LIVE: Përshkallëzohet konflikti, sulmet amerikane ndaj Iranit vazhdojnë! Trump lëshon kërcënimin e radhës

Bota

LIVE: Përshkallëzohet konflikti, sulmet amerikane ndaj Iranit vazhdojnë! Trump lëshon kërcënimin e radhës

Nga: Bota sot Më: 13 korrik 2026 Në ora: 09:00 Përditësuar në ora: 08:41 më 24.07.2026
Donald Trump

Trump kërcënon se do të përdorë asetet iraniane për të paguar dëmet ndaj anijeve në Hormuz

Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se çdo dëm i shkaktuar ndaj anijeve ose anijeve të mallrave, në mes të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, do të kompensohet duke përdorur asetet iraniane që janë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara.

Kjo deklaratë nxiti reagim të menjëhershëm nga Teherani.

“Nga tash e tutje, çdo dhe i gjithë dëmi që i shkaktohet anijeve, anijeve të mallrave apo çdo gjëje që lidhet me to, do të paguhet me paratë iraniane që Shtetet e Bashkuara i kanë në zotërim dhe i kontrollojnë”, shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social më 24 korrik.

Teherani i dënoi deklaratat e Trumpit, teksa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, e quajti propozimin e udhëheqësit amerikan një “precedent nxitës”.

“Sekuestrimi i aseteve të një shteti tjetër për të paguar pretendime në të ardhmen që nuk kanë lidhje me to është një precedent nxitës”, shkroi Araqchi në një postim në X.

Ai paralajmëroi se “ata që festojnë ose përfitojnë nga këto fonde duhet të kujtojnë se sapo qeveritë ta normalizojnë konfiskimin, asetet e askujt nuk do të jenë më të sigurta”, duke shtuar se “kaosi që do të pasojë nuk do të jetë as i bukur dhe as paqësor”.

Këto zhvillime vijnë teksa Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) tha se forcat e saj kanë përfunduan natën e 13-të radhazi të sulmeve ndaj Iranit, duke shtuar se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për kalim detar.

“CENTCOM ka goditur komanda qendrore të ushtrisë iraniane, depo të dronëve, rrjete komunikimi, vende për vëzhgim detar dhe aftësi detare për të reduktuar edhe më shumë kërcënimi që Irani paraqet ndaj marinarëve civilë dhe anijeve tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit”, u tha në njoftimin e Komandës amerikane të publikuar në X më 24 korrik.

“Rruga ujore ndërkombëtare mbetet e hapur për lundrim pavarësisht sulmeve të fundit nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike. Anijet tregtare vazhdojnë të lundrojnë lirshëm nëpër ngushticë me mbështetjen e ushtrisë amerikane”, shtoi CENTCOM.

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë rritur, teksa një armëpushim i arritur në mes të qershorit u zhbë dhe palët rinisën sulmet pasi Uashingtoni e akuzoi Teheranin për sulme ndaj anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Ngushtica e Hormuzit është rrugë kyç detare, pasi nëpër të kalon një e pesta e naftës dhe gazit në botë.

SHBA-ja ka thënë se Irani po e përdor këtë ngushticë si mjet presioni, duke argumentuar se ajo është një korridor ndërkombëtar që mbrohet nga e drejta ndërkombëtare. / REL

Nata e 13-të radhazi e sulmeve amerikane ndaj Iranit, në shënjestër infrastruktura ushtarake dhe detare

Shtetet e Bashkuara kanë vijuar për të 13-ën natë radhazi sulmet ndaj Iranit, në kuadër të operacioneve që, sipas Uashingtonit, synojnë të kufizojnë kërcënimin iranian ndaj lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se sulmet e fundit u kryen në orët e para të së premtes, 24 korrik, dhe kishin në shënjestër qendra të komandës ushtarake, depo dronësh, rrjete komunikimi, objekte të mbikëqyrjes bregdetare, si edhe infrastrukturë detare.

Sipas CENTCOM, pavarësisht incidenteve të fundit që Uashingtoni ia atribuon Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, kalimi në Ngushticën e Hormuzit mbetet i hapur dhe anijet tregtare vijojnë lundrimin me mbështetjen e forcave amerikane.

Komanda amerikane bëri të ditur gjithashtu se më shumë se 50 mijë ushtarakë amerikanë janë aktualisht të dislokuar në rajonin e Lindjes së Mesme, në mbështetje të operacioneve dhe sigurisë detare.

