Guvernatori Mehmeti: Megjithë problemet, rritja ekonomike e Kosovës ishte 9,9%, kurse remitencat arritën në 1.14 miliard euro

Ekonomi

Guvernatori Mehmeti: Megjithë problemet, rritja ekonomike e Kosovës ishte 9,9%, kurse remitencat arritën në 1.14 miliard euro

Më: 2 mars 2022 Në ora: 14:40
Fehmi Mehmeti

Ka më shumë se dy vite që koronavirusi ka goditur ekonominë dhe financat e shumë shteteve, përfshirë edhe Kosovën. Rol të rëndësishëm në menaxhimin e stabilitetit financiar të Kosovës ka pasur Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), e cila menjëherë pas shfaqjes së pandemisë kishte ndërmarrë masat e duhura që kjo krizë të mos ketë efekt negativ.

Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti tha se megjithë problemet rritja ekonomike e Kosovës në vitin 2021 ishte 9,9%, kurse remitencat arritën në 1.14 miliard euro.

Edhe ditët e fundit problemet që janë shfaqur me fillimin e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, BQK-ja po punon që të kemi ruajtje të stabilitetit financiar në vend. “BQK gjithherë është në shërbim të qytetarëve të Kosovës; ne gjithherë jemi gati kur është nevoja të veprojmë”, deklaroi ai. Duke pas parasysh situatën e tanishme të krijuar, BQK-ja është duke monitoruar për së afërmi zhvillimet e fundit ekonomike në botë, dhe në rast nevoje, në bashkëpunim me institucione të ndryshme ndërkombëtare, përmes takimeve të shumta që i kemi, do ndërmerren veprimet në kohën adekuate”, tha ai.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se përkundër pandemisë që ka mbretëruar mbi dy vite, Kosova me kapacitetet e veta me dhe më një rol kyç të BQK-së është trajtuar stabiliteti financiar në vend.

Ne për menaxhimin sa më të mirë të situatës dhe stabilitetit financiar në vend jemi vlerësuar pozitivisht edhe nga institucionet ndërkombëtare, siç janë: Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, KE etj.”, theksoi guvernatori Mehmeti.

Ai ka bërë me dije se në këto dy vite janë bërë shumë ndryshime që kanë ndikuar në të gjitha sektorët që janë nën mbikëqyrje të BQK-së.

Sektori bankar, përkundër rreziqeve të rritura, ka vazhduar të rrisë kreditimin dhe të ruaj shkallën e qëndrueshmërisë, ku vetëm gjatë vitit 2021, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte rreth 1.8 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 22.9 përqind, përderisa vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar në dhjetor 2021 ishte 3.75 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 15.5 përqind. Norma mesatare e interesit në kredi në dhjetor 2021 shënoi 5.8 përqind, e cila është më e ulët në krahasim me normën prej 6.01 përqind të regjistruar në dhjetor 2020. Vlen të theksohet posaçërisht cilësia e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2.3 përqind në tetor 2021. Sektori bankar vazhdon të gëzojë besim të lartë tek publiku, besim ky i shprehur edhe me rritjen e vazhdueshme të depozitave. Në dhjetor 2021, vlera e përgjithshme e depozitave ishte rreth 4.90 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 12.4 përqind. Sektori bankar vazhdon të ketë tregues të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 15.3 përqind në fund të dhjetorit, që vazhdon të jetë dukshëm mbi nivelin minimal rregullativ prej 12.0 përqind. Pozita e likuiditetit të sektorit bankar mbetet në nivel të lartë. Raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra në korrik ishte 37.4 përqind, që është lartë mbi minimumin e kërkuar rregullator prej 25.0 përqind””, theksoi ai.

Sipas tij performanca e kompanive të sigurimeve gjatë vitit 2021 ka shënuar përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara, si në aspektin e performancës financiare, ashtu edhe në kontekst të rritjes. “Rritja e performancës së sektorit të sigurimeve është edhe si rezultat i masave dhe reformave të ndërmarra nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Sektori i sigurimeve gjatë vitit 2021, përveç përmirësimit në treguesit financiarë dhe në kapitalizim ka pasur lëvizje pozitive edhe në qeverisjen korporative në kompanitë e sigurimit. Bazuar në të dhënat e fundit preliminare, të raportuara nga sektori i sigurimeve të datës 31 dhjetor 2021, të hyrat nga primet e shkruara bruto arritën në shumë prej 119.2 milionë euro, ose 17.2 përqind më të larta se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa, numri i kontratave apo policave të shkruara arriti në rreth 1.2 milionë kontrata, duke shënuar rritje prej 40.1 përqind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2020. Sigurimet e aktivitetit të Jo-Jetë vazhdojnë të kenë pjesëmarrje më të lartë në gjithsej primet e shkruara bruto. Primet e shkruara bruto nga aktiviteti i Jo-Jetë marrin pjesë me rreth 95.9 përqind të vëllimit të përgjithshëm të primeve të shkruara bruto në nivel të sektorit të sigurimeve, ndërsa sigurimet e aktivitetit Jetë kanë pjesëmarrje në gjithsej primet e shkruara bruto të sektorit prej 4.1 përqind. Bazuar në të dhënat e fundit në dispozicion, të datës 30 shtator 2021, sektori i sigurimeve në vend rezultoi me perfomancë financiare pozitive prej 5.9 milionë euro, krahasuar me 3.4 milionë euro sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, tha ai.

Investimet e huaja direkte në Kosovë deri në nëntor 2021, sipas BQK-së kanë arritur në 485 milionë euro. “Investimet e huaja direkte janë rritur në krahasim me një vit më parë, pra investime kemi më shumë në fushën e patundshmërisë. Është më tepër se e nevojshme ta ndërrojmë fushën e investimeve dhe të kemi investime, më shumë aty ku krijohet zhvillim dhe gjenerim i vendeve të reja të punës”, tha ai.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës këtë fillim vit ka rishikuar tarifat që i aplikon ndaj bankave për transaksionet e ndërsjella monetare. “Rrjedhimisht, është zvogëluar tarifa për depozitimin e monedhave metalike të denominuara në euro në BQK nga 5.00% në 3.75%. Ky ndryshim do të jetë efektiv nga data 1 mars 2022”, tha ai.

Guvernatori Mehmeti ka folur edhe sa i përket zhvillimeve të brendshme, ku theksoi se “BQK-ja edhe gjatë vitit 2021 ka vazhduar me avancimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj profesionale në të gjitha fushat e veprimit të saj, si dhe me harmonizimin e kornizës rregullative me praktikat dhe standardet bashkëkohore ndërkombëtare. Gjithashtu, përkundër situatës së krijuar viteve të fundit, performanca e përgjithshme financiare e BQK-së për vitin 2021 ka qenë shumë e mirë, duke arritur rezultat financiar pozitiv, rezultat ky më i kënaqshmi në mbi 10 vitet e fundit”, pohoi ai.

Me qëllim të ruajtjes së mëtejme të stabilitetit financiar në vend, është i domosdoshëm koordinimi ndërinstitucional në vend dhe përkrahja nga institucionet relevante si Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës”, tha guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat