OAK kërkon nga KPMM lehtësira për sektorin minerar

Ekonomi

OAK kërkon nga KPMM lehtësira për sektorin minerar

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 12:47
OAK

Lirimi nga interesi mujor për vitin 2020 dhe 2021 dhe ulja e interesit mujor nga viti 2022 nga 2% në 0.5% apo në shifra vjetore nga 24% në 6% për vonesë të pagesave për rentë në KPMM, shtyerja e pagesës së kësteve të rentes minerar pa interes dhe vlera e lartë e interesit që bizneset e sektorit minerar duhet të paguajnë për garancione ishin disa nga çështjet e diskutimit në takimin e Odës së Afarizmit të Kosovës me drejtorin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale Ramiz Krasniqi.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi theksoi se pandemia ka ndikuar në pothuajse të gjitha sektoret e bizneseve, e prej të dëmtuarve është edhe sektori i gurthyesve dhe minierave, arsye kjo e cila ka bërë që një pjesë e tyre të mos mund të realizojnë pagesën e rentës minerare.

OAK kërkoi që bizneset të lirohen nga interesi mujor për vitin 2020 dhe 2021 dhe nga viti 2022 norma e interesit të ulet prej 2% sa është aktulisht në 0.5% për çdo vonesë të pagesës që këto biznese bëjnë. Në mënyrë që bizneset të mund të tejkalojnë sa më lehtë situatën në të cilën gjenden, OAK kërkoi që ky interes të ulet nga 24% në 6% vlerë vjetore, ose nga 2% në 0.5% mujore, pasi që interesi aktual është shumë i lartë.

Ndër të tjera sektori i gurthyesve dhe minierave po dëmtohet edhe nga garancitë që bizneset obligohen të bëjnë në bankat komerciale, për të cilat për 10ha duhet të lënë 50.000€ si garancion, për ngrirjen e të cilave obligohen të paguajnë interes në vlerë prej 7.000€. OAK kërkon që ky garancion të mund të realizohet edhe në kompanitë e sigurimeve, ashtu që të iu shmangen këtyre shpenzimeve enorme, e të cilat po paraqesin barrë të rëndë për biznesin.

Ndërsa anëtari i bordit Hysni Zogaj kërkoi që qiraja mujore prej 0.20€ në muaj për m² të shkrihet në tantiemë, ashtu që bizneset të paguajnë vetëm për sasinë e shfrytëzuar.

Drejtori i KPMM-së Ramiz Krasniqi shprehu gatishmërinë për të përkrahur bizneset e sektorit, në mënyrë që të lehtësohet funksionimi i tyre.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Skënder Krasniqi – kryetar i bordit, Hysni Zogaj anëtar i bordit dhe Mirjeta Shala – Zyrtare në OAK.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat