Sot është zhvilluar një takim i rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Kampionatit Ballkanik në çiklizëm.
Kryetari i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha, së bashku me anëtaren e bordit, Sibora Kadriu, dhe sekretarin teknik, Art Grajçevci, u takuan me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ku në fokus ishte bashkëpunimi institucional për realizimin sa më të suksesshëm të këtij eventi.
Gjatë takimit u diskutua mbi rolin e ministrisë në organizimin e kampionatit, duke pasur parasysh ndërlidhjen e drejtpërdrejtë të sportit të çiklizmit me mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e një jetese të qëndrueshme.
Të dy palët shprehën gatishmëri për bashkëpunim të ngushtë në funksion të organizimit sa më cilësor të Kampionatit Ballkanik, si dhe për promovimin e vlerave sportive dhe mjedisore në Kosovë.
Në fund të takimit, ministrja Pacolli pranoi një dhuratë simbolike të dhuruar nga kryetari Nuha. Një biçikletë punëdore nga druri, e ardhur nga Ruanda.