Skuadra Lidl-Trek vazhdon të bëjë “ligjin” në edicionin e 108-të të Xhiros së Italisë, teksa pas ditës së pushimit është rikthyer të marrë etapën e dhjetë me çiklistin Dean Hoole.
Holandezi triumfoi dje në garën e kronometrit Luça-Pisa, 28.6 km, duke fiksuar kohën më të shpejtë, 32 minuta e 30 sekonda, me shpejtësi mesatare 52,8 km/h. Pas tij, rezultatet më të shpejta shënuan dy britanikët, Joshua Tarling (INEOS Grenadiers) me 7 sekonda nga kreu, i cili kishte ftuar kronometrin e parë në Tiranë, si dhe Ethan Hayter (Soudal Quick-Step) që mbërriti në finish me +10 sekonda.
Dean Hoole e nisi me qetësi, për ta rritur ritmin në gjysmën e dytë të garës, duke marrë edhe triumfin në Toskanë, për të konfirmuar specialitetin e tij në kronometër.
Gara u karakterizua edhe nga reshjet e shiut, me favoritët e Xhiros që u treguan të kujdesshëm, duke mos rrezikuar, në mënyrë që të shmangin ndonjë rrëzim të mundshëm.
Nga pretendentët rezultat të mirë shënoi Primoz Roglic, me 1 minutë e 15 sekonda diferencë nga fituesi. Me këtë kohë, slloveni rikuperoi 19 sekonda në renditjen e përgjithshme nga Juan Aysuo dhe 1 minutë e 7 sekonda nga Isaac Del Toro. Ky i fundit vazhdon të mbajë fanellën rozë të liderit.
Meksikani i skuadrës Uae Emirates tashmë kryeson me vetëm 25 sekonda nga shoku i skuadrës, Ayuso, ndërsa i treti në klasifikimin e përgjithshëm është italiani Antonio Tiberi, me 1 minutë e 1 sekondë nga kreu. Vendi i katërt për Simon Yates (1″03), ndërsa Roglic kompleton pesëshen e parë me 1 minutë e 18 sekonda diferencë.