​Gjatë marsit, u rritën eksportet dhe importet

Ekonomi

​Gjatë marsit, u rritën eksportet dhe importet

Më: 22 prill 2022 Në ora: 17:50
Foto ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars të këtij viti, ku theksohet se eksporti i mallrave në muajin mars 2022 kishte vlerën 88.6 milionë euro, ