Oda Amerikane e shqetësuar për rangimin e Kosovës në Indeksin e Lirisë Ekonomike

Ekonomi

Oda Amerikane e shqetësuar për rangimin e Kosovës në Indeksin e Lirisë Ekonomike

Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 12:21
Foto ilustrim

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë Ekonomike të Heritage Foundation për vitin 2022, ku vlerësimi i përgjithshëm i Kosovës është nën mesataren rajonale.

”Në një kohë kur Kosova ka nevojë për nxitjen dhe tërheqjen e investimeve të brendshme dhe të jashtme, vlerësimi i ulët i Kosovës për liritë ekonomike demonstron domosdoshmërinë e një qasje aktive të institucioneve të shtetit për të adresuar çështjet që lidhen me indikatorët e sundimit të ligjit, madhësinë e qeverisë dhe efikasitetit rregullativ, me fokus në çështjet pronësore, efektshmërinë gjyqësore, integritetin e qeverisë, ngarkesën tatimore, shpenzimet qeveritare, shëndetin fiskal, lirinë afariste dhe lirinë e punës”, thuhet tutje në kumtesë.

Oda Amerikane mes tjerash thotë se është veçanërisht e shqetësuar lidhur me trendin përkeqësues pesëvjeçar të lirisë ekonomike, ku vendi ka shënuar rënie në fund të kategorisë së shteteve me “Liri mesatare”, si dhe reagimin jo të duhur të Qeverisë karshi krizës Covid-19 në aspektin e rreptësisë, me renditje në vendin e 91-të globalisht, shqetësim ky i ngritur në mënyrë të vazhdueshme nga Oda Amerikane dhe organizatat e tjera të sektorit privat në vend.

Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës të ndjekë një agjendë aktive të zhvillimit ekonomik, duke adresuar në mënyrë urgjente indikatorët me vlerësim më të ulët. Duke shprehur shqetësimet lidhur me faktin se mekanizmat dialogues si Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime nuk janë mbledhur për më shumë se një vit, Oda Amerikane i kërkon Qeverisë të ketë dialog aktiv publiko-privat i cili mes tjerash i sjell përfitime vendit dhe përparimit ekonomik të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat