Kriza ekonomike/Eksperti flet për gjendjen në Kosovë, si duhet të veprojë Qeveria në vitin 2022

Ekonomi

Kriza ekonomike/Eksperti flet për gjendjen në Kosovë, si duhet të veprojë Qeveria në vitin 2022

Nga: G.B Më: 3 janar 2022 Në ora: 11:26
Qeveria e Kosovës

Gjendja me pandeminë ka ndikuar shumë në sektorin e ekonomisë në Kosovë, sikur edhe në botë.

Shumë njerëz kanë humbur vendet e punës e shumë biznese janë mbyllur për shkak të pandemisë së Covid-19.

Në anën tjetër, nga qeveria kanë deklaruar se ka pasur rritje ekonomike dhe vitin që lamë pas kemi 10 mijë të punësuar.

Për këtë dhe ekonominë gjatë vitit 2021, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i ekonomisë, Bardh Ahmeti, i cili ka thënë se ajo ka pasur luhatje

“Ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2021 ka pasur luhatje, fillimisht kishim rrëzimin e Qeverisë nga Gjykata Kushtetuese, pastaj zgjedhjet parlamentare, deri ne konsolidimin e institucioneve, me një shumicë të fortë në numra dhe që do të duhej të garantonte stabilitet institucional dhe politik në vend, pas shumë zgjedhjeve që kemi kaluar viteve të fundit, e sigurisht për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm stabiliteti politik dhe institucional është i domosdoshëm”, ka theksuar ai.

Image
Bardh Ahmeti

Sipas Ahmetit, kemi qenë të ndikuar nga trendët globale si në aspektin pandemike, ashtu edhe atë ekonomik, derisa përmend dhe krizën energjetike që po ashtu është në gjithë botën.

“Pastaj, këtë vit, si kurrë më parë kemi qenë të ndikuar nga trendet globale, globalizimi, sikur në aspektin pandemik me COVID-19, po ashtu edhe me trendet ekonomike, sikurse inflacioni që aktualisht po kalojmë, ku kemi ngritje të theksuar të çmimeve të konsumit dhe jo vetëm. Problemet me zinxhirin e furnizimeve, transporti ndërkombëtar, mungesa e prodhimeve në vendet kyçe, ishin trendet globale që afektuan edhe ekonominë e Kosovës. Oferta dhe kërkesa ishin në ç‘ekuilibër, si pasojë po kalojmë këtë inflacion. Në këtë pjesë, me shumë rëndësi duhet të theksohet kriza me energjinë që po kalojmë, edhe kjo si trend global i krizës energjetike. Situatën në vendin tonë e shkakton varësia e lartë që kemi ndaj importit të energjisë elektrike, prodhimi i vogël krahasuar me kërkesën, sidomos gjatë stinës së dimrit dhe periudhës së festave te fund vitit. Infrastruktura e vjetërsuar e Kosovës A dhe B na bën që ta kemi me rrezik çështjen e sigurisë energjetike. Sigurisht, institucionet duhet që me kohë, gjatë stinës së pranverës, të kontraktojnë me çmime të favorshme furnizimin e energjisë për stinën e dimrit, kjo praktikë është përdorur në vendin tonë ndër vite. Kurse, në këto rrethana të krizës globale, edhe përkundër kontraktimit të hershëm do të mund të përballeshim me krizë, por e sigurt është që çmimet do të mund të fiksoheshin”, ka vlerësuar Ahmeti.

Eksperti i ekonomisë ka potencuar se bilanci tregtar vazhdon të jetë negativ në dëm të ekonomisë derisa thotë se në dëm të ekonomisë ka ndikuar edhe dialogu me Serbinë.

“Bilanci tregtar vazhdon të jetë negativ, në shifra të larta, në dëm të ekonomisë tonë. Ndonëse, kemi pasur rritje të eksporteve nga produktet e prodhuara në vendin tonë. Prodhuesit vendor, përveç sfidave të brendshme vazhdojnë të ballafaqohen me barriera të shumta, kryesisht me prapavijë politike nga Serbia. Dialogu me Serbinë, këtë vit nuk i ka kontribuar zgjidhjes së ndonjë çështjeje, përkundrazi besoj që ka frenuar edhe më tej potencialin ekonomik të vendit tonë, si dhe ka marrë fokusin në agjendën politike dhe zhvillimore të vendit. Vendi është karakterizuar me stabilitet makro-fiskale, ka pasur rritje të të hyrave buxhetore, sektor financiar stabil, por mungesë në realizimin e projekteve kapitale, në shumë raste si pengesë e procedurave të prokurimit. Remitencat kanë vazhduar të vijnë në vendin tonë, nga diaspora jonë, në nivel rekord, si një nga arsyet që kemi pasur në situata të caktuara rritje të kërkesës agregate në treg”, ka thënë Bardh Ahmeti për “Bota sot”.

Ndihma nga pakot e rimëkëmbjes nga Qeveritë Hoti dhe Kurti

Por, sa ka qenë sfidë rimëkëmbja e ekonomisë, me pandeminë e Covid të pranishme në Kosovë sikur edhe në shtetet e botës?

Ai vlerëson se rimëkëmbja ka qenë sfiduese për shkak të pandemisë derisa kanë ndihmuar pakot e rimëkëmbjes nga të dy qeveritë gjatë kësaj periudhe.

“Variantet e reja të COVID-19, në periudha të caktuara të vitit 2021, kanë shkaktuar dëme të mëdha në vendin tonë, fillimisht në njerëz, stër-mbushje të kapaciteteve spitalore, si dhe pastaj edhe në ekonominë e vendit dhe procesin mësimor/akademik. Rimëkëmbja ekonomike ka qenë sfiduese, por fillimisht disa instrumente të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike të Qeverisë Hoti, pastaj edhe Pakoja për Ringjallje Ekonomike e Qeverisë Kurti II, kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e kërkesës në treg, kthimin e besimit të konsumatorit dhe ekonomisë, stabilizimin e prodhimit në vend, si dhe bilancit buxhetor të vendit. Sektorët e gastronomisë, turizmit, transportit, bujqësisë, kanë qenë më i prekuri nga masat për menaxhimin e situatës pandemike, mirëpo ka qenë e domosdoshme për ruajtjen e shëndetit publik”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka komentuar edhe shifrat nga kryeministri dhe ministrat për ngritjen e ekonomisë dhe vendet e reja të punës.

“Krahasuar me vitin 2020, kur goditja në ekonomi nga pandemia e COVID-19 ishte e fortë, gjatë vitit 2021 sigurisht kemi rritje dhe trend pozitiv të GDP-së, e shoqëruar me rritje të inflacionit. Sa i përket hapjes së vendeve të punës, është një trajektore vjetore e rritjes e cila ndiqet, por një pjesë e kësaj rritje ka të bëjë me formalizmin e vendeve të punës për të përfituar nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike. Papunësia në vend mbetet e lartë, sipas të dhënave zyrtare mbi 25%, e ku pjesëmarrja më e lartë është tek të rinjtë, me theks tek femrat”, ka shpjeguar eksperti i ekonomisë.

A ka pasur rënie apo ngritje të ekonomisë gjatë vitit që po lëmë pas?

Ahmeti thotë se krahasuar me vitin 2020, në vitin 2021 ka pasur ngritje të ekonomisë derisa shpreson që të shkohet me hapa më të shpejt drejt një zhvillimi të qëndrueshëm.

“Vitin që po e lëmë pas, krahasuar me vitin 2020 ka pasur ngritje të ekonomisë, pak a shumë kemi kthim në realitetin ekonomik të para pandemisë, por urojmë që pandemia të merr fund dhe të shkojmë tutje me hapa të shpejtë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. Agjenda e institucioneve në fushën ekonomike duhet të intensifikohet, me projekte të mëdha kapitale, nxitje të agjendës së përafrimit me Bashkimin Evropian, diplomaci ekonomike në vendet me interes strategjik për shtetin tonë, shfrytëzim të kanaleve tregtare”, ka deklaruar Bardh Ameti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat