U mbajt mbledhja e radhës e Bordit të Federatës së Çiklizmit të Kosovës (FÇK), në të cilën u diskutuan dhe u trajtuan çështje të rëndësishme për zhvillimin dhe organizimin e aktiviteteve të çiklizmit në vend.
Gjatë mbledhjes, bordi miratoi rendin e ditës dhe procesverbalin e Kuvendit të punës, ndërsa u prezantua edhe raporti i kryetarit, me theks të veçantë në bashkëpunimet me kompani të ndryshme si dhe me Ministrinë e Rinisë dhe Sportit.
Një ndër pikat kryesore të diskutimit ishte organizimi i Kampionatit Ballkanik 2026, ku u trajtuan përgatitjet dhe aspektet organizative të këtij eventi të rëndësishëm. Po ashtu, u shqyrtua raporti i garës së mbajtur në Kamenicë dhe u diskutua për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit me Ministrin e Sportit.
Në kuadër të pikave të tjera, u diskutua edhe pjesëmarrja e klubit “Kastrioti” dhe Kombëtares sonë në garat ndërkombëtare, si dhe organizimi i kampit përgatitor para garës “Turi i Shqipërisë”, për të cilin u trajtuan data dhe vendi i mbajtjes.
Federata e Çiklizmit të Kosovës mbetet e përkushtuar në avancimin e sportit të çiklizmit dhe në organizimin e aktiviteteve cilësore në nivel vendor dhe ndërkombëtar.