Trump paralajmëron një sulm të ri masiv ndaj Iranit: Jam afër marrjes së një vendimi

Nga: A.M.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e një operacioni të ri ushtarak kundër Iranit, i cili sipas tij mund të jetë më i madh se fushata e mëparshme “Operation Epic Fury”, përcjell “Bota sot”.

Në një intervistë për Axios, Trump tha se është “afër marrjes së një vendimi”, por theksoi se ende nuk ka dhënë urdhër për ndonjë veprim të ri ushtarak.

“Ata duan të negociojnë, por nuk janë gati për një marrëveshje”, tha Trump, duke shtuar se sipas tij Irani “nuk ka përjetuar ende dhimbje të mjaftueshme”.

Dy zyrtarë amerikanë konfirmuan se deri tani nuk është bërë asnjë thirrje e re për ushtrinë amerikane dhe nuk janë dhënë urdhra të rinj.

Ky zhvillim vjen në një kohë të tensioneve të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të ndikojë edhe në tregjet globale të energjisë.

Pra, për publikim do ta zbusja titullin nga “Trump do të nisë luftë” në “Trump shqyrton sulm të ri masiv ndaj Iranit”, sepse vendimi ende nuk është marrë.

Nafta drejt 100 dollarëve për fuçi pas sulmeve në Detin e Kuq

Çmimet e naftës u rritën me ritme të shpejta sot, ndërsa nafta “Brent” iu afrua pragut psikologjik prej 100 dollarësh për fuçi.

Rritja u nxit nga përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme, pasi rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, morën përgjegjësinë për sulme ndaj cisternave saudite në Detin e Kuq.

Rreth orës 09:40 GMT, çmimi i naftës “Brent “për dërgesat e shtatorit u rrit me 4,68%, duke arritur në 98,47 dollarë për fuçi, pasi gjatë sesionit kishte prekur edhe nivelin 98,80 dollarë, ose rreth 5% më shumë se mbyllja e mëparshme.

Ndërkohë, nafta amerikane “West Texas Intermediate” (WTI), gjithashtu për dërgesat e shtatorit, u rrit me 3,78%, duke u tregtuar me 90,11 dollarë për fuçi.

Analistët vlerësojnë se sulmet në Detin e Kuq kanë shtuar frikën për ndërprerje të furnizimeve globale me naftë, duke rritur pasigurinë në tregjet ndërkombëtare të energjisë, shkruan AFP.

Nëse tensionet vazhdojnë të përshkallëzohen, çmimet e naftës mund të kalojnë sërish pragun e 100 dollarëve për fuçi, me pasoja të mundshme për inflacionin dhe ekonominë globale, transmeton ANSA.

Rubio paralajmëron Teheranin, teksa Irani godet baza ushtarake në Kuvajt

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, iu kundërpërgjigj ashpër Teheranit më 23 korrik, duke përshkallëzuar përplasjen verbale një ditë pasi ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, u zotua për një përgjigje “sy për sy” ndaj kërcënimit të presidentit, Donald Trump, për të bombarduar infrastrukturën iraniane për shkak të sulmeve ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

“Politika e presidentit është koka për syrin”, u tha Rubio gazetarëve më 23 korrik, në margjinat e takimeve të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Manila. “Ata do të paguajnë një çmim shumë të rëndë për gjërat që po bëjnë. Madje, tashmë po paguajnë një çmim shumë të rëndë”.

Deklaratat e Rubios erdhën teksa konflikti u zgjerua në disa fronte gjatë natës.

Ushtria iraniane dhe Garda Revolucionare Islamike (IRGC) thanë se kanë goditur disa baza ushtarake amerikane në Kuvajt, si përgjigje ndaj sulmeve të reja amerikane ndaj caqeve iraniane, pas natës së 12-të radhazi të bombardimeve amerikane.

IRGC-ja pretendoi se ka sulmuar bazën ajrore Ali Al Salem, kampin Udairi dhe një kullë telekomunikimi, teksa ushtria iraniane tha se ka goditur kampin Doha, bazën Ali Al Salem dhe kampin Arifjan, raportoi televizioni shtetëror iranian më 23 korrik.

Ushtria e Kuvajtit tha se ka penguar “kërcënime me dronë”, pas disa ditësh sulmesh iraniane ndaj këtij shteti arab në Gjirin Persik. Ushtria e Jordanisë njoftoi se ka rrëzuar tri raketa në orët e hershme të 23 korrikut, ndërsa një raketë tjetër u rrëzua në një zonë të pabanuar, duke mos shkaktuar dëme.

Përshkallëzimi i konfliktit u shoqërua edhe me hapjen e një fronti të ri, pasi mediat shtetërore saudite njoftuan se një anije me flamur saudit u sulmua në Detin e Kuq, pasi rebelët Huthi, që mbështeten nga Irani, morën përgjegjësinë për sulme me raketa dhe dronë ndaj dy cisternave saudite, të quajtura Encelia dhe Layla.

Rebelët Huthi më herët gjatë javës kishin kërcënuar se do të bllokonin portet saudite në Detin e Kuq dhe do të pengonin qarkullimin në Ngushticën Bab al-Mandab, një veprim që mund të përkeqësojë pasojat nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit.

Trump veçse ka sinjalizuar se si mund të përgjigjet Uashingtoni në rast të një bllokade saudite. Duke folur në Zyrën Ovale më 22 korrik, gjatë takimit me presidentin e Libanit, Joseph Aoun, Trump u pyet drejtpërdrejt për kërcënimin e rebelëve jemenas Huthi, dhe ai u përgjigj: “Nëse ndodh diçka e tillë, ne do ta rregullojmë atë punë”.

Ai iu referua fushatës së mëhershme ajrore të Uashingtonit kundër këtij grupi si shembull se cili mund të jetë reagimi, duke theksuar se rebelët Huthi kanë qëndruar të qetë “që kur bëmë atë që bëmë herën e parë” – referencë për sulmet e gjera amerikane të kryera në mars dhe maj të vitit 2025, kur u goditën më shumë se 1.000 objektiva të rebelëve jemenas, përfshirë ndërtesa të raketave dhe udhëheqja e grupit.

Në Ngushticën e Hormuzit, IRGC-ja tha se ka kthyer mbrapsht tri cisterna nafte, duke paralajmëruar se çdo anije që kalon pa koordinim me Teheranin “do të ketë të njëjtin fat”.

Përmes kësaj deklarate, Garda sfidoi drejtpërdrejtë Trumpin, i cili më 22 korrik tha se Shtetet e Bashkuara do të bombardojnë një urë ose një termocentral iranian – përfshirë pranë Teheranit – sa herë që Irani hap zjarr ndaj një anijeje në Ngushticën e Hormuzit.

Nata e 12-të e sulmeve

Sulmi iranian ndaj bazave amerikane erdhi pasi Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) njoftoi se sulmet e saj gjatë natës kishin në shënjestër kapacitetet detare të Iranit, depot e raketave dhe dronëve, pozicionet e vëzhgimit bregdetar dhe sistemet e mbrojtjes ajrore. Sulmet, sipas CENTCOM-it, u kryen me qëllim që të dobësohet edhe më shumë aftësia e Iranit për të kërcënuar transportin tregtar detar.

Komanda amerikane tha po ashtu se, që nga rifillimi i bllokadës së porteve iraniane, ka devijuar nëntë anije tregtare dhe ka bllokuar një tjetër.

Mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet amerikane vranë dy persona në Shalamçeh, pranë kufirit me Irakun, dhe goditën Bushehrin, ku ndodhet centrali i vetëm bërthamor civil i Iranit.

Kostoja e luftës është rritur për të dyja palët. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha më 21 korrik se konflikti i ka kushtuar SHBA-së 37.5 miliardë dollarë, krahasuar me rreth 29 miliardë dollarë sa ishte vlerësuar kostoja në maj.

Duke folur më 22 korrik, presidenti Trump tha se nuk beson që Irani është i gatshëm për një marrëveshje, duke argumentuar se Teherani vazhdimisht përpiqet të rinegociojë çdo kompromis që arrin. “Ata nuk janë gati. Do të jenë shumë shpejt”, tha ai.

Marrëveshja e armëpushimit e arritur në mesin e muajit qershor, praktikisht është zhbërë, pasi luftimet rifilluan këtë muaj për shkak të Ngushticës së Hormuzi.

The Wall Street Journal duke cituar të dhëna për gjurmimin e fluturimeve dhe zyrtarë amerikanë, raportoi se trupa shtesë amerikane, ekipe mjekësore dhe armatime janë dislokuar në rajon.

Ndërkaq, Jordania njoftoi më 23 korrik se gjatë natës rrëzoi katër raketa dhe katër dronë, ndërsa në Bahrejn u aktivizuan sirenat paralajmëruese për sulme ajrore.

Që nga rifillimi i luftimeve këtë muaj, katër ushtarakë amerikanë janë vrarë: tre në një sulm iranian ndaj një baze ushtarake në Jordani dhe një tjetër në Irak.

Në Manila, Rubio komentoi edhe raportimet se Moska po e ndihmon Iranin të shënjestrojë forcat amerikane. Pyetja u ngrit pas takimit të tij me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në margjinat e takimit të ASEAN-it. Ai nuk pranoi të flasë për çështje të inteligjencës, duke thënë se nuk do të komentojë publikisht edhe nëse raportimet janë të sakta.

Por, sekretari Rubio tha se Irani ka kaluar vite të tëra duke zhvilluar në mënyrë të pavarur kapacitetet e tij raketore dhe me dronë, dhe se asgjë që po bëjnë aktualisht aktorët e jashtëm nuk po e rrit në mënyrë të konsiderueshme aftësinë e Teheranit për të shënjestruar amerikanët.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, refuzoi të komentojë drejtpërdrejt për këtë çështje kur u pyet nga gazetarët për raportimet e mediave. / REL

SHBA pozicionon bombarduesit B-1 kundër Iranit

Ushtria amerikane vendosi një bombardues me rreze të gjatë B-1 për të shënjestruar pozicionet e lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), njoftoi portali amerikan "Axios" duke cituar zyrtarë amerikanë.

Misioni shënoi përdorimin e parë të një bombarduesi B-1 që kur armiqësitë me Iranin u intensifikuan 12 ditë më parë.

I njohur për shpejtësinë e tij supersonike në lartësi të ulët dhe aftësinë e tij për të mbajtur ngarkesën më të madhe të çdo bombarduesi amerikan, aeroplani zgjeron ndjeshëm aftësitë e goditjes, thuhet në raport.

Ndërsa SHBA-ja vazhdon të përforcojë praninë e saj ushtarake në rajon, thuhet se presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e rifillimit të operacioneve luftarake në shkallë të gjerë kundër Iranit.

Sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, një veprim i tillë mund të fillojë brenda disa ditësh.

Bombarduesi u nis nga një bazë ajrore amerikane në Britani të Madhe dhe u gjurmua nga entuziastët e aviacionit duke përdorur faqet e internetit të monitorimit të fluturimeve në dispozicion të publikut.

Megjithatë, zyrtarët nuk bënë të ditur objektivat specifike të goditura apo nëse operacioni arriti sukses më të madh se sulmet e fundit ajrore.

Gjatë operacionit Epic Fury i cili shënoi fillimin e sulmeve të SHBA-së në Iran, bombarduesit B-1 kryen misione të shumta kundër vendeve të lëshimit të raketave, objekteve të komandës dhe kontrollit, depove të armëve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Tensionet rajonale u përshkallëzuan që kur SHBA-ja dhe Izraeli filluan ofensivë të përbashkët kundër Iranit në shkurt.

Irani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa që synonin vendet e Gjirit që strehojnë asetet e SHBA-së.

SHBA-ja dhe Irani nënshkruan memorandum mirëkuptimi të ndërmjetësuar nga Pakistani muajin e kaluar për t'i dhënë fund konfliktit të tyre dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme paqeje, por tensionet u përshkallëzuan përsëri javën e kaluar mbi Ngushticën e Hormuzit, me të dyja palët që shkëmbyen sulme. /AA/

Sulme të reja amerikane, dronë mbi Kuvajt dhe paralajmërime nga Irani

Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po hyn në një fazë edhe më të rrezikshme. Uashingtoni ka goditur objektiva të reja ushtarake iraniane për natën e 12-të radhazi, ndërsa tensionet janë zgjeruar në Detin e Kuq, Gjirin Persik dhe Kuvajt, duke shtyrë edhe çmimin e naftës në nivelet më të larta të javëve të fundit.

Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijon të përshkallëzohet në disa fronte njëkohësisht. Forcat amerikane kanë ndërmarrë sulme ndaj objektivave ushtarake iraniane për natën e 12-të radhazi, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së. Sipas mediave shtetërore iraniane, qytetet Ramshir dhe Ahvaz, në jugperëndim të vendit, si edhe provinca bregdetare Bushehr, u goditën nga raketa amerikane. Ndërkohë, një cisternë nafte e një kompanie saudite u godit në Detin e Kuq.

Sulmi vjen pasi rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, morën përgjegjësinë për goditje ndaj anijeve në këtë korridor strategjik dhe paralajmëruan bllokadë të porteve saudite në Detin e Kuq. Në Kuvajt, ushtria njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë ndërhyrë për të rrëzuar dronë armiqësorë, pas disa ditësh sulmesh iraniane ndaj vendit.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, paralajmëroi se çdo sulm ndaj infrastrukturës iraniane do të marrë një përgjigje të barabartë. Presidenti amerikan Donald Trump reagoi me një tjetër kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Teheranit, duke deklaruar se SHBA-ja do të shkatërrojë një urë ose një central elektrik iranian për çdo sulm ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Tensionet kanë ndikuar menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës Brent u ngjit përkohësisht mbi 95 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në gati gjashtë javë, ndërsa nafta amerikane u rrit me afro 3 për qind.

Ndërkohë, Dhoma Ndërkombëtare e Transportit Detar konfirmoi se rebelët Huthi kanë nisur të transmetojnë paralajmërime me radio për anijet që lundrojnë në rajon, pas shpalljes së bllokadës detare ndaj Arabisë Saudite.

SHBA godet Iranin për natën e 12-të radhazi

Konflikti në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar më tej, pasi rebelët Huthë të Jemenit pretenduan se kanë sulmuar dy cisterna saudite të naftës në Detin e Kuq, ndërsa Shtetet e Bashkuara zhvilluan natën e 12-të radhazi sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake iraniane.

Sipas Huthëve, anijet Encelia dhe Layla u goditën me dronë dhe raketa, me pretendimin se kishin shkelur “embargon detare” të shpallur së fundmi nga grupi i mbështetur nga Irani kundër Arabisë Saudite. Megjithatë, deri tani është konfirmuar vetëm sulmi ndaj cisternës Encelia.

Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, deklaroi se grupi do të vazhdojë operacionet detare dhe do të zbatojë strategjinë e “rrethimit për një rrethim”, duke paralajmëruar sulme të tjera nëse anijet saudite vazhdojnë të lundrojnë në zonë.

Autoritetet saudite konfirmuan se cisterna Encelia u godit ndërsa lundronte në Detin e Kuq, duke shkaktuar zjarr në pjesën e përparme të anijes. Sipas Riadit, i gjithë ekuipazhi është i sigurt dhe incidenti përbën një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar.

Edhe Operacioni Britanik për Tregtinë Detare (UKMTO) raportoi se një “predhë e panjohur” goditi një tanker saudit rreth 130 kilometra larg brigjeve të Al Shuqaiq, duke shkaktuar zjarr, por pa viktima. Sulmi ndaj cisternës Layla nuk është konfirmuar nga burime të pavarura.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se, me urdhër të presidentit Donald Trump, nisi një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane, përfshirë baza detare, depo raketash dhe dronësh, sisteme mbikëqyrjeje bregdetare dhe mbrojtje ajrore.

Presidenti Trump kishte paralajmëruar më herët se SHBA do të godiste infrastrukturë strategjike iraniane, përfshirë ura dhe termocentrale, nëse Irani ose aleatët e tij sulmonin anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit. Ai kishte deklaruar gjithashtu se do të “kujdesej për Huthët” nëse ata do të bllokonin Detin e Kuq.

Mediat shtetërore iraniane raportuan se dy persona humbën jetën në sulmet ajrore amerikane në jug të vendit, pranë kufirit me Irakun.

Në një tjetër zhvillim dramatik, Garda Revolucionare Iraniane (IRGC) deklaroi se Ngushtica e Hormuzit është “plotësisht e mbyllur”, pasi një shpërthim ndodhi në një kanal lundrimi. Sipas mediave iraniane, tre cisterna nafte u ndaluan të kalonin, ndërsa njëra prej tyre u përfshi nga flakët dhe dy të tjera u detyruan të ktheheshin pas për shkak të një rruge të minuar.

Përshkallëzimi i situatës ka alarmuar vendet e rajonit. Kuvajti, Jordania dhe Bahreini raportuan se aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore pas kërcënimeve, ndërsa ushtria iraniane pretendoi se kishte shënjestruar asete amerikane në këto vende.

Kriza po ndikon drejtpërdrejt në transportin ndërkombëtar të naftës. Deti i Kuq është bërë një korridor jetik për eksportet saudite për shkak të kufizimeve në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa embargoja e shpallur nga Huthët ka detyruar tashmë të paktën shtatë cisterna nafte të ndryshojnë kurs pranë brigjeve të Jemenit. Vetë Huthët pretendojnë se kanë detyruar rreth dhjetë anije të tërhiqen.

Përshkallëzimi i ri vjen në një moment kur negociatat mes SHBA-së dhe Iranit janë praktikisht të bllokuara. Edhe pse në qershor të dyja palët nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për ndalimin e operacioneve ushtarake dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, armëpushimi u rrëzua vetëm pak javë më vonë, pasi Trump e shpalli atë “të mbaruar” pas sulmeve iraniane ndaj anijeve tregtare dhe kundërpërgjigjes ushtarake amerikane.

Trump e kërcënon Iranin me sulme në ura dhe termocentrale, nëse vazhdon t`i qëllojë anijet tregtare

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është zotuar të mërkurën se do ta shkatërrojë një urë ose një termocentral në Iran, sa herë që Teherani e sulmon ndonjë anije në Ngushticën e Hormuzit.

"Nga ky çast e tutje, sa herë që Republika Islamike e Iranit qëllon ndaj një anijeje në Ngushticën e Hormuzit, qoftë me raketë, predhë, dron apo me çfarëdo pajisjeje ose arme tjetër, Shtetet e Bashkuara do të bombardojnë dhe do të shkatërrojnë një urë ose një termocentral", shkroi Trump në një postim në rrjetin Truth Social.

Kërcënimi nga Trump vjen gjithashtu pasi forcat përfaqësuese të Iranit në Jemen, huthët, kërcënuan me sulme ndaj një rruge tjetër jetike për transportin e naftës botërore.

Pesë cisterna nafte ndryshuan kurs në Detin e Kuq të mërkurën për të shmangur Ngushticën Bab el-Mandeb, një ditë pasi kërcënimi i huthëve për të bllokuar eksportet saudite të naftës nxori në pah një rrezik të ri për furnizimet globale me naftë, si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit.

Tri cisterna të ngarkuara me naftë saudite për Kinën dhe Indinë u kthyen mbrapsht të martën.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu!

Gardat Revolucionare të Iranit pretendojnë se një numër ushtarësh amerikanë u vranë në sulmet në Jordani

Gardat Revolucionare të Iranit kanë deklaruar se një “numër” i personelit ushtarak amerikan është vrarë dhe plagosur gjatë sulmeve të tyre ndaj bazave ajrore amerikane në Jordani.

Sipas një deklarate të publikuar përmes mediave shtetërore iraniane, sulmet me raketa dhe dronë kishin në shënjestër bazat ajrore amerikane King Faisal dhe Prince Hassan, ku pretendohet se u shkatërruan tetë dronë MQ-9 dhe u dëmtuan rëndë dy helikopterë amerikanë.

Gardat Revolucionare thanë se në një sulm specifik ndaj një objekti ku qëndronin trupat amerikane, “një numër i forcave agresore u vranë dhe u plagosën”.

Sipas tyre, këto sulme ishin “të dedikuara” për viktimat e bombardimit të një shkolle fillore në qytetin iranian Minab, në fillim të konfliktit.

Jordania dhe prania ushtarake amerikane në këtë vend kanë qenë ndër objektivat kryesore të Iranit ditët e fundit, ndërsa Teherani vazhdon sulmet hakmarrëse.

Të premten e kaluar, tre ushtarë amerikanë u vranë pasi një raketë iraniane goditi kazermat e tyre të gjumit në bazën ajrore Muwaffaq Salti në Jordani.

Trupat e nëntogerit të parë Tyler James Feehan, 25 vjeç, rreshterit Angel S. Rampersad, 28 vjeç, dhe ushtares Isabella Gonzales, 19 vjeçe, aktualisht po kthehen në Shtetet e Bashkuara.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat