“Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, pasoja për Kosovën”

Ekonomi

“Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, pasoja për Kosovën”

Nga: G.B Më: 26 shkurt 2022 Në ora: 16:01
Ukrainë

Lufta në Ukrainë po jep pasojat e veta edhe në sektorët tjerë, përpos politikës.

Ekonomia është ajo që duket se do të ketë ndikim në gjithë botën.

Çmimet kanë filluar të ngriten dhe janë paralajmëruar edhe më shumë rritje të tyre.

Natyrisht se kjo ndikon edhe në Kosovë, ku për aspektin ekonomik ka folur për “Bota sot” profesori i ekonomisë, Mustafë Kadriaj.

Duke folur për këtë temë thotë se duke qenë vend importues, padyshim që lufta në Ukrainë do të ketë pasoja edhe për Kosovën.

Image
Mustafë Kadriaj

“Tanimë lufta Rusi-Ukrainë nuk është më konflikt i izoluar dhe padyshim që pritet të ketë pasoja si në aspektin gjeopolitik dhe ekonomik. Në rastin e Kosovës, padyshim se do të ketë për faktin se Kosova si një vend importues ndikimi është evident dhe frika është që në javët në vijim mund të ketë rritje të vazhdueshme të çmimeve që do ta rëndojnë më tutje jetën e qytetarit”, thotë ai.

Kadriaj shton se ndikimi do të jetë edhe në mjetet e trustit të investuara jashtë, derisa propozon që Qeveria të lejojë që qytetarët t’i tërheqin një pjesë të parave të Trustit.

“Po ashtu, do të ketë ndikim në mjetet e Trustit të investuara jashtë vendit, që në rast të krizave botërore bien aksionet, kështu që potencialisht do të ketë humbje të mjeteve të investuara që uroj, që në këtë drejtim të reflektojë Qeveria, që një përqindje të mjeteve të Trustit t’i tërheqin qytetarët, duke rritur fuqinë blerëse, njëherësh do të rritet likuiditeti financiar në vend, po ashtu gjasat për rritje ekonomike janë shumë të vogla sepse investitorët hezitojnë në rast të krizave, po ashtu Kosova cilësohet si vend jo i sigurt ku dihet që ne ende kemi konflikt të hapur me shtetin serb”, thekson profesori.

Ai thekson se mund të rriten edhe apetitet e Serbisë ndaj Kosovës, nëse NATO-ja nuk tregon qëndrim më serioz ndaj Rusisë.

“Nëse nuk do të ketë qëndrim me serioz nga NATO-ja ndaj Rusisë, vlerësoj se do të rriten edhe apetitet e shtetit serb dhe normal që ne si vend jemi më të atakuarit ku veriu është vatër e gatshme e konfliktit”, deklaron Mustafë Kadriaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat