LIVE: Përshkallëzohet konflikti, sulmet amerikane ndaj Iranit vazhdojnë! Trump lëshon kërcënimin e radhës

Bota

LIVE: Përshkallëzohet konflikti, sulmet amerikane ndaj Iranit vazhdojnë! Trump lëshon kërcënimin e radhës

Nga: Bota sot Më: 13 korrik 2026 Në ora: 09:00 Përditësuar në ora: 23:45 më 17.07.2026
Donald Trump

CENTCOM: Po dobësojmë kapacitetet ushtarake të Teheranit

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) ka njoftuar nisjen e natës së shtatë radhazi të operacioneve ushtarake kundër Iranit.

Në një njoftim të publikuar në platformën X, CENTCOM bëri të ditur se operacionet e reja nisën të premten në orën 15:00 sipas kohës lindore të SHBA-së (ET), ose në orën 19:00 sipas kohës së Grinuiçit (GMT).

Autoritetet amerikane nuk dhanë detaje të tjera mbi objektivat e goditjeve, zonat e operimit apo mjetet ushtarake të përdorura gjatë aksionit.

Deri në këtë moment, autoritetet iraniane nuk kanë publikuar një reagim zyrtar lidhur me operacionet e fundit, përfshirë dëmet e mundshme apo pasojat e sulmeve.

Operacionet e raportuara vijnë në një periudhë të tensioneve të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa palët ende nuk kanë dhënë një pasqyrë të plotë mbi zhvillimet në terren.

Konflikti SHBA-Iran përshkallëzohet, ndërsa sulmet përhapen në Lindjen e Mesme

Forcat amerikane shënuan natën e gjashtë radhazi të sulmeve ajrore kundër Iranit, ndërsa kundërpërgjigjja iraniane është zgjeruar. Jordania, Katari dhe Kuvajti janë goditur nga sulmet iraniane, ndërsa Teherani pretendon se ka shënjestruar edhe objekte ushtarake amerikane në Bahrein dhe Siri, shkruan CNN, përcjell “Bota sot”.

Ja zhvillimet kryesore:

Forcat amerikane goditën gjatë natës disa ura në provincën jugore iraniane Hormozgan, duke vrarë të paktën tetë persona dhe plagosur 20 të tjerë, sipas mediave iraniane. Urat ndodheshin në rrugët që lidhen me qytetin bregdetar Bandar Abbas, në Ngushticën e Hormuzit, ku ndodhet një bazë detare e Gardës Revolucionare Islamike.

Irani goditi një central të prodhimit të energjisë elektrike dhe një impiant të desalinizimit të ujit në Kuvajt, duke shkaktuar zjarr. Qeveria kuvajtiane u bëri thirrje banorëve të kursejnë energjinë elektrike për shkak të temperaturave ekstreme të verës. Sot, temperatura maksimale e parashikuar në Kuvajt është 46°C.

Teherani deklaroi gjithashtu se ka shënjestruar objekte ushtarake amerikane në disa vende të Lindjes së Mesme, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme të SHBA-së.

Një sulm iranian me raketa dhe dronë vrau nëntë luftëtarë të një grupi kurd iranian me bazë në Irak, sipas një zyrtari të grupit.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një 39-vjeçar është akuzuar për ndihmë ndaj shërbimit të inteligjencës së Iranit, njoftoi Policia Metropolitane e Londrës.

Çmimet e naftës pritet ta mbyllin javën në rritje, pasi konflikti mes SHBA-së dhe Iranit po intensifikohet dhe shkëmbimi i sulmeve vazhdon. Muajin e kaluar, çmimet ranë përkohësisht pasi SHBA-ja dhe Irani

Një raketë godet një cisternë pranë brigjeve të Omanit, trafiku “i paralizuar” në Hormuz pas sulmeve SHBA-Iran

Një sulm i ri ndaj një anijeje cisternë është regjistruar në Gjirin e Omanit , ndërsa konflikti midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit shkakton turbulenca serioze në tregjet e transportit detar dhe globale të energjisë.

Sipas agjencisë britanike UK Maritime Trade Operations (UKMTO), anijeja cisternë u godit nga një raketë e panjohur ndërsa lundronte rreth 19 milje detare në lindje të qytetit Khasab, Oman.

Agjencia tha se të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt, ndërsa deri më tani nuk ka pasur ndotje mjedisore. Trafiku në Ngushticën e Hormuzit pothuajse është bllokuar.

Ndërkohë, të dhënat nga firma e të dhënave të transportit detar Kpler treguan se vetëm tre anije tregtare kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit të mërkurën, numri më i ulët ditor i kalimeve që nga maji.

Shumë anije janë pezulluar ose janë kthyer pas sulmeve të fundit iraniane ndaj anijeve tregtare dhe rifillimit të bllokadës detare amerikane ndaj anijeve të lidhura me Iranin.

Përshkallëzimi i ri midis Uashingtonit dhe Teheranit ka paralizuar në mënyrë efektive kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit, rrugën më të rëndësishme detare në botë për naftën dhe gazin natyror, duke bërë që çmimet globale të energjisë të rriten përsëri.

Tankeri Miraan, që transportonte naftë dhe i nënshtrohej sanksioneve, dhe anija më e vogël Norita, që transportonte gaz të lëngshëm nafte (LPG), dolën nga Ngushtica nëpërmjet anës iraniane, por u ndalën në Gjirin e Omanit, ku është në fuqi një bllokadë amerikane.

Tankeri Arolia , i ngarkuar me naftë irakiane për furnizimin e anijeve në det, u kthye disa orë pasi doli nga Ngushtica dhe u kthye në Gjirin Persik.

Të mërkurën, vetëm 11 anije kishin kaluar nëpër Ngushticë, krahasuar me mesataren prej rreth 125 anijesh në ditë para fillimit të armiqësive.

Për të dytën ditë radhazi, nuk u regjistruan anije shumë të mëdha tankerash nafte bruto (VLCC) ose transportues gazi natyror të lëngshëm (LNG) duke kaluar tranzit.

Megjithatë, dy anije VLCC janë rishfaqur në sistemet e gjurmimit AIS jashtë Ngushticës, secila duke transportuar dy milionë fuçi naftë bruto.

Anija Colombia Prosperity , e ngarkuar me naftë bruto saudite, po shkon drejt Okinawa, Japoni, ndërsa anija Costa Rica Prosperity , që transportonte naftë bruto të Basrës Mesme të Irakut , është e destinuar për në Turqi.

Ndërkohë, Iraku ndaloi përkohësisht ngarkimin e naftës në terminalin e tij në Basra pas një sulmi me dron ndaj një tankeri, përpara se operacionet të rifillonin orë më vonë.

Garda Revolucionare paralajmëroi se për sa kohë që vazhdojnë sulmet e SHBA-së, eksportet e naftës dhe gazit nuk do të lejohen përmes Ngushticës së Hormuzit, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim të Iranit.

Ndërkohë, sipas burimeve, Teherani ka lënë të kuptohet se mund t’i inkurajojë aleatët Huthi në Jemen të përpiqen të mbyllin ngushticën Bab al-Mandab, në hyrje të Detit të Kuq, nëse Shtetet e Bashkuara zgjerojnë sulmet e tyre ndaj infrastrukturës iraniane.

Irani godet objektivat amerikane në rajon pas sulmeve të SHBA, shënjestron edhe një qendër komande në Siri

Irani tha se nisi sulme të reja ndaj objekteve amerikane në Lindjen e Mesme të premten, përfshirë sulmin e parë të drejtpërdrejtë në Siri, pas një nate të gjashtë radhazi sulmesh amerikane ndaj objekteve ushtarake iraniane.

Ushtria amerikane deklaroi se kryer sërish sulme ndaj Iranit “për të degraduar më tej aftësitë ushtarake iraniane”, duke përfshirë ishullin Qeshm dhe pranë Bandar Abbas, ku ndodhet porti më i madh i Iranit, si dhe objektet kryesore detare dhe të Gardës Revolucionare.

“Forcat amerikane, duke përfshirë avionë luftarakë, dronë ajrorë dhe anije luftarake, nisën municione precize që goditën dhjetëra objektiva ushtarake iraniane, të tilla si vende mbikëqyrjeje bregdetare dhe mbrojtjeje ajrore, infrastrukturë logjistike ushtarake dhe aftësi detare”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së.

Irani ka qëlluar me raketa dhe dronë bazat ushtarake amerikane në shtetet fqinje, përfshirë një bazë ajrore në Jordani. Herët të premten, ushtria iraniane tha se kishte sulmuar objektet amerikane në Bahrein dhe Kuvajt.

Mediat shtetërore të Iranit thanë se Garda Revolucionare kishte sulmuar një qendër komande të operacioneve speciale amerikane në al-Tanf të Sirisë në hakmarrje për vrasjen e ushtarëve iranianë në Iranshahr.

Ky shënon sulmin e parë të drejtpërdrejtë nga Irani ndaj Sirisë, e cila është përpjekur të shmangë përfshirjen në një konflikt që ka përfshirë vendet fqinje.

SHBA: Përfundon vala e fundit e sulmeve të mëdha ndaj Iranit

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka njoftuar se ka përfunduar valën e saj të fundit të sulmeve të mëdha kundër Iranit.

CENTCOM tha se aeroplanë luftarakë, dronë ajrorë dhe anije luftarake kishin lëshuar municione në dhjetëra objektiva ushtarake iraniane, me sulmet që përfunduan në orët e hershme të mëngjesit.

Në një deklaratë, Komanda Qendrore tha se kishte goditur objektiva duke përfshirë mbikëqyrjen bregdetare dhe vendet e mbrojtjes ajrore, infrastrukturën logjistike ushtarake dhe aftësitë detare.

Ndryshe, më herët u raportua se SHBA kishte goditur të paktën dy ura në Iranin jugor.

Është e mundur që Uashingtoni mund t’i ketë konsideruar këto ura si “infrastrukturë logjistike ushtarake”.

Kjo ishte nata e gjashtë radhazi e sulmeve amerikane kundër Iranit.

Sulmi amerikan godet juglindjen e Iranit, dëmtohet aeroporti, plagoset një civil

Një sulm amerikan goditi aeroportin Iranshahr, në juglindje të Iranit, mëngjesin e së premtes, duke plagosur një person dhe duke shkaktuar dëme në instalimet elektrike dhe një rezervuar karburanti, raportoi televizioni shtetëror iranian.

Sipas autoriteteve iraniane, të paktën një predhë goditi aeroportin në provincën Sistan dhe Baluchestan, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Një civil mbeti i plagosur si pasojë e sulmit.

Sulmi vjen në kohën kur operacionet ushtarake amerikane kanë vijuar në disa zona të Iranit jugor. Mediat iraniane raportuan gjithashtu për sulme ndaj urave pranë Bandar Khamir, ndërsa shpërthime dhe dëme janë regjistruar edhe në Bandar Abbas, Bushehr, ishullin Qeshm, Sirik dhe Ahvaz.

Përshkallëzimi i tensioneve në rajon nisi në shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën një ofensivë të përbashkët kundër Iranit. Teherani iu përgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave në vendet e Gjirit që strehojnë asete amerikane.

Muajin e kaluar, Irani dhe SHBA-ja nënshkruan një memorandum mirëkuptimi të ndërmjetësuar nga Pakistani, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të arritur një marrëveshje paqeje. Megjithatë, ditët e fundit tensionet janë rritur sërish, veçanërisht rreth Ngushticës së Hormuzit, ku të dyja palët kanë shkëmbyer sulme.

“Po përpiqen të pengojnë marrëveshjen me Iranin”, JD Vance akuzon zyrtarë izraelitë

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka bërë akuza ndaj disa anëtarëve të qeverisë izraelite, duke i akuzuar ata se kanë tentuar të ndikojnë opinionin publik amerikan për të kundërshtuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Iranin. Deklaratat u bënë gjatë një interviste me podkasterin e njohur amerikan Joe Rogan, e cila u transmetua të mërkurën.

Në intervistën pothuajse treorëshe në “The Joe Rogan Experience”, Vance mbrojti marrëveshjen që administrata Trump arriti muajin e kaluar me Iranin, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm diplomatik.

Ai shtoi se ka prova të qarta se elementë brenda qeverisë izraelite po përpiqen të sabotojnë këtë politikë sepse preferojnë vazhdimin e operacioneve ushtarake.

“E di përtej çdo dyshimi se ka njerëz brenda qeverisë izraelite që po përpiqen të na largojnë nga kjo politikë, sepse duan të vazhdojnë fushatën ushtarake”, tha Vance.

Vance theksoi se disa aktorë izraelitë po financojnë ose mbështesin fushata ndikimi, duke përfshirë përpjekje për të manipuluar opinionin publik amerikan që lufta të vazhdojë “pafundësisht”, pa një objektiv të qartë.

Ai përmendi edhe një raport të revistës Time që flet për një fushatë dixhitale të lidhur me Izraelin, e cila synon të ndikojë në perceptimin amerikan për çështjen e Iranit.

Konflikti SHBA-Iran është në kulmin e tij/ Nata e gjashtë e bombardimeve amerikane, Teherani kërcënon të gjithë Gjirin Persik

Ushtria amerikane vijoi për natën e gjashtë radhazi sulmet ajrore ndaj objektivave në Iran, ndërsa Teherani akuzoi Uashingtonin për goditjen e infrastrukturës civile dhe paralajmëroi se do të hakmerret duke shënjestruar infrastrukturën në të gjithë rajonin e Gjirit Persik.

Sipas ushtrisë amerikane, vala e re e bombardimeve kishte në shënjestër objekte të mbikëqyrjes bregdetare, sisteme të mbrojtjes ajrore, infrastrukturë logjistike ushtarake dhe kapacitete detare iraniane.

Nga ana tjetër, mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet goditën edhe ura, një aeroport, një stacion treni dhe zona civile. Sipas televizionit shtetëror IRIB, bombardimet në rajonin Bandar Hamir shkaktuan vdekjen e shtatë personave, ndërsa u goditën gjithashtu një stacion treni në Bandar Abbas dhe aeroporti Iransar.

Një zëdhënës ushtarak iranian deklaroi se, nëse SHBA vazhdon të godasë infrastrukturën e Republikës Islamike, atëherë “e gjithë infrastruktura në rajon do të jetë objektiv legjitim për Iranin”.

Ndërkohë, forcat e armatosura të Kuvajtit dhe Katarit raportuan sulme ajrore gjatë natës, ndërsa sirenat e alarmit u aktivizuan dy herë në Bahrein. Televizioni shtetëror iranian bëri të ditur se Irani kreu sulme me dronë ndaj instalimeve ushtarake amerikane në Kuvajt.

Në qytetin Ahvaz, banorët përshkruan një natë me shpërthime të pandërprera. “Sulmet janë aq intensive sa po më dridhen duart. Ndjeva sikur do të më shpërthenin daullet e veshit”, tha një profesor 34-vjeçar për AFP.

Bombardime u regjistruan edhe në Bushehr, ku ndodhet porti kryesor dhe i vetmi central bërthamor funksional i Iranit. Sipas autoriteteve lokale, qyteti u godit për herë të dytë brenda pak orësh.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar më herët se objektivat e ardhshëm do të ishin urat dhe centralet elektrike iraniane nëse Teherani nuk rikthehej në tryezën e negociatave.

Përshkallëzimi i konfliktit vjen pas rifillimit të armiqësive më 7 korrik, pas sulmeve ndaj anijeve tregtare në Gjirin Persik, të cilat Uashingtoni ia atribuon Iranit. Luftimet po dëmtojnë përpjekjet diplomatike dhe kanë rritur shqetësimet për sigurinë energjetike globale.

Pakistani u ka bërë thirrje të dyja palëve të ndalin dhunën dhe të rikthehen në negociata, ndërsa Irani ka deklaruar se nuk sheh arsye për të zbatuar marrëveshjet e mëparshme në kushtet aktuale.

Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë theksoi se presidenti Donald Trump mbetet i hapur ndaj diplomacisë, por nuk do të tolerojë sulmet ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Pavarësisht tensioneve, çmimi i naftës Brent mbetet rreth 85 dollarë për fuçi. Megjithatë, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, paralajmëroi se nëse nuk arrihet shpejt një marrëveshje për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të rivendosur lëvizjen e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, siguria energjetike globale do të vihet sërish në rrezik.

Kuvajti kap 32 dronë pas sulmeve iraniane në objekte kritike! Momenti kur i shkatërron në ajër

Tridhjetë e dy “dronë armiqësorë” u vunë re në hapësirën ajrore  të Kuvajtit që nga agimi, pasi sulmet iraniane thuhet se kishin në shënjestër një numër instalimesh jetësore në vend.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kuvajtit, Kolonel Saud Abdulaziz Al-Atwan, tha se forcat e armatosura i kishin dalluar dronët dhe i kishin kapur ato.

“Dronët u kapën dhe u shkatërruan”, tha Al-Atwan, duke shtuar se mbeturinat ranë në disa zona banimi si rezultat i operacionit të kapjes.

Mbeturinat që ranë shkaktuan dëme materiale, por sipas deklaratës zyrtare, nuk u raportuan viktima ose të lënduar.

Njoftimi erdhi pas deklaratave të Ministrit të Mbrojtjes të Kuvajtit, sipas të cilit sulmet iraniane goditën ose u përpoqën të godisnin objekte kritike në vend.

Ministria e Mbrojtjes theksoi se Forcat e Armatosura mbeten në gatishmëri të vazhdueshme, me qëllim mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe infrastrukturës së vendit.

“Forcat e Armatosura konfirmojnë angazhimin e tyre të vazhdueshëm për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre me efikasitet dhe adekuatshmëri, duke ruajtur gatishmëri dhe vigjilencë të vazhdueshme, duke forcuar kështu sigurinë kombëtare dhe duke mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe banorëve”, thuhet në deklaratë.

SHBA dhe Irani vijojnë bisedimet, Leavitt: Teherani kërkon marrëveshje pas “goditjeve shkatërruese”

Nga: A.M.

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijojnë, pavarësisht tensioneve të larta dhe operacioneve ushtarake të ndërmarra nga Uashingtoni, ka bërë të ditur zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, shkruan Skynews, përcjell “Bota sot”.

Gjatë një deklarate për mediat, Leavitt u pyet se në çfarë faze ndodhen negociatat mes dy vendeve. Ajo tha se Irani vazhdon të komunikojë me SHBA-në dhe se Teherani kërkon një marrëveshje, pasi sipas saj po përballet me “goditje shkatërruese”.

“Arsyeja e sulmeve të fundit është sepse Irani ka shkelur Memorandumin e Mirëkuptimit që kishim arritur me ta”, deklaroi Leavitt.

Ajo akuzoi Teheranin se ka sulmuar anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.

Megjithatë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë theksoi se presidenti amerikan mbetet i hapur për diplomaci.

“Presidenti është gjithmonë i gatshëm për diplomaci”, u shpreh Leavitt, duke lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të negociatave, pavarësisht përshkallëzimit të situatës në terren.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat