Llugaliu: Dogana e Kosovës ka pasur 1.37 miliard euro të hyra gjatë vitit të kaluar

Ekonomi

Llugaliu: Dogana e Kosovës ka pasur 1.37 miliard euro të hyra gjatë vitit të kaluar

Më: 6 janar 2022 Në ora: 11:49
Agron Llugaliu

Të hyrat gjatë vitit të kaluar në Doganën e Kosovës kanë qenë 320 milionë euro më shumë se vitin paraprak. Gjatë vitit që shkoi importi ka shënuar rritje me vlerë 4,6 miliardë euro, ndërkaq edhe eksporti ka pasur rritje prej 62 për qind krahasuar me vitin 2020.

Gjatë prezantimit të rezultateve të Doganës, ministri i Financave Hekuran Murati theksoi se gjatë vitit të kaluar është shënuar rekord në të hyra dhe se prioritet për shtetin mbetet luftimi i kontrabandës.

Murati: Ka rritje të efikasitetit në luftimin e korrupsionit

“Të hyrat kanë arritur në një nivel të jashtëzakonshëm. Ka pasur performancë më të mirë në mbledhje. Kemi indikatorë dhe performancë shumë më të mirë edhe në tregtinë e jashtme duke nënkuptuar këtu eksportin, pra është shënuar edhe këtu një rekord sa i përket eksportit me mbi 700 milionë euro. Kurse sa i përket mbledhës së të hyrave, ka edhe rritje të efikasitetit në luftimin e kontrabandës dhe kjo nënkupton një siguri më të madhe për të gjitha bizneseve, sepse tani e tutje mund të flitet për një fushë të barabartë të lojës ku nuk ka trajtime preferenciale dhe lëshime të tilla nga ana e shtetit”, ka thënë Murati.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu tha se viti i kaluar ka qenë i brishtë për nga sfidat, por u zotua se kanë arritur objektivat e këtij institucioni.

Sipas tij, shteti kryesor ku kanë eksportuar gjatë vitit janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 126 milionë euro.

Llugaliu: Kemi arritur që të kemi të hyra prej 1 miliard e 371 milionë

“Kemi arritur që të kemi të hyra prej 1 miliard e 371 milionë. Kjo shënon një rritje prej 322 milionë më shumë se sa viti 2020, në përqindje kjo i bie se kemi pasur 30,7 për qind më shumë të hyra. Me qëllim që të jemi fer edhe në krahasimet me vitin paraprak, vitin 2019 që nuk ka pasur ndikime nga pandemia edhe rrjedhimit kemi pasur më shumë të hyra edhe se sa viti 2019, me 16,2 për qind ose 198 milionë më shumë të hyra. Ky trend i rritjes tejkalon të gjitha trendet e rritjeve të më hershme vit për vit”, ka shtuar ai.

Më tej, Llugaliu ka folur edhe për përqindjen e importit dhe eksportit gjatë vitit 2021. Sipas tij, importi i lëndës së parë ka shënuar rritje prej 19 për qind, ndërkaq importi i derivateve me lirim ka shënuar rënie prej 12 për qind.

Llugaliu: Kemi pasur import prej 4,6 miliardë euro gjatë vitit

“Te importi kemi pasur 4,6 miliardë euro import gjatë këtij viti, krahasuar me 3,2 dhe 3,5 në vitet paraprake. Eksporti ka treguar një rritje të konsiderueshme që është e pashembullt me vitet paraprake. Rritja ka qenë prej 62 për qind krahasuar me vitin 2020, ndërsa 104 për qind krahasuar me vitin 2019. Dogana e Kosovës i ka kushtuar rëndësi edhe luftimit të informalitetit. Si rezultat i përpjekjeve tona kemi pasur tek mallrat e konfiskuara kemi pasur nga 4,3 milionë në vitin paraprak, 9 milionë në vitin 2021. Që është një rritje prej 109 për qind”, ka deklaruar ai.

Drejtori i Doganës së Kosovës ka shtuar se gjatë vitit të kaluar kanë arritur një rezultat të parandalimit prej më shumë se 11 milionë euro në fusha të ndryshme.

Llugaliu: Kemi pasur 13 arrestime në fushën e krimeve penale

“Tek hetimet i kemi pasur 13 persona të arrestuar në fushën e krimeve penale që bien tek Dogana e Kosovës, krahasuar me 3 sa kanë qenë në vitin paraprak[...]Kemi pasur 48 raste të zbulimit të narkotikëve të ndryshëm. Në sasi kanë qenë 52 kilogramë marihuanë dhe 8,9 kilogramë kokainë. Gjithashtu kemi pasur 57 raste të zbuluara me armë dhe gjësende të tjera të ndaluara”, ka shtuar ai më tej.

Në prezantimin e rezultatit të punës së Doganës së Kosovës, u tha se ka pasur rritje të prodhimit të brendshëm prej më shumë se 50 për qind. Drejtori Agron Llugaliu theksoi se ka pasur rënie të ankesave të bizneseve në 15 për qind më pak. Ai ka shtuar se gjatë kësaj kohe janë shqiptuar edhe 25 masa, nëntë zyrtarë të suspenduar për shkelje të detyrës zyrtare.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat