Në CEFTA refuzohet kërkesa që Kosova të përfaqësohet pa UNMIK-un

Ekonomi

Në CEFTA refuzohet kërkesa që Kosova të përfaqësohet pa UNMIK-un

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 18:57
Rozeta Hajdari

Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s ka refuzuar kërkesën e Kosovës që në këtë marrëveshje të përfaqësohet pa përfshirjen e UNMIK-ut, ka njoftuar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se vendimi ka dalë nga mbledhja e fundit për vitin 2021. Ministria ka njoftuar se letra e ministres Rozeta Hajdari, e dërguar më 24 shtator, që kërkonte që Kosova të përfaqësohej si e pavarur, u fut në rend dite edhe pse u pengua nga pala serbe. Kundër shqyrtimit të letrës ka qenë edhe Mali i Zi. Megjithatë, kryesuesi i CEFTA-s, ministri i Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi, nuk lejoi që të pamundësohet arsyetimi i Kosovës.

“Komiteti i Përbashkët nuk miratoi letrën e Ministres Hajdari, për mungesë të konsensusit. Ndërkaq Kosova kundërshtoi miratimin e konkluzioneve ministrore dhe të tri propozim-vendimeve, duke përfshirë vendimin e propozuar nga Serbia për njohjen e programit të operatorëve ekonomikë të autorizuar si dhe buxhetin nga i cili paguhet stafi i sekretariatit të CEFTA-s”, thuhet në njoftim të Ministrisë

Minstrja Hajdari ka thënë se kërkesa e Kosovës s’duhet të shihet si çështje politike, por domosdoshmëri që do të lehtësonte çështjet tregtare të pazgjidhura.

Kjo ministri ka thënë se në kundërshtim të qëndrimeve të Kosovës, autoritetet e Serbisë po ndalojnë tani kalimin transit të mallrave. “Eksportuesit kosovarë nuk po arrijnë të realizojnë porositë nga vendet evropiane, sidomos Gjermania dhe Zvicra”, thuhet në reagim të ministrisë. Ministria ka thënë se barrierat e Serbisë do t’i paraqesë te partnerët në Bruksel.

UNMIK-u, si mision i përkohshëm i OKB-së, ka nënshkruar Marrëveshjen e CEFTA-s më 2006 në emër të Kosovës. UNMIK-u asokohe ka deponuar deklaratë sipas të cilës vlefshmëria e marrëveshjes së CEFTA-s do të varet nga autoritetet e ardhshme të Kosovës.

Image
Dokumenti
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat