Kë e furnizuan me naftë kompanitë e pezulluara?

Ekonomi

Kë e furnizuan me naftë kompanitë e pezulluara?

Më: 20 prill 2022 Në ora: 18:04
Foto ilustrim

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, Ministria e Pushtetit Lokal, Posta e Kosovës, Kombinati Trepça, Korporata Energjetike e Kosovës dhe kompanitë rajonale të ujësjellësit dhe mbeturinave janë vetëm disa institucione shtetërore, që në muajt e fundit janë furnizuar me naftë dhe benzinë nga kompania Petrol Company.

Por, Petrol Company është një prej katër kompanive të derivateve të naftës në Kosovë, të cilave, një ditë më herët, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ua ka pezulluar lejet për importin dhe deponimin e lëndës së parë, si dhe për shitjen me shumicë të produktit final, që është vaji i rëndë apo mazuti.

Kosova Refinery, Kulla Exim dhe Inn Oil-Recycling janë kompanitë e tjera me leje të pezulluara.

Sipas ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, këto kompani u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara, si dhe kanë shmangur akcizën, duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit.

Ndaj njërës kompani janë duke u zhvilluar edhe procedura nën dyshimet për mashtrim me cilësinë e karburanteve, që u është shitur institucioneve publike.

Në një konferencë për media të martën, ministrja Hajdari tha se, gjatë javëve të fundit, janë marrë dhe testuar disa mostra të naftës dizel, të përdorur në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe në to, sipas saj, janë gjetur raste të jokonformitetit.

Kosova, treg i “dallavereve” me naftë

Më saktësisht, sipas ministres, në një rast është gjetur dizel me përmbajtje të sulfurit prej 77.4 miligramësh në kilogram, që tejkalon shumëfish vlerën e lejuar.

Me udhëzimin administrativ për cilësinë e derivateve të naftës në Kosovë lejohet vetëm importi i derivateve të naftës me sulfur deri në 10 mg/kg.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje se nga cili operator ekonomik është furnizuar.

Por, emri i saj dhe i institucioneve të tjera figurojnë në ueb-faqen e Zyrës së Prokurimit të Kosovës, ku thuhet se ato janë furnizuar nga Petrol Company.

Ministria e Mbrojtjes, thuhet aty, ka lidhur kontratë me Petrol Company më 26 korrik të vitit 2021, për furnizim me benzinë, gaz natyror, naftë dhe produkte të ngjashme për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në vlerë prej 128 mijë eurosh.

Sipas të dhënave të Zyrës së Prokurimit Publik, Posta e Kosovës ka lidhur kontratë me Petrol Company, në vlerë prej 34 mijë eurosh, më 7 dhjetor 2021.

Më 5 maj të vitit të kaluar, kontratë me këtë kompani ka nënshkruar edhe Telekomi i Kosovës, në vlerë prej 23,400 eurosh.

Dëm për qytetarët

Nazmi Bytyçi, ish-kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, thotë se nafta me përbërje të madhe të sulfurit dëmton, si shëndetin e qytetarëve, ashtu edhe gjendjen e automjeteve.

“Dëmi më i pariparueshëm është te qytetarët, sepse kjo e ndot ambientin dhe njerëzit marrin ajër me prezencë të sulfurit. Njëkohësisht, dëm u shkaktohet edhe shoferëve që e blejnë, sepse djegia nuk është e njëtrajtshme, [automjeti] shpenzon më shumë dhe në shumë raste [nafta me shumë sulfur] i dëmton makinat”, thotë Bytyçi për Radion Evropa e Lirë.

Hysni Jusaj, nga Petrol Company, mohon se kjo kompani ka shpërndarë naftë me cilësi të dobët. Sipas tij, vendimi i Ministrisë së Industrisë është i padrejtë.

“Do të vazhdojmë me ndonjë ankesë”, paralajmëron ai teksa flet për Radion Evropa e Lirë.

Vendimin e Ministrisë ngjashëm e vlerëson edhe Burim Kuçi, drejtor i kompanisë tjetër me leje të pezulluar, Kulla Exim.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se kompania e tij merret vetëm me importin dhe prodhimin e mazutit, që përdoret si lëndë djegëse për ngrohje.

Ai thotë se nuk e ka furnizuar me këtë produkt asnjë nga institucionet publike, përveç kompanitë private.

“Arsyetimi i tyre është i padrejtë, sepse ne jemi tatim-pagues të mëdhenj dhe nuk i kemi mbetur borxh shtetit, në këtë rast Administratës Tatimore të Kosovës. Në ditët në vijim do të shohim se si do të reagojmë”, thotë Kuçi.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, drejtori menaxhues i kompanisë Kosova Refinery, Besnik Sadiku, nuk ka qenë i qasshëm në telefon. Njëjtë edhe drejtori i kompanisë Inn Oil-Recycling, Naim Hajrizi.

Sa kohë kanë funksionuar kompanitë e pezulluara?

Petrol Company vlerësohet si një ndër kompanitë më të mëdha në tregun e shitjes së derivateve të naftës në Kosovë.

Në ueb-faqen e Agjencisë për Regjistrimin e Biznesit (ARB) thuhet se ajo është regjistruar në vitin 2007, me një kapital prej 2,500 eurosh dhe me 30 punëtorë. Drejtor menaxhues i saj është Shkëlzen Jusaj.

Sipas ARB-së, kjo kompani ka 60 njësi në nivel vendi, përfshirë pika karburanti, restorante, dyqane e të tjera. Përfaqësuesi i saj, Hysni Jusaj, thotë për REL-in se kompania aktualisht ka më shumë se 400 punëtorë.

Kulla Exim në ARB është regjistruar në vitin 2002. Në ueb-faqen e ARB-së thuhet se kjo kompani numëron 675 punëtorë, me një kapital prej 249 milionë eurosh.

Kosova Refinery është regjistruar në ARB në vitin 2009, me dy punëtorë dhe me kapital prej 2,500 eurosh. Aktivitet primar thuhet se ka prodhimin e rafinuar të naftës.

Inn Oil-Recycling, ndërkaq, është regjistruar në ARB në vitin 2010, me një kapital prej 20 mijë eurosh dhe me pesë punëtorë.

Tri kompanitë e fundit nuk figurojnë në listën e Zyrës së Prokurimit Publik si furnizuese të institucioneve publike me derivate të naftës./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat