Përplasja sindikata-qeveri, eksperti i ekonomisë thotë se janë bërë "pazare" në Ligjin për Pagat

Ekonomi

Përplasja sindikata-qeveri, eksperti i ekonomisë thotë se janë bërë "pazare" në Ligjin për Pagat

Nga: H.O. Më: 12 dhjetor 2021 Në ora: 17:15
Bardh Ahmeti

Sindikatat e kanë paralajmëruar Kryeministrin Albin Kurti që t’ua bëj një zgjidhje, në të kundërtën do të ndërmarrin masa duke bojkotuar punën e tyre. Megjithatë qeveria ende nuk ka dalë me ndonjë vendim lidhur me kërkesat e përfaqësuesve të sindikatave.

Këto kërkesa të tyre ia ka komentuar eksperti i ekonomisë, Bardh Ahmeti. Ai në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se këto përplasje në mes të Qeverisë dhe sindikatave kanë disa arsye, e njëra nga to ka të bëjë me Ligjin e Pagave.

“I gjithë ky debat mes sindikatave dhe Qeverisë, buron nga neglizhenca dhe ndërhyrjet e vazhdueshme që janë bërë në Ligjin e Pagave. Gjatë hartimit të tij, ka kategori që janë nënvlerësuar dhe ka të tilla që janë mbi-vlerësuar. Në faza të caktuara, është bërë pak “pazar”, kush ka pasur përfaqësues në grup punues ka përfituar, e kush jo është dëmtuar”, vlerëson ai.

Ahmeti thotë se hartuesit e këtij ligji, duhet t’i kenë parasysh ato kuadro profesionale të cilat dita ditës janë në mungesë, po largohen nga vendi ynë, si dhe po kërkohen nga vendet e BE-së, si dhe në të njëjtën kohë ata, të cilët pavarësisht kushteve më të mira se vendet e rajonit, nuk është se kanë treguar rezultate.

“Ky debat, vjen edhe si rezultat i mos funksionimit të Këshillit Nacional për Dialog Social. Në kushte normale këto do të zgjidheshin aty. Mbi të gjitha, për orientimin tim ekonomik, ky debat shkon në dëm dhe në kurriz të sektorit privat, kontribuuesit kryesor të buxhetit të shtetit. Përderisa, orientimi kryesor zhvillimor do të duhej të ishte forcimi i sektorit privat, si derivat i zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies socio-ekonomike në vend, të gjitha energjitë harxhohen për punësimet në sektorin publik”, vlerëson ai.

Po ashtu, Ahmeti thotë se rritja e pagave nuk është përcjellë njëjtë si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Sipas tij, detyra e sindikatave është avokimi i të drejtave të anëtarëve të tyre, ndërsa roli i qeverisë, leximi i drejtë i kërkesave të tyre.

“Ndër vite, rritja e pagave në sektorin publik, nuk është përcjellur edhe në sektorin privat. Këtë e dëshmon edhe niveli i pagës mesatare në vend, mes asaj publike dhe private. Në detyrën e sindikatave është avokimi për të drejtat e anëtarëve të tyre, ndërkohë në të drejtën e Qeverisë është leximi i drejtë i kërkesave të tyre dhe treguesve kryesor makro-ekonomik në vend, duke përcjellur trendin e zhvillimit ekonomik në vend, inflacionin, stabilitetin financiar të vendit, si dhe bazuar në trendet e rajonit, të punohet në drejtimin e zhvillimit të gjithmbarshëm socio-ekonomik të vendit, duke mos përjashtuar as sektorin privat”, thotë ai.

Tutje, Ahmeti thotë për ‘Bota sot’ se, vetëm me rishikimin e ligjit të pagave do të arrihej një marrëveshje për të mënjanuar pakënaqësitë e të dyja palëve.

“Besoj, që arsyeshmëria e sindikalistëve dhe Qeverisë do të arrihej nëse do të bëhej një rishikim dhe miratim i Ligjit të Pagave, për ti mënjanuar të gjitha pakënaqësitë, mbi bazën e argumenteve, nuk besoj që asnjëra palë do t’i kontribuonte krizës sociale në vend. Askush nuk është i lumtur kur pacientët kthehen nga spitalet se punonjësit janë në grevë, e nxënësit mbeten rrugëve nga greva e mësimdhënësve”, thekson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat