U mbyll me sukses gara ndërkombëtare “Tour of Kosova 2025”, e cila, ashtu si edhe në dy etapat paraprake, u zhvillua përgjatë autostradave “Arbër Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”.
Etapa e tretë kishte nisjen nga Hani i Elezit – Ferizaj – Prishtinë – Vërmicë dhe përfundoi në dalje të autostradës Prizren (Jug), në një gjatësi prej 156 km.
Që në fillim, dy çiklistë – Van Den Borche nga Belgjika dhe William Goodfelow nga Kanadaja – u shkëputën nga peletoni, duke krijuar një diferencë prej 2 minutash deri në kilometrin e 70.
Megjithatë, pas ritmit të lartë të grupit kryesor, ata u kapën në kilometrin e 80. Pjesa e mbetur e garës u zhvillua me një peleton kompakt, ndërsa tentativat për shkëputje nuk rezultuan të suksesshme. Në finishin me sprint, më i shpejti u tregua çiklisti i kombëtares së Shqipërisë, Valentino Kamberaj, i cili fitoi etapën e tretë.
Rezultatet e etapës së tretë:
Vendi i parë: Valentino Kamberaj (Shqipëri) – 3:36:46
Vendi i dytë: James Dylan Hicks (Angli) – 3:36:47
Vendi i tretë: Georgios Bouglas (Greqi) – 3:36:48
Plasmani gjeneral individual:
Fitues i garës ndërkombëtare “Tour of Kosova 2025”: Agrikola Danijel (Holandë)
Vendi i dytë: Baker Rowan (Angli)
Vendi i tretë: Morgan Edward (Angli)
Plasmani gjeneral ekipor:
MyPad Racing Team (Angli)
Wielerploeg Groot Amsterdam (Holandë)
Vetrapo Bclose Balenzo CT (Belgjikë)
Pas përfundimit të garës, Federata e Çiklizmit e Kosovës (FÇK) mori vlerësime jashtëzakonisht pozitive nga ekipet pjesëmarrëse për organizimin e nivelit të lartë dhe standardet profesionale që e karakterizuan këtë edicion.