Alarm për Qeverinë/Eksperti i ekonomisë thotë se po rëndohet gjendja e qytetarëve, ka një paralajmërim

Ekonomi

Alarm për Qeverinë/Eksperti i ekonomisë thotë se po rëndohet gjendja e qytetarëve, ka një paralajmërim

Nga: G.B Më: 23 tetor 2021 Në ora: 15:52
Foto ilustruese

Në Kosovë së fundmi janë rritur çmimet në shumë sektorë, përpos në gjërat ushqimore, që janë esenciale.

Qytetarët vazhdimisht ankohen për ngritjen e çmimeve, derisa pagat janë të ulëta dhe të pamjaftueshme për t'i mbuluar të gjitha shpenzimet e nevojshme.

Përpos kësaj, në Kosovë ka një përqindje mjaft të lartë të të papunëve dhe po ashtu varfëria është në shkallë mjaft të lartë.

Për gjithë këtë, për gazetën "Bota sot" ka folur eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj.

Ai ka thënë se mirëqenia e qytetarëve të Kosovës po rëndohet vazhdimisht.

Image
Mustafë Kadriaj

"Mirëqenia e Kosovës çdo ditë e më shumë po rëndohet si rezultat i grumbullimit të një keq qeverisje që nga paslufta, me ose pa vetëdije por që tani kur flasim në njërën anë kemi pandeminë që ende po na shoqëron, njëherësh kemi zhvillimin jo të kënaqshëm ekonomik, papunësia ende e lartë dhe kjo reflekton në mirëqenie të ulët, derisa jetën e rëndon ngritja e vazhdueshme e çmimeve si në konsum ditor tekstil derivate", është shprehur ai.

Sipas tij, situata në të cilën janë qytetarët e Kosovës duhet të jetë alarm për qeverinë aktuale që të bëjë reforma në ekonomi dhe ta kthejë perspektivën në vend.

"Pra, në situatën çfarë po kalon qytetari i Kosovës, duhet të jetë alarm për qeverinë aktuale dhe si duket qeveria aktuale ende po merret me të kaluarën por duhet ta ketë të qartë se qytetari ia ka dhënë besimin për të lehtësuar jetën e jo për të vajtuar. Është imediate për qeverinë që të bënë reforma ekonomike në vend, për t'i i kthyer perspektivën dhe mirëqenien në vend duke përkrahur bizneset, njëherësh duke rritur pagën minimale që do të rezultonte me rritjen e konsumit në vend dhe rritjen e mirëqenies së qytetarit", ka vlerësuar Kadriaj.

Ai madje paralajmëron edhe ikje të qytetarëve jashtë Kosovës, nëse vazhdon një gjendje e tillë dhe qeveria nuk bën asgjë që t'i ndalojë ata drejt ikjes dhe të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

"Në situatën çfarë jemi, nëse nuk merren hapa të shpejt, vlerësoj se qytetari një hap e para do të tentojë që të largohet, kam frikë se do të ndodhë një largim si në vitin 2015, pra nëse kjo qeveri nuk arrin që të kthejë perspektivën e qytetarit, njëherësh duke stopuar ndaljen e largimit të fuqisë punëtore nga vendi, vlerësoj se do të jetë qeveria më zhgënjyese për qytetarin, për faktin se ka ardhur me premtime të mëdha që ka rezultuar me një përkrahje masive. Uroj që të reflektojë tani e tutje, por deri më tani vetëm ka zhurmë por jeta e qytetarit po rëndohet çdo ditë e më shumë", ka deklaruar Mustafë Kadriaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat