​Hasani pranon se është kërcënuar nga një blerës, detajet i jep për deputetët në seancë të mbyllur

Ekonomi

​Hasani pranon se është kërcënuar nga një blerës, detajet i jep për deputetët në seancë të mbyllur

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 17:43
Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë

Kryesuesi i Njësisë së Monitorimit për Kontroll dhe Administrim Direkt në AKP, Skënder Hasani, në komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, ka deklaruar se në një rast është kërcënuar nga një blerës me arsyetimin se ai ka kërkuar që ndaj tij të aplikohet ndëshkimi për mospërmbushje të kushteve të privatizimit.

Por detajet për këtë kërcënim, ai ka pranuar që t’i jap në një seancë të mbyllur, me ç’rast kërkesa e tij është pranuar nga ana e deputetëve të këtij komisioni.

Hasani tha se ky kërcënim ka ndodhur gjatë një aktiviteti ku ai kishte shkuar për ta përfaqësuar AKP-në, e të njëjtin kërcënim ai tha se nuk e ka raportuar.

Hasani: Blerësi më tha se ti je ai që ke kërkuar aplikimin e ndëshkimit financiare

“Prej jashtë, prej blerësit, ka thënë që ti ke qenë ai që ke dërguar që me aplikuar ndëshkimet financiare. Jo, se ka qenë një takim në Odë Ekonomike, ku kam shkuar ta përfaqësojë AKP-në dhe ka qenë Oda Ekonomike si ndërmjetësues se mos po gjendet ndonjë zgjidhje dhe në prezencë të tyre, po kështu nuk e kam raportuar.”, tha ai.

Lidhur me kërcënimin, deputetja e LDK-së Doruntinë Maloku, ka kërkuar që të dijë detaje.

Maloku: E keni fjalën për Famipa

“Kur folët për kërcënimin që e keni marrë nga njëri nga blerësit e ndërmarrjes shoqërore, e keni fjalën për Famipa-në”, tha ajo.

Mirëpo, Skënder Hasani, kryesues i Njësisë së Monitorimit për Kontroll dhe Administrim Direkt- në AKP, tha se për këtë çështje nuk do të flas në seancë të hapur.

Hasani: Në seancë të hapur nuk përgjigjem, në seancë të mbyllur nëse doni po

“Vetëm për këtë kërcënimin që po e thotë faktikisht, për pjesën tjetër. Vetëm për këtë pjesën për shkak se ajo ka kaluar, ka shkuar periudhë e gjatë. Në seancë të hapur nuk përgjigjem, në seancë të mbyllur nëse doni po”, tha ai.

Hasani para deputetëve tha se tek privatizimi me kushte i ndërmarrjeve kanë pasur vështirësi për shkak se nuk kanë qenë të qarta se cilat janë kriteret me rastin e privatizimit.

Hasani: Cili kriter me u marrë që ky i ka përmbushur apo nuk i përmbush kriteret me rastin e privatizimit

“Ndërmarrjet të cilat kanë qenë të privatizuara me spin off special këto 5 që kanë mbetur në periudhën kur i kam monitoruar unë kanë pasur dy kushte kryesisht, investimet në një vlerë të caktuar e cila ka qenë e paraparë për periudhën 2 vjeçare dhe një numër të caktuar të punëtorëve. Kurse ndërmarrjet të cilat janë të privatizuara me kushte kanë pasur kushte jo të specifikuara në mënyrë të qartë, kryesisht kanë pasur mbajtje të aktivitetit aktual të biznesit në periudhën e fundit kur është privatizuar dhe vetëm Sharr Cemi ka pasur detyrimin për me e bë një numër të caktuar të investimeve prej 35 milionë dhe me i punësua 500 punëtorë, pjesa tjetër kanë pasur vetëm kusht mbajtjen e aktivitetit aktual të biznesit. Kjo tek ndërmarrjet me kusht na ka paraqitur vështirësi për shkak se nuk ka qenë parametri i qartë se cili është qarkullimi apo cili është numri i të punësuarve, cili kriter me u marr që ky i ka përmbushur apo nuk i përmbush kriteret me rastin e privatizimit”, tha ai.

Deputetja e LVV-së, Yllza Hoti, ka pyetur Hasanin se a ka pasur ndëshkime për ndërmarrjet të cilat nuk i kanë përmbushur kriteret e privatizimit.

Hoti: A ka pasur ndëshkime

“Ka pasur kritere me të cilat janë vlerësuar se a janë përmbajtur zotimet blerësit, në këto raste kur nuk janë përmbajtur zotimet do të duhej të kishte ndëshkime, a ka pasur ndëshkime”, tha ajo.

Në përgjigjen e tij, kryesuesi i Njësisë së Monitorimit për Kontroll dhe Administrim Direkt- në AKP, Skënder Hasani, tha se tek ndërmarrjet që janë privatizuar me spin off special, janë gjashtë kompani ndaj të cilave janë aplikuar ndëshkime, ndërsa tek ndërmarrjet me kusht janë tri ndëshkime që janë aplikuar.

Hasani: Përmes spin off special janë për gjashtë kompani që janë aplikuar ndëshkime

“Përmes spin off special janë për gjashtë kompani që janë aplikuar ndëshkime, kurse për ndërmarrjet me kushte janë aplikuar ndëshkime për tri ndërmarrje”, tha ai.

Në këtë mbledhje të komisionit ishte paraparë edhe intervistimi i Blerim Devollit, pronar i kompanisë “Devolli Group” dhe Arian Hasani, blerës i Fabrikës së Gypave në Ferizaj, por që të dy nuk kishin konfirmuar pjesëmarrjen në komision.

Zëvendëskryetari i komisionit, Gazmend Bytyqi, tha se të dy të lartpërmendurit nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen, derisa ka potencuar se zyrtarët e komisionit kanë pasur vështirësi në gjetjen e kontakteve të tyre.

Bytyqi: Nuk ka arritur të gjejë numër të telefonit për të dy këta persona

“Sekretaria jonë e komisionit ka tentuar të gjejë forma të komunikimit, nuk ka arritur të gjejë numër të telefonit për të dy këta persona. Email-et që ka mundur t’i gjejë nëpër ueb faqet e tyre i ka përdorur, andaj ne do ta shohim se si do të gjejmë rrugën e komunikimit apo të bërjes së ftesës direkt tyre”, tha ai.

Deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku, tha se në rend të ditës nuk duhet të futen dëshmitar me të cilët nuk dihet se nëse është komunikuar apo jo.

Maloku: Të mos bëjmë shou mediatik vetëm sa për të thënë që po vije dikush

“Meqë ne nuk kemi marr konfirmim nga dëshmitarët të cilëve u është dërguar ftesa, kushtimisht po e them se nuk qenkeni të sigurt që keni dërguar ftesën në adresën e duhur, atëherë është mirë që mos t’i fusim në rend të ditës dëshmitarët për sa kohë ne nuk e kemi të konfirmuar ardhjen e tyre. Të mos bëjmë shou mediatik vetëm sa për të thënë që po vije dikush dhe pastaj të themi që nuk e dimë a i kemi dërguar kërkesën për ardhje në vendin e duhur. Do të ishte mirë që të shteren të gjitha mundësitë për të kërkuar dëshminë e dikujt dhe pastaj të futet në rend të ditës, nëse ai ose ajo nuk pranojnë që të vijnë ose i shmanget ardhjes në komision”, tha ajo.

Anëtarët e komisionit janë pajtuar që të njëjtëve t’iu dërgohet edhe një herë ftesa për raportim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat