Gërxhaliu: Rritja e çmimeve në vend të pasojë me rritjen e pagave

Ekonomi

Gërxhaliu: Rritja e çmimeve në vend të pasojë me rritjen e pagave

Më: 25 tetor 2021 Në ora: 09:21
Safet Gerxhaliu

Derisa çmimet e shumë artikujve po rriten në mënyrë të pakontrolluar, institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme edhe për rritjen e pagave.

Kështu tha eksperti i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, sipas të cilit, rritja e pagave duhet të jetë çështje me prioritet qoftë në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Çmimet në Kosovë po rriten çdo ditë, sidomos në periudhën e fundit. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga shtatori i viti 2020 deri në shtatorin e këtij viti norma vjetore e inflacionit ishte 4.9%.  Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të përgjithshëm si në drithëra (1.5%); mish (1.9%); qumësht, djathë dhe vezë (7.7%); vajra dhe yndyra ushqimore (28.2%); perime (19.7%), gaz (10.6%); karburante dhe lubrifikante  26.7%.... etj. Trendi i rritjeve po vazhdon edhe në muajin tetor.

Një pensionist nga Prishtina thotë se nuk e di nëse do të mund të ia dalin me këto rritje të çmimeve pasi pagat janë shumë të ulëta.

“Pensionet me vite nuk kanë lëvizur, pensionet gjithashtu, çmimet janë të larta.Nuk e di si do ia dalim” u shpreh ai. 

Eksperti i pavarur i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, itha se për arsye të rritjes së pakontrolluar të çmimeve në vend duhet të rriten edhe pagat.

"Kemi rritje të pa kontrolluar të çmimeve, ngrirje të pagave qoftë të sektorit privat, publik, qoftë administrate , prandaj nëse kemi këtë trend inflacioni, atëherë duhet kemi prioritet ngritjen e pagave. Nëse analizoni vendet e tjera si Shqipëria, Italia, Franca,  kanë marrë masa për të nivelizuar këto përvoja duke paguar faturat elektrike, duke mbështetur familjet me 100 euro çdo muaj apo në forma të ndryshme por në Kosovë një gjë e tillë nuk duket. Kosova po vonohet për ta zënë hapin".

Gërxhaliu po i konsideron të gabuara statistikat e publikuara nga institucionet financiare të vendit. Sipas tij, gjendje faktike nuk përkon me statistikat e publikuara. 

“Kur dëgjon raporte te institucioneve financiare lind pyetja, ku po jetojmë dhe vetë fakti se rritja ekonomike dhe rimëkëmbja po bazohet vetëm në një indikator të konsumit atëherë vërtet është një çështje paradoksale. Kosovës nuk i duhet rritje ekonomike dy apo tre shifrore, se është e pamundur, Kosovës i duhet rritje substanciale dhe ajo është kur kemi rritje 2,3 apo 4% por ku janë të përfshirë shumë indikatorë dhe jo i vetmi  indikator të jetë konsumi". 

Gerxhaliu tha se nuk mund të flitet për rimëkëmbje kur çmimet janë rritur në mënyrë të pakontrolluar. 

Prandaj, sipas tij, shteti duhet  që t’u ndihmojë familjeve të varfra për arsye se vend ka rritje të varfërisë ekstreme.

Kujtojmë se paga minimale në Kosovë është më e ulëta në rajon. Ajo aktualisht është 170 euro për të punësuarit mbi moshën 35 vjeçare dhe 130 euro për ata nën këtë moshë.

Kjo pagë nuk e mbulon as për së afërmi minimumin e nevojshëm për jetë.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat