Guvernatori Mehmeti takoi përfaqësuesit e BERZH-it

Ekonomi

Guvernatori Mehmeti takoi përfaqësuesit e BERZH-it

Më: 23 mars 2022 Në ora: 12:48
Foto nga takimi

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka pritur në takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga drejtori për Kosovë, Neil Taylor.

Guvernatori Mehmeti falënderoi përfaqësuesit e BERZH-it për prezantimin e Raportit të Tranzicionit për vitin 2021/2022, duke theksuar edhe angazhimin dhe kontributin e rëndësishëm që BERZH-i në vazhdimësi ka dhënë për mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe në përgjithësi për zhvillimin ekonomik të vendit.

Guvernatori Mehmeti informoi përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim lidhur me zhvillimet makroekonomike dhe financiare në Kosovë, duke theksuar qëndrueshmërinë e lartë të sistemit financiar dhe rolin e tij në mbështetje të ekonomisë së vendit.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti falënderoi përfaqësuesit e këtij institucioni për përkrahjen e vazhdueshme që kanë dhënë dhe po japin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës për realizimin e një numër projektesh me BQK-në, si dhe shprehu interesimin për rritjen e tyre.

Ndërsa, drejtori i BERZH për Kosovë, Neil Taylor ka shfaqur gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat