronin përdorimin e tyre shumë të kushtueshëm për sa i përket dëmtimit të reputacionit, veçanërisht duke marrë parasysh përfitimin e tyre të kufizuar në fushën e betejës. Për Ukrainën dhe Rusinë, një konsideratë e mëtejshme do të ishte rreziku që rrezatimi mund të fryjë drejt trupave të tyre dhe zonave civile.

OKB-ja me inspektime bërthamore pas pretendimeve ruse për “bombat ndotëse”

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) po përgatitet të dërgojë inspektorë në dy ndërtesa bërthamore ukrainase me kërkesë të Ukrainës, pas pretendimeve ruse se Ukraina mund të dislokojë të ashtuquajturat “bomba ndotëse”, akuza që Kievi i hedh poshtë.

Ukraina dhe aleatët e saj kanë hedhur poshtë pretendimet ruse se Kievi po zhvillon një “bombë ndotëse” për ta përdorur kundër forcave të Moskës dhe ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba, ka ftuar ANEB-in “që urgjentisht të dërgojë ekspertë në ndërtesat paqësore në Ukrainë ku Rusia pretendon se po zhvillohet ‘bomba ndotëse’”.

Kuleba tha se Ukraina gjithmonë ka qenë transparente dhe “nuk ka asgjë për të fshehur”.

Në përgjigje të kërkesës së Kulebës, ANEB-i tha se po përgatitet që të dërgojë inspektorë në dy ndërtesa ukrainase.

Shefi i ANEB-it, Rafael Grossi, tha përmes një deklarate se dy lokacionet janë nën mbikëqyrjen e kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara dhe janë vizituar rregullisht nga inspektorët e agjencisë.

ANEB-i “është i vetëdijshëm për deklaratat e bëra nga Federata Ruse [më 23 tetor] lidhur me aktivitetet e supozuara në dy lokacione bërthamore në Ukrainë”, tha Grossi dhe shtoi se këto dy lokacione kanë qenë subjekt i inspektimeve dhe njëri prej tyre ishte inspektuar muajin e kaluar dhe nuk është gjetur asnjë aktivitet i padeklaruar bërthamor apo ndonjë material.

“ANEB-i po përgatitet të vizitojë këto lokacione në ditët në vijim”, u tha në deklaratë.

Pretendimet e Rusisë se Kievi po planifikon të dislokojë “bombë ndotëse” – që është një bombë konvencionale, por e mbushur me materiale radioaktive, biologjike dhe kimike – erdhën pas një sërë bisedash telefonike që ka zhvilluar ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, me homologët e tij nga disa shtete të NATO-s.

Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara lëshuan një deklaratë të përbashkët duke hedhur poshtë pretendimet, pas bisedave me Shoigu, në të cilat ministri rus nuk dha dëshmi për këtë pretendim.

“Shtetet tona e kanë bërë të qartë se ne të gjithë hedhim poshtë pretendimet e rreme të Rusisë se Ukraina po përgatitet të përdorë ‘bombë ndotëse’ në territorin e saj”, u tha në deklaratën e këtyre tri shteteve.

Por, Rusia ka përforcuar pretendimin e saj, që vjen disa javë pasi ushtria e Moskës po pëson humbje në jug dhe lindje të Ukrainës.

“Sipas informacioneve që kemi, dy organizata në Ukrainë kanë instruksione specifike për të krijuar të ashtuquajturat ‘bomba ndotëse’. Kjo punë është në fazën finale”, tha gjenerallejtënant Igor Kirillov më 24 tetor.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, tha në orët e vona të 24 tetorit se ka biseduar me homologun e tij britanik, Tony Radakin, i cili hodhi poshtë pretendimet ruse se Ukraina po përgatit veprime për të përshkallëzuar konfliktin.

Gerasimov po ashtu ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun amerikan, gjeneralin Mark Milley, i cili po ashtu përsëriti mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën.

“Gjenerali përsëriti mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, u tha në deklaratën e lëshuar nga SHBA-ja.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Moska vazhdimisht bën pretendime, të cilat, sipas tij, hidhen poshtë nga aleanca ushtarake.

“Aleatët e NATO-s hedhin poshtë këto pretendime. Rusia nuk duhet ta përdorë këtë si pretekst për përshkallëzim. Ne qëndrojmë të palëkundur në mbështetjen për Ukrainën”, tha ai përmes një postimi në Twitter.

Pretendimet e Moskës se Ukraina mund të dislokojë “bombë ndotëse” kanë rritur shqetësimet se Rusia mund të përdorë një armë të tillë dhe t’ia lë fajin Kievin.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se SHBA-ja nuk ka parë asnjë tregues se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore, por tha se do të ketë pasoja për Moskën nëse përdorë “bomba ndotëse” apo çdo armë tjetër bërthamore.

“Sigurisht se do të ishte një shembull tjetër i brutalitetit të presidentit [rus, Vladimir] Putin, nëse do të përdorte të ashtuquajturat ‘bomba ndotëse’. Do të ketë pasoja për Rusinë nëse përdor ‘bomba ndotëse’ apo bomba bërthamore. Ne kemi qenë shumë të qartë për këtë”, tha Price.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë kërcënime të maskuara për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore ndaj fqinjit të tij.

Presidenti gjerman viziton Kievin

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka arritur në Kievin më 25 tetor, në një vizitë të paparalajmëruar, tha një zëdhënës i tij.

Steinmeier, që arriti në kryeqytetin ukrainas përmes trenit, pritet të takohet gjatë ditës me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Kjo është vizita e parë e Steinmeier qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, por është përpjekja e tij e tretë për të udhëtuar për në Kiev.
Javën e kaluar, Steinmeier shtyu një udhëtim të planifikuar për në Ukrainë, për shkaqe sigurie.

Presidenti gjerman po ashtu kishte planifikuar që ta vizitonte Kievin së bashku me homologët e tij nga Lituania, Polonia, Letonia dhe Estonia në prill, por pak para vizitës iu kërkua që të mos udhëtonte drejt kryeqytetit ukrainas.

Kërkesa e Kievit që Steinmeier të mos e vizitonte Ukrainën kishte të bënte me kritikat e vazhdueshme për lidhjet e presidentit gjerman me Moskën dhe për mospërfilljen e paralajmërimeve nga fqinjët në Evropën Lindore për kërcënimin nga agresioni rus, në kohën kur ishte ministër i Jashtëm.

Steinmeier po ashtu shkaktoi zemërim në Kiev në ditët e para të pushtimit rus, duke i ofruar Ukrainës vetëm 5.000 helmeta si ndihmë ushtarake.

Steinemeier fillimisht kishte mbrojtur një politikë më të butë ndaj Rusisë, por gjatë pushtimit të Ukrainës, e pranoi se politika e tij ishte e gabuar. Që atëherë, Gjermania ka nisur t’i dhurojë Ukrainës armatim të rëndë./REL

Zelensky: Karta e OKB-së duhet të punojë për paqen

Karta e Kombeve të Bashkuara duhet të punojë për të ruajtur paqen dhe rendin juridik ndërkombëtar – në veçanti, kjo është ajo që ukrainasit po arrijnë duke luftuar kundër agresionit të armatosur të Rusisë.

Këtë e tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një fjalim me video drejtuar kombit të hënën.

Kreu i shtetit kujtoi se më 24 tetor, bota feston Ditën e OKB-së. Pikërisht në këtë ditë të vitit 1945 hyri në fuqi Karta e Kombeve të Bashkuara si një nga dokumentet bazë që duhet të funksionojë për ruajtjen e paqes dhe rendit juridik ndërkombëtar.

“Duhet të funksionojë. Dhe do të funksionojë. Në veçanti, ne po e arrijmë këtë përmes luftës sonë kundër agresionit të armatosur të paligjshëm dhe të paprovokuar rus. Të gjithë ata që përpiqen të rivendosin paqen për Ukrainën po luftojnë gjithashtu që paqja dhe siguria të jetë e mundur për të gjithë popujt e tjerë. në tokë”, tha presidenti.

Zelensky falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së António Guterres për bashkëpunimin e tij dhe për faktin se ai qëndron me të vërtetë në mbrojtje të Kartës së OKB-së dhe paqes globale.

“Ne kemi arritur tashmë rezultate të mira së bashku, ky është lirimi i të burgosurve tanë që u mbajtën në Rusi, kjo është iniciativa e eksportit të grurit, e cila bën të mundur zbutjen e ashpërsisë së krizës ushqimore në botë, ky është bashkëpunim i shumëanshëm në Strukturat e OKB-së, faleminderit për gjithë ndihmën tuaj për këtë! Dhe besoj se mund të arrijmë edhe më shumë”, theksoi kreu i shtetit.

Presidenti shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që luftojnë dhe punojnë për Ukrainën.

Siç është raportuar, Ukraina e konsideron krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të mbajtur përgjegjësinë e Federatës Ruse për krimet kundër ukrainasve si një nga detyrat më të rëndësishme për momentin dhe pret mbështetjen ndërkombëtare për rezolutën përkatëse të OKB-së që do të votohet në nëntor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat