Tërheqja e 10% nga Trusti, për gjashtë muaj qytetarët tërhoqën kaq milionë euro

Ekonomi

Tërheqja e 10% nga Trusti, për gjashtë muaj qytetarët tërhoqën kaq milionë euro

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 12:13
Foto ilustrim

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka njoftuar se qytetarët e vendit edhe gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti kanë vazhduar me tërheqjen e mjeteve nga 10 përqindëshi.

Në njoftimin e Trustit thuhet se brenda periudhës janar-qershor 2021, 427 mijë e 363 kontribuues i tërhoqën mbi 198 milionë euro.

“Gjatë këtij gjashtëmujori u përmbyll me sukses edhe procesi i tërheqjes së 10%-shit, përmes të cilit 427,363 kontribuues i tërhoqën mbi 198 milionë euro, me fitim mesatar prej 24.2%”, thuhet në njoftimin e Trustit.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur në muajin qershor, kishte marrë vendim që të filloj rimbursimin e mjeteve të tërhequra nga 10 përqindëshi i Fondit për Kursime Personale (Trusti).

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati pati thënë se pagesat do të fillojnë nga viti 2023.

“Propozimi në fjalë rrjedh nga Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Përmes një metodologjie do të përcaktohet se si do të paguhen këto mjete. Rimbursimi do të filloj nga viti 2023”, kishte deklaruar Murati.

Aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit kishte filluar më 11 dhjetor 2020, ndërsa kishte përfunduar më 6 prill 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat