Gërxhaliu: S’e shoh të përfunduar projektin e gazsjellësit

Ekonomi

Gërxhaliu: S’e shoh të përfunduar projektin e gazsjellësit

Më: 1 tetor 2021 Në ora: 18:53
Safet Gërxhaliu

Ekonomisti Safet Gërxhaliu thotë se nuk e sheh si çështje të mbyllur projektin e gazsjellësit amerikan në Kosovë duke shtuar se Kosova nuk e ka komoditetin ta refuzojë një gjë të tillë.

Ai, në Info Magazine, ka thënë se përmes një projekti si ky i gazsjellësit amerikan të financuar nga MCC-ja Kosova forcon marrëdhëniet me SHBA-në që e ka aleat strategjik.

“Me aq sa e kam kuptuar deklaratën e ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli nuk e shoh se ka përfunduar ky projekt në Kosovë, sepse Kosova nuk e ka këtë komoditet dhe luks që të refuzojë një projekt të tillë”.

“Një projekt i tillë duhet të analizohet në disa dimensione. Është i pakontestuar në aspektin strategjik, ekonomik dhe është i rëndësisë së veçantë në aspektin integrues dhe kuptohet edhe në aspektin ambiental, social dhe forcimin e partneritetit strategjik. Është një projekt për të cilin amerikanët kanë bërë analiza dhe fizibilitet. Vetë fakti që është përcjellë nga MÇ-ja me një shumë prej 200 milionë eurosh për një hulumtim dhe përgatitje, por duhet të thuhet edhe fakti që po e fiton një dimension tjetër ose vlerë të shtuar. Në radhë të parë përmes këtij projekti forcohet partneriteti me SHBA-të që janë një aleat i rëndësishëm i Kosovës dhe në radhë të dytë reduktohet emetimi i CO2”.

Ekonomisti Gërxhaliu ka deklaruar se ky projekt ofron benefite për gjithë rajonin, derisa përmend faktin se edhe Greqia mosnjohëse për Kosovën është pjesë e këtij projekti.

“Mbi të gjitha po krijohet një mur energjetik që ka një vlerë tjetër ku për herë të parë Greqia është pjesë e një pozicionimi të tillë. Vetë fakti që Kosova nuk është e pranuar nga Greqia, por Greqia e pranon Kosovën që të jetë në këtë mur energjetik besoj që i jep një vlerë të shtuar”.

“U bisedua edhe për impiantet që janë në Greqi, por besoj se një projekt i tillë ka rëndësi rajonale. Besoj që Shqipëria do të jetë një përfituesit më të mëdhenj, sepse llogaritet që në Porto Romano të jetë një impiant lundrues e nga ku do të kemi lidhje me Malin e Zi. Në këtë drejtim Kosova do të jetë e furnizuar nga Shqipëria që do të jetë edhe një mundësi e re për të depërtuar ky gaz edhe në Serbi, pasi Serbia ka shprehur interes”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat