Van Schipstal fiton etapën e dytë

Çiklizëm

Van Schipstal fiton etapën e dytë

Më: 2 qershor 2022 Në ora: 11:52
Ylber Sefa foto: F. Hazisllari

Rrethi i 79-të Çiklistik i Shqipërisë ka vijuar ditën e djeshme me etapën e dytë të tij me itinerar Korçë-Maliq-Drithas-Korçë-Elbasan për një distancë prej 153.4 km.

Një etapë që dhuroi betejë të fortë ndërmjet çiklistëve, të cilët luftuan rrotë më rrotë nga starti e deri në finish.

Gara nisi e fortë, ndërsa në Qafë-Thanë u krijuan edhe dy shkëputjet e para, teksa u formuan dy grupe, i pari me 4 çiklistë, që krijoi një diferencë prej rreth 50 sekondash nga grupi i dytë me 8 çiklistë.

Edhe pse në zbritje beteja ishte e ashpër, ndërsa në Librazhd grupi u bashkua, për t’u futur më pas i gjithi në sprintin final.

Këtu më i shpejti rezultoi holandezi Guus van Schipstal i skuadrës “Global cycling” me kohën 3:31:01, duke fituar edhe bonusin prej 10 sekondash për shkak se preku finishin i pari, duke fituar kështu etapën e dytë. I dyti mbërriti serbi Dusan Kalaba i kombëtares së Serbisë, i cili siguroi bonusin prej 6 sekondash.

Ndërsa i treti doli një tjetër serb, Jovan Divnic, i cili është pjesë e skuadrës maqedonase “Meridiana Kamen”, duke marrë bonusin e 4 sekondave.

Dyshja kuqezi, Ylber Sefa dhe Mikel Demiri u renditën respektivisht i pesti dhe i shtati.

Ndërkohë, duke kaluar te renditja e përgjithshme pas dy etapave të para, Ylber Sefa i Shqipërisë ruan fanellën e verdhë me kohë totale 7:21:53, ndërsa mban gjithashtu edhe fanellën jeshile të fushës.

Në vend të dytë klasifikohet rumuni Cristian Raileanu i ekipit CSA Steaua” me kohë 7:22:00. Ndërsa vendi i tretë i përket Mikel Demirit me kohë 7:22:02.

Demiri është gjithashtu deri më tani edhe çiklisti më i mirë i ri, si dhe zotëron edhe fanellën e malit. Ndërkohë, pas dy garave të para, Shqipëria ruan vendin e parë në klasifikimin ekipor. Sot do të mbahet etapa e tretë Elbasan-Vlorë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat