Blinken në Lindjen e Mesme në mes të shpërthimit të dhunës izraelito-palestineze

Bota

Blinken në Lindjen e Mesme në mes të shpërthimit të dhunës izraelito-palestineze

Më: 30 janar 2023 Në ora: 15:46
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, viziton Universitetin Amerikan në Kajro, Egjipt. 30 janar 2023.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nisi të hënën me Kajron udhëtimin e tij në Lindjen e Mesme, i fokusuar në qetësimin e situatës, mes përshkallëzimit të dhunës midis Izraelit dhe palestinezëve.

Përveç Egjiptit, diplomati amerikan do të qëndrojë edhe në Izrael dhe në Bregun Perëndimor, ku do të kërkojë që t’i jepet fund dhunës.

Kryediplomati i Uashingtonit u takua me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, dhe më vonë pritet të udhëtojë në Izrael dhe në territoret palestineze për të inkurajuar "uljen e tensioneve", tha Departamenti amerikan i Shtetit.

Më 27 janar, shtatë persona u vranë dhe dhjetë të tjerë u plagosën kur një person i armatosur hapi zjarr pranë një sinagoge në Jerusalemin Lindor.

Ky sulm ka pasuar sulmin vdekjeprurës të një dite më parë, më 26 janar, nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor. Bastisja në një kamp refugjatësh në Jenin u shndërrua në një shkëmbim zjarri, në të cilin u vranë të paktën nëntë palestinezë, ndërsa një i dhjetë u vra në përleshje në një lokacion tjetër.

Sulmi thuhet se ka rritur frikën për një spirale dhune, një ditë pas bastisjes më vdekjeprurëse të Izraelit në Bregun Perëndimor në vitet e fundit.

"Ne kemi parë sulme të tmerrshme terroriste në dy ditët e fundit dhe ne i dënojmë ato", i tha Blinken kanalit televiziv saudit Al Arabiya derisa ishte në Kajro.

"Gjëja më e rëndësishme në terma afatshkurtër është të përpiqemi të kemi pak qetësi", tha ai, duke shtuar se donte të fliste me liderët e të dyja palëve dhe "të dëgjonte gjithashtu nga njerëzit që preken nga kjo në jetën e tyre të përditshme".

Në gjakderdhjen e fundit, forcat izraelite qëlluan për vdekje një palestinez në qytetin Hebron të Bregut Perëndimor, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë - palestinezi i 35-të i vrarë këtë muaj, sipas një raporti të AFP-së, bazuar në burime zyrtare nga të dyja palët.

Shtetet e Bashkuara kanë marrë historikisht drejtimin në diplomacinë e Lindjes së Mesme.

Egjipti është një ndërmjetësues kyç midis izraelitëve dhe palestinezëve. Ky shtet, po ashtu, ka arritur të mbajë raporte të mira me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pavarësisht se Uashingtoni ka shprehur shqetësime lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut nga Kajro.

Blinken do të zhvillojë takimin e parë sy më sy me kryeministrin Benjamin Netayahu pasi ai u kthye në pushtet në Izrael, duke udhëhequr qeverinë më të djathtë në historinë e këtij shteti.

"Spiralja e vdekjes"

Presidenti francez, Emmanuel Macron, u bëri thirrje të gjitha palëve të shmangin një "spirale dhune".

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, bëri thirrje për "përgjegjësi maksimale" nga të gjitha palët.

Vizita e Blinkenit në Izrael është pjesë e përpjekjeve të administratës Biden për t'u angazhuar shpejt me Netanyahun, i cili kishte marrëdhënie të tensionuara me administratën e mëparshme demokrate nën Barack Obamën.

Blinken pritet të përsërisë mbështetjen e SHBA-së për një shtet palestinez, një perspektivë për të cilën ka pak pritje që të avancojë nën qeverinë e re izraelite.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Blinkeni do të bënte thirrje për ruajtjen e status quo-së në kompleksin e xhamisë Al-Aksa, e cila është e shenjtë, si për hebrenjtë, ashtu edhe për myslimanët.

Tensionet mes Izraelit dhe palestinezëve

Tensionet rriten shpesh në mes të Izraelit dhe palestinezëve që jetojnë në Jerusalemin Lindor, në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Gaza udhëhiqet nga grupi militant palestinez, Hamas, i cili e ka luftuar Izraelin disa herë.

Palestinezët në Gaza dhe në Bregun Perëndimor thonë se janë duke vuajtur për shkak të veprimeve dhe kufizimeve të Izraelit.

Izraeli, në anën tjetër, thotë se është duke vepruar për të mbrojtur veten nga dhuna palestineze.

Një ndër pikat kyçe të mospajtimeve mes dy palëve ka të bëjë me Jerusalemin.

Izraeli e konsideron gjithë Jerusalemin si territor të vetin dhe si kryeqytet të pandashëm, derisa palestinezët kërkojnë që pjesa lindore të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen.

Ankesimi i Jerusalemit Lindor nga Izraeli nuk njihet ndërkombëtarisht./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat