Deputetja e pavarur australiane Helen Haines ka humbur të dyja këmbët. Ajo u godit me veturë para zyrës së saj, në atë që policia e cilëson sulm të qëllimshëm. Lajmin e ka konfirmuar bashkëshorti i saj, Phil Haines.
Haines është deputete e zonës zgjedhore Indi në shtetin Victoria. Ajo u godit të hënën pasdite, rreth orës 15:35 me orën lokale, para zyrës së saj në qytetin Wangaratta, rreth 240 kilometra në verilindje të Melburnit. Pas incidentit iu nënshtrua operacionit dhe humbi njërën këmbë. Të mërkurën në mëngjes iu amputua edhe tjetra.
“Lajmi i mirë në gjithë këtë është se ajo është gjallë”, tha bashkëshorti i saj në një konferencë për media në Melburn, ku deputetja po trajtohet. Ai tha se lëndimet janë të rënda, por se zemra dhe mendja e saj janë mirë. Sipas tij, rruga e shërimit do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por ajo është luftëtare. Çifti është i martuar gati 40 vjet dhe muajin e ardhshëm feston përvjetorin.
Phil Haines falënderoi stafin e spitalit dhe njerëzit në Australi e jashtë saj për mbështetjen. Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që duan të ndihmojnë që të dhurojnë për fondin Save the Children.
I dyshuari para gjykatës
I dyshuari është 43-vjeçari Brendan Nugent nga Tarrawingee, afër Wangarattës, i njohur si aktivist mjedisor. Ai u arrestua pak çaste pas incidentit. Sipas policisë, ai e goditi deputeten me veturën e tij Toyota LandCruiser. Kalimtarët e nxorën nga vetura dhe e mbajtën deri në ardhjen e policisë.
Të mërkurën ai u paraqit për herë të parë në gjykatë. Akuzohet për:
- vozitje të rrezikshme që ka shkaktuar lëndim të rëndë,
- shkaktim të qëllimshëm të lëndimit të rëndë,
- dëmtim të një zyrtari publik federal,
- kultivim dhe posedim të kanabisit.
Policia ka paralajmëruar se mund të ngrihen akuza të tjera, përfshirë atë për tentativë vrasjeje.
Gjatë seancës së shkurtër, Nugent qëndroi i heshtur dhe pa emocione. Ai nuk kërkoi lirim me kaucion dhe do të dalë sërish para gjykatës në shkurt. Avokati i tij tha se klienti ka probleme të shëndetit mendor, pa dhënë detaje. Gjykata u njoftua gjithashtu se ai vuan nga një sëmundje e rrallë neurologjike, mieliti transversal idiopatik, që është inflamacion i palcës kurrizore.
Motivi ende i panjohur
Hetimin e udhëheq Policia e Victorias, me mbështetjen e Policisë Federale Australiane. Motivi ende nuk është përcaktuar. Komisioneri Mike Bush tha se motivi është në qendër të hetimit.
Sipas policisë, Nugent nuk ishte në radarin e saj dhe nuk kishte asnjë informatë për kërcënime ndaj deputetes. Hetuesit po shqyrtojnë nëse droga apo medikamentet kanë luajtur rol. Po shqyrtojnë edhe nëse ka pasur ndonjë lidhje personale mes të dyshuarit dhe deputetes.
Familja e të dyshuarit deklaroi se ishin miq të vjetër me Haines. Ata e cilësuan ngjarjen shkatërruese dhe të pakuptueshme.
Të parët që i dolën në ndihmë
Të parët në vendngjarje ishin Jacob dhe Jackie Evans. Jacob përdori një turniket nga çanta e ndihmës së parë në veturën e tij për të ndalur gjakderdhjen nga njëra këmbë e deputetes. Sipas gazetës Herald Sun, Haines, edhe pse e plagosur rëndë, i falënderoi për ndihmën.
Tronditje në Australi
Ngjarja ka tronditur komunitetin e Wangarattës dhe gjithë Australinë, ku dhuna politike është e rrallë. Liderë nga i gjithë spektri politik kanë shprehur respekt për Haines, e cila u zgjodh për herë të parë në parlament më 2019.
Kryeministri Anthony Albanese ka biseduar disa herë me bashkëshortin e saj. Në një intervistë për ABC-në, ai tha se kërcënimet ndaj grave politikane kanë një formë tjetër poshtërimi dhe agresiviteti, përfshirë kërcënimet me përdhunim.
Sipas policisë federale, kërcënimet ndaj zyrtarëve të lartë janë në rritje. Pothuajse një person në javë akuzohet për vepra të tilla. Ngjarja ka hapur debatin për sigurinë e deputetëve. Policia thotë se mbrojtja individuale për secilin nga 226 deputetët federalë do të kërkonte një numër jashtëzakonisht të madh personeli.
Guvernatorja e Përgjithshme e Australisë, Sam Mostyn, ishte e pranishme në konferencën për media. Ajo tha se ky është një moment për t’u ndalur dhe për të zgjedhur të jemi më të mirë. Mostyn u bëri thirrje qytetarëve të mësojnë sërish të ushtrojnë mirësjelljen.
(Burimi: BBC)