Mos pagesa e rrymës në veri, paralajmëron eksperti i ekonomisë, ja çfarë mund të ndodhë

Ekonomi

Mos pagesa e rrymës në veri, paralajmëron eksperti i ekonomisë, ja çfarë mund të ndodhë

Nga: G.B Më: 12 shkurt 2022 Në ora: 14:28
Njehsorë të energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut. 9 shkurt 2022/Rel

Ani pse qytetarët e Kosovës do të paguajnë energjinë elektrike më shtrenjtë që nga data 9 shkurt 2022 derisa me 31 mars 2023, kjo nuk vlen edhe për qytetarët e Kosovës në veri.

Rrymën ata nuk e paguajnë prej 20 vitesh e do të vazhdojnë të mos e paguajnë edhe më tutje, qoftë me apo pa ngritje të çmimit të saj.

Ky është një problem politik që nuk dihet se kur do të mund të zgjidhet.

Ndërsa, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike janë mbajtur protesta dhe të tilla janë paralajmëruar në ditët në vijim, si mënyrë për ta kundërshtuar këtë vendim të ZRRE-së.

E kundër këtij vendimi është edhe eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj.

Image
Mustafë Kadriaj

Duke folur për gazetën “Bota sot” për këtë temë, ai paralajmëron se mund të ketë revoltë të popullit, pasi serbët e veriut nuk e paguajnë rrymën.

“Tanimë shtrenjtimi i energjisë elektrike është një fakt që qytetari duhet të përballet nga muaji tjetër, që padyshim do ta rëndojë jetën e qytetarit. Por, duke marrë parasysh presionin e dobët nga ana e qytetarit me vetëm dy protesta, të cilat nuk përçuan mesazhin e pakënaqësisë te institucionet relevante, ndërsa presioni i partive opozitare është i papërfillshëm nga ana e qeverisë për fatin që e kaluara e tyre në qeverisje i bën jo serioz, ndërsa deklarata e Presidentes së vendit është vetëm sa për të shfajësuar vetveten”, është shprehur ai.

Sipas tij, qytetari nuk ka asnjë përfaqësues që të ngre zërin në emër të tij dhe kështu ZRRE-ja dhe Qeveria kanë komoditet për të marrë vendime të tilla.

“Qytetari nuk ka asnjë përfaqësues serioz që ta ngre zërin në emër të tij, derisa kemi një opozitë jo kredibile dhe një Presidente të shantazhuar nga Qeveria aktuale, pra derisa kemi qytetari të fjetur, kjo i jep komoditet ZRRE-së dhe Qeverisë që të marrin vendime, të cilat e largojnë barrën nga Qeveria dhe e ngarkojnë portofolin e qytetarit duke rënduar çdo ditë e më shumë jetën e qytetarit”, vlerëson Kadriaj.

Sa i përket çështjes së veriut që nuk preket nga ngritja e çmimit të rrymës, profesori thotë se po përdoren standarde të dyfishta për qytetarët e Kosovës dhe kështu qytetarët në veri nuk e njohin Kosovën si shtet e për këtë ai thotë se është edhe rrezik pasi mund të sjellë revoltë në popull.

“Me këtë sjellje, institucionet në Kosovë po provokojnë rëndë qytetarin, duke u sjellë në standarde të dyfishta, për faktin se qytetarët në veri nuk e njohin Kosovën shtet, nuk përfillin asnjë institucion të Republikës, ndërsa janë të liruar nga të gjitha shërbimet komunale, në këtë rast edhe të energjisë elektrike. Pra, sipas kësaj logjike për të qenë të favorizuar si qytetarë nuk duhet t’i përfillësh institucionet. Pra, kjo logjikë e të vepruarit nga ana e qeverisë është me rrezik për faktin që mund të këtë revoltë gjithëpopullore, e cila do të dëmtonte rëndë shtetësinë e Kosovës, pra duhet të jetë një thirrje për Qeverinë dhe ZRRE-në që t’i rishikojnë edhe njëherë tarifat e energjisë elektrike”, deklaron Mustafë Kadriaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat