​ASK: Në dhjetor të vitit 2021 eksporti mbuloi importin me 14.1%

Ekonomi

​ASK: Në dhjetor të vitit 2021 eksporti mbuloi importin me 14.1%

Më: 25 janar 2022 Në ora: 12:45
Agjencia e Statistikave të Kosovës

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2021, sipas të cilave del se ka pasur një deficit tregtar më të lartë për 27.8 % në muajin dhjetor 2021 në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Në një komunikatë për media ASK ka bërë të ditur se eksporti mbulon importin me 14.1 %.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 27.8% në muajin dhjetor 2021, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 394.9 milion Euro, krahasuar me deficitin 309.1 milion Euro në vitin 2020. Eksporti mbulon importin me 14.1%”, thuhet në komunikatë.

Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2021 kishte vlerën 65.0 milion euro, ndërsa importi 460.0 milion euro, që është një rritje prej 39.3 % për eksport dhe 29.3 % për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 30.5% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 22.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.8 % e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.1% e përbëjnë produktet minerale; 3.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj. Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.0% e përbëjnë produktet minerale; 14.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.6% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 6.8% e përbëjnë produktet e industrisë kimike, etj”, bën të ditur ASK.

Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 17.2 milion euro, ose rreth 26.5 % e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 43.5 %. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9.4 %), Italia (2.9 %), Holanda (2.3 %), etj. Ndërkaq sa i përket importit të Kosovës nga vendet e BE-së (27) ASK thekson se ishin rreth 210.6 milion euro, ose 45.8 % e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.4 %. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.0 %), Italia (7.2 %), Sllovenia (4.7 %), Greqia (4.3 %), etj.

Në muajin dhjetor 2021, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 22.8 milion Euro, ose 35.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-1.0%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (13.5%), Maqedonia e Veriut (13.3%), Serbia (5.4), dhe Mali i Zi (2.0%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin dhjetor 2021, arritën në 79.4 milion Euro, ose 17.3% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 14.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.4%), Maqedonia e Veriut (5.2%), dhe Shqipëria (4.3%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 24.9 milion Euro, ose 38.4%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (25.9%), dhe Zvicra (6.6%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 169.9 milion Euro, ose 37.0%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.4%) dhe Kina (11.0%).

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat