Pronari i klubit të njohur kërkon që të lirohen nga TVSH-ja për 33 ditë sa ishin të hapur

Ekonomi

Pronari i klubit të njohur kërkon që të lirohen nga TVSH-ja për 33 ditë sa ishin të hapur

Më: 20 gusht 2021 Në ora: 00:13
Ardian Hoxha

Pronari i klubit të natës Duplex, Ardian Hoxha, ka thënë se masat e reja për mbyllje kanë qenë të domosdoshme, edhe nëse kjo i ka dëmtuar dhe ndikuar negativisht.

“Masat e reja kanë qenë të domosdoshme shkaku i situatës që është krijuar për shkak të rritjes së rasteve pasi është e detyrueshme. Neve normal na ndikon negativisht pasi kemi pasur punë vetëm 33 ditë dhe kemi qenë 18 muaj pa punuar. Edhe pse jemi hapur me një kohë të limituar kemi paguar një pjesë të punëtorëve që t’i mbajmë edhe kësaj radhe do të kemi mirëkuptim”, tha ai.

Hoxha madje i bëri kërkesë qeverisë që periudhën 33 ditëshe të lirohen nga TVSH-ja.

“Kemi pritur subvencione dhe tashmë kemi si kërkesë që këtë periudhë që kemi punuar të na lirojnë nga TVSH-ja”, shtoi Hoxha.

Sipas pronarit të Dublex, pjesa më e dëmtuar nga pandemia kanë qenë klubet e natës bashkë me sallonet e dasmave, mirëpo është i lumtur që paratë e kosovarëve janë investuar në klubet e Kosovës dhe jo ato të Shqipërisë.

“Pjesa më e dëmtuar kanë qenë klubet e natës dhe sallonet e dasmave dhe ne nuk e kemi ngritur zërin shumë deri kur u bë tepër. Mendoj se prapëseprapë qeveria ka vepruar mirë që bëri këtë hapje pasi vitin e kaluar paratë tona dhe të diasporës kanë shkuar në Shqipëri mirëpo këtë vit kanë ndejtë në Kosovë”, shtoi Ardian Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat