​Projeksionet e BQK-së parashikojnë rritje ekonomike 9.9% për 2021

Ekonomi

​Projeksionet e BQK-së parashikojnë rritje ekonomike 9.9% për 2021

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 15:40
Foto nga vendi i ngjarjes

Ekonomia e Kosovës, sipas projeksioneve të Bankës Qendrore, do të shënojë rritje 9.9 për qind gjatë vitit 2021, pas rënies 5.3 për qind gjatë vitit të kaluar.

Kjo u bë e ditur në shqyrtimin e raportit financiar të BQK-së gjatë vitit 2020 në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku u ngritën edhe shqetësime për rritjen e borxhit publik të vendit, problemet me kompanitë e sigurimeve, mungesën e bordit, nepotizmin në BQK dhe integritetin e këtij institucioni.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, duke paraqitur raportin, tregoi pritshmërinë për rritjen ekonomike gjatë këtij viti, derisa tha se pandemia COVID-19 ka bërë që vitin e kaluar të ketë rënie ekonomike dhe rritje të borxhit publik në 1.5 miliard euro.

Mehmeti: Do të ketë një rritje të ekonomisë prej 9.9 për qind gjatë 2021

“Projeksionet e BQK-së sugjerojnë se aktiviteti ekonomik do të rikuperohet me një ritëm mjaft të shpejtë të rritjes prej 9.9 për qind në vitin 2021. Vetëm në gjysmën e parë 2021 është shënuar një rritje e aktivitetit ekonomik prej 10.5 për qind... Borxhi publik në vitin 2020 ka arritur në 1.5 miliard euro, që është 23.9 për qind më i lartë krahasuar me 2019. Si përqindje e bruto produktit vendor, borxhi publik ka arritur në 21.8 për qind nga 17.5 për qind më 2019”, tha ai.

Raportin e BQK-së, anëtari i këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, Erman Rrahmani e quajti të gjeneralizuar, derisa pyeti guvernatorin për tërheqjen e licencës së një kompanie të sigurimit dhe nënkapitalizimin e disa kompanive të tjera të sigurimit.

Rrahmani: Sa kompani janë të nënkapitalizuara dhe pse po vazhdojnë të jenë edhe më tutje?

“Sa kompani të sigurimeve janë të nënkapitalizuara dhe pse po vazhdojnë të jetë edhe më tutje? Këtë vit i është marrë licenca kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”. Pse është lejuar një gjendje e tillë të përsëritet deri më tash”, pyeti ai.

Por, guvernatori, Mehmeti tha se vetëm një kompani e sigurimit vazhdon të jetë nënkapitalin, ndërsa gjitha të tjerat janë brenda rregullave ligjore. Derisa u paralajmërua edhe liberalizimi i tregut të sigurimeve nga zëvendësguvernatori, Sokol Havolli.

Mehmeti: Kemi vetëm një kompani të nënkapitalizuar, tjerat janë brenda rregullativës

“Unë porsa e kam marrë mandatin, kam filluar në zbatimin e masave, mirëpo duhet të kenë parasysh se duhet t’i respektojmë të gjitha procedurat me qëllim që mos të bëjmë shkelje procedurale. Kemi shkuar fillimisht me vërejtje dhe ndëshkime, kemi dhënë mundësi që të hyjë në rregullativën ligjore, kemi respektuar hapat, më pastaj kemi shkuar në proces të administrimit. Momente tjera, personi në administrim na ka dhënë paralajmërimin se kjo kompani nuk ka mundësi të rikuperohet, atëherë kemi marrë edhe vendimin. Qëllimi ka qenë të mos bëjmë shkelje në aspektin e procedurave. E përmende që një e dyta e kompanive të sigurimit janë jashtë rregullative. Ju siguroj se vetëm një kompani, e cila është në plan të sanimit dhe i ka shtuar 6 milionë euro, i kemi dhënë afat deri në fund të vitit që të shtojë edhe një pjesë prej 1.3 milion euro për të qenë në harmoni me rregullativën ligjore. Ju siguroj se asnjë kompani tjetër nuk është dhe nuk do të ketë asnjë kompani dhe institucion jashtë rregullativës”, tha Mehmeti.

Dyshime për raportin e punës së BQK-së gjatë vitit 2020 ngriti deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i cili tha se është shqetësuese qysh nga qershori i vitit të kaluar mos të zgjidhet Bordi i BQK-së.

Lekaj: Sa është valid ky dokument pasi nuk ka bord?

“A është valid ky dokument? E them për arsye se nuk funksionon bordi dhe ne nuk kemi të drejtë të merremi me guvernatorin, derisa nuk zgjidhet nga ne. Ne duhet të kërkojmë llogari nga bordi, pasi bordi e zgjedh guvernatorin. Por ky bord nuk ekziston. Mendoj se ky dokument që po trajtohet sot, nuk është valid, pasi me mungesën e bordit nuk di kush e ka aprovuar. Mendoj që bordi nuk ekziston prej qershorit 2020”, tha Lekaj.

Guvernatori i BQK-së u kritikua edhe për punësimet partiake dhe familjare në këtë institucion financiar nga deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica.

Korenica: Nga 60 pozita, 28 fillimisht kanë filluar punën me kontrata mbi vepër

“Gjithsej nga këto 60 pozita 28 fillimisht kanë filluar punën me kontrata mbi vepër, pastaj është shpallur konkursi dhe janë pranuar me kontrata të rregullta pune. Në realizmin e punësimeve, guvernatori është asistuar nga zëvendësguvernatori Sokol Havolli, i cili në shumicën e rasteve në shumicën e rasteve ka qenë njësia kërkuese për punësim”, tha Korenica.

Këto pretendime, guvernatori Mehmeti i quajti të pavërteta, teksa tha se në vitin 2019 gjitha punësimet kanë qenë me konkurs të rregullt.

Mehmeti: Për vitin 2019 të gjitha punësimet janë me konkurs

“Për punësimet që s’janë në mandatin tim nuk japim llogari. Për vitin 2019, të gjitha i ke me konkurs”, tha ai.

Kryetari i komisionit, Armend Muja, kërkoi informacione për integritetin e BQK-së, pas shkarkimit të ish-drejtorit të Inteligjencës Financiare dhe aludimeve për shpëlarje të figurave publike.

Muja: Neve na pengon trekëndëshi qoftë edhe si aludim për ‘shpëlarje figurash’

“Ne na vinë aludimet të cilat mund të jetë 50 për qind të sakta, 70 për qind të sakta. Por për neve është problematike kjo, në rast se dikush e ka një ndjenjë të rrezikut të raportojë diçka që shkel normat ligjore, nga një trekëndësh për ‘shpëlarje dhe larje figurash’, kjo na pengon neve dhe nuk do ta lejojmë”, tha ai.

Zëvendësguvernatori, Sokol Havolli, tha se integriteti i këtij institucioni është i rëndësishëm.

Havolli: Integriteti i BQK-së dhe sistemi financiar është kurrizi i ekonomisë së vendit

“Lidhur me temën shpëlarje dhe larje e figurave, unë do t’i kisha lutur të merrni procesverbalin e bordit që mbikëqyrë Njësinë e Inteligjencës Financiare, aty pozicioni i BQK-së i jep rëndësi, siç e bëni edhe ju integritetit edhe të Njësinë e Inteligjencës Financiare edhe integritetit të sistemit financiar. Argumentimi ynë ka qenë se qoftë edhe në aludime se dikush mendon se po keqpërdorin sistemi financiar për BQK-në kjo është e papranueshme. Integriteti i BQK-së dhe sistemi financiar është kurrizi i ekonomisë së vendit”, shtoi ai.

Ani pse në agjendë të komisionit ishin edhe pika të tjera, të njëjtat u shtynë për shqyrtim për javën e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat