​BQK: Rritja ekonomike vlerësohet të jetë 10.5 përqind

Ekonomi

​BQK: Rritja ekonomike vlerësohet të jetë 10.5 përqind

Më: 22 mars 2022 Në ora: 11:14 Përditësuar në ora: 13:57 më 22.03.2022
Fehmi Mehmeti

Mehmeti: 10.5% rritja ekonomike, kontribuues edhe sektori bankar e diaspora

Kosova po del të ketë një rritje ekonomike edhe më të madhe se 9.9 përqind, ani se guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti pati përmendur pothuajse në çdo paraqitje këtë shifër.

Megjithatë guvernatori Mehmeti sot pati të tjera shifra, ku tha se kjo normë e rritjes ekonomike është 10.5 përqind, duke iu referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave. Ndonëse zyrtarë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) deklarojnë se Kosova ka një zhvillim ekonomik më të dobët se vendet e rajonit.

Guvernatori Mehmeti gjatë prezantimit të raportit të tranzicionit të BERZh-it për vitin 2021-2022, theksoi se sikurse për gjithë botën, edhe për Kosovën këto dy vitet e fundit ishin sfiduese si rrjedhojë e ndikimeve të pandemisë COVID-19 në ekonomi, por sipas tij, masat e kujdesshme të BQK-së dhe Qeverisë për rimëkëmbje kanë qenë efektive në rikuperimin e ekonomisë kosovare.

Mehmeti: 10.5% rritja ekonomike, kontribuues edhe sektori bankar e diaspora

“(Sektori bankar) Jo vetëm që ka tejkaluar lehtë krizën, por e ka marrë rolin kyç në mbështetjen e ekonomisë së vendit dhe për rritjen ekonomike një ndër faktorët kryesor, përpos të tjerave është edhe sektori bankar. Përkundër rreziqeve në pritje dhe të larta ka vazhduar të ndihmojë ekonominë e vendit… Ekonomia e Kosovës ka shënuar një rikuperim gjatë vitit 2021, dhe sipas vlerësimeve preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kjo rritje ekonomike është 10.5 përqind. Këtu një ndër kontribuuesit kryesorë është sektori bankar, po ashtu edhe lëvizja e lirë e qytetarëve, nga diaspora, por edhe duke mos i anashkaluar edhe aktivitetet të cilat janë ndërmarrë nga Qeveria”, theksoi ai.

Ndërkaq, Neil Taylor, udhëheqës i Zyrës së BERZh për Kosovën, theksoi se sistemi i digjitalizimit është gjithnjë në rritje, për këtë tha se nevojitet që Kosova të ketë më shumë investime në infrastrukturën e 4G.

Derisa shtoi se sfida vjetore për Kosovën është ikja e trurit, ose braktisja e njerëzve profesionistë në fushën digjitale nga vendi. Ai përmendi se prioritete kyçe në periudhën e ardhshme duhet të jenë për krijimin e një sektori konkurrues në sektorin privat të digjitalizimit.

Taylor: Kosova sfidohet me ikjen e trurit, njerëzve me shkathtësi të mira digjitale

“Nevojiten më shumë investime në infrastrukturën 4G, më shumë trajnime në të gjitha aspektet… Në vendet e avancuara është niveli i investimeve që bëjnë trajnimin dhe afatësimin për ngritjen e shkathtësive digjitale të punonjësve të tyre, kjo është që Kosova duhet të merr parasysh. Me këtë vjen edhe sfida vjetore e Kosovës, e ballafaqimit me ikjen e trurit, pra të njerëzve me shkathtësi më të mira digjitale të cilët e braktisin vendin për të kërkuar mundësi punësimi në vendet e tjera. Prandaj, kjo duhet të ndryshojë, dhe të krijojë mundësi që talenti më i mirë të qëndrojë këtu në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa, Ana Kresic, ekonomiste e lartë në BERZh, tha se regjioni perëndimor ende mbetet prapa vendeve të BE-së.

Ndonëse, sipas saj, në Kosovë ishte një rimëkëmbje e fuqishme ekonomike prej 10.5 përqind, teksa për vitin 2022 ajo thotë se projeksioni është pozitiv për Kosovën dhe rajonin.

Megjithatë Kresic ka vlerësuar se Kosova ka zhvillim ekonomik më të dobët në krahasim me rajonin. Prandaj, siç theksoi ajo është e nevojshme të jetë në fokus tranzicioni në ekonominë e gjelbër.

Kresic: Kosova performon më dobët në ekonomi se vendet e rajonit

“Shikuar zhvillimin afatgjatë ekonomik para pandemisë kemi pasur një rritje të fuqishme të regjionit, në veçanti të Kosovës, por është me rëndësi të përmendet që regjioni i Ballkanit Perëndimor ende mbetet prapa sa i përket standardit të jetesës krahasuar me shumë vende të BE-së. Kosova është 25 përqind prapa. Pastaj u paraqit tronditja e vitit 2020 ku projeksioni ekonomik ra në të gjitha ekonomitë e BERZH-it… Një trend i mirë është paraqitur vitin e kaluar, ishte një rimëkëmbje e fuqishme në të gjitha vendet dhe këtu duhet të theksoj këtë rritjen 10.5 përqind e rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës, e cila është e fuqishme… Edhe për këtë vit (2022) prognoza është mjaft pozitive për Kosovën dhe për tërë regjionin. Këtë duhet ta shqyrtojmë në muajt të ardhshëm posaçërisht duke pasur parasysh zhvillimet e para disa muajve në Evropën Lindore, e cila gjithsesi se do të ketë ndikim negativ në tërë regjionin e BERZH-it dhe më tej, edhe pse Ballkani Perëndimor, në veçanti Kosova, janë deri diku të mbrojtura nga ndikimi negativ… Mesazhi dytë është që Ballkani Perëndimor si regjion mesatarisht nuk është aq larg BERZh-it, mirëpo Kosova në veçanti performon pak më dobët në krahasim me regjionin. Një sektor i veçantë që ka nevojë për përmirësim është sektori i gjelbër”, tha ajo.

Kresic më tej ka thënë se për arsye të zhvillimeve në Evropën Lindore, agresionit rus në Ukrainë, janë disa rreziqe që duhet të menaxhohen me shumë kujdes, risku i parë sipas saj, është inflacioni jo vetëm për Kosovën, por edhe rajonin.

BERZH-i vetëm vitin e kaluar ka investuar 15 milionë euro në Kosovë, ndërkaq, BQK-ja sipas guvernatorit Mehmeti, në vitin 2021 ka lëshuar 1.8 miliardë kredi të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat