​Masat e reja me pasoja për bizneset

Ekonomi

​Masat e reja me pasoja për bizneset

Më: 27 gusht 2021 Në ora: 14:51
Foto ilustrim

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe shoqata e gastronomisë dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, janë kundër masave të reja anti-COVID, të paralajmëruara nga Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, gastronomët kërkojnë nga qeveria mbështetje për kohën e kufizimit të orarit të punës, ndonëse lejimi i punës vetëm në hapësira të hapura në këtë kohë kur kanë rënë temperaturat po del të jetë i pa pranishëm për ata.

Rukiqi thotë për KosovaPress se krahas gjendjes alarmante, masat janë të nevojshme, por siç thekson ai fokusi i qeverisë në menaxhimin e pandemisë duhet orientuar edhe te vaksinimi masiv i qytetarëve sikur vendet tjera.

Masat sipas Rukiqit, ndikojnë në çdo sektor, pastaj edhe në ekonominë e Kosovës.

Rukiqi: Në shumë vende fokusi është te vaksinimi, jo te mbyllja

“Gjithsesi masat të cilat duhet me ndal numrin e lartë të vdekjeve dhe të atyre të hospitalizuar janë të nevojshme… Por qëllimi i vendeve kryesore sot është nxitja e vaksinimit në mënyrë që të parandalohen hospitalizimet dhe vdekjet. Këtu duhet të jetë fokusi i menaxhimit të pandemisë. Prandaj, mund të duken të domosdoshme marrja e masave, por ato duhet të jenë ndaj atyre që nuk po vaksinohen më shumë… Mbështetja në përgjithësi ka qenë simbolike, ku në shumë raste e ka lehtësuar gjendjen e bizneseve, por tani jemi në fazën që sapo e krijuam një cikël të mirë të qarkullimit të biznesit dhe normalisht çdo ndërprerje tani e atij cikli len pasoja pavarësisht ndihmës financiare nuk mund të sanohen lehtë”, theksoi Rukiqi.

Ndërsa, për rikthimin e orës policore, kundër është kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva. Për këtë masë ai ka kërkuar që të rishqyrtohet, pasi që sipas tij, është e panevojshme.

Sogojeva thotë se ka informacione që edhe procesi mësimor do të shtyhet deri më 13 shtator.

Sogojave: Nuk ka nevojë për orë policore, masat tjera I respektojmë

“Duke parë gjendjen faktike dhe alarmante, ku sot edhe BE-ja po e konsulton rastin e Kosovës, për me hyrë në pjesën e rrezikshmërisë. Vet fakti që jemi në këtë gjendje, ne do si do në një farë forme duhet me përkrahur diçka që zutë këtë situatë. Normal, që më së shumti neve na ‘dhemb’, pasi që më së shumti preket ky sektor. Por, masat të cilat pritet të merren, do të kemi shkurtim të orarit të punës për 1 orë për hoteleri, gastronomi, pastaj do të punohet vetëm në hapësirat e hapura me 75 për qind të kapaciteteve. Po ashtu, edhe sektor të tjerë, sipas informatave deri më 13 shtator edhe shkollat nuk do të fillojnë… Por, ne themi që këto humbje të mbulohen dhe të gjen alternativa dhe forma qeveria për t’i mbuluar… Është mirë që të ri-shqyrtohet edhe një herë, nuk ka nevojë për orë policore”, theksoi Sogojeva.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi thotë se janë të gatshëm që t’i respektojnë masat, por sipas tij, vetëm në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Në të kundërtën, ai tha se masat janë të papërballueshme për bizneset.

Kllokoqi thekson se lejimi i punës vetëm në hapësira të hapura janë vështirë të zbatueshme për shkak të kohës së ftohet tash në prag të vjeshtës.

Kllokoqi: Puna jonë vetëm në hapësirat e jashtme është papranueshme

“Ne jemi të vetëdijshëm, ne duhet me dal krah shtetit, mirëpo edhe shteti të del krahë tonin… Ne jemi drejt muajt shtator, drejt vjeshtës dhe drejt ftohjes së motit në Kosovë. Prandaj, kuptohet që puna jonë vetëm në hapësirat e jashtme është papranueshme prej anës tonë me punuar, sepse ne veç po e ftohim stafin tonë dhe klientët tonë dhe nuk është zgjidhje ajo. Mirëpo, më mirë është me funksionuar ne në hapësirat e brendshme me distancë ose me respektim të masave, se sa në hapësirat e jashtme me ftohje. Kjo nuk është që ne kemi mundur me pranuar, por unë kam qenë vet me virus dhe nuk kam mundur me qenë në takim (me ministrin Viti). Mirëpo, nga të gjitha odat dhe shoqata jonë është kërkuar bashkëpunim prej Ministrisë së Shëndetësisë”, thotë ai.

Masat e reja të cilat priten të merren dhe të vlejnë deri më 13 shtator, sipas kryetarit të Odës së Hotelierisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, është orari i punës, i cili do të reduktohet për një orë, nga 22:30 në 21:30; Gastronomia do të funksionojë vetëm me hapësirat e jashtme, dhe vetëm 70% të hapësirës; Në qendrat tregtare gastronomia nuk do të funksionojë fare; Sallat e dasmave, klubet e natës, kinematë dhe të tjera do të vazhdojnë të jenë plotësisht të mbyllura; Seminaret dhe konferencat në hapësira të mbyllura mund të mbahen vetëm deri në 30 persona; dhe Ora policore do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit.

Vetëm dje si pasojë e virusit COVID-19 kanë humbur jetën 18 qytetarë, ndërsa janë infektuar 2 mijë e 295. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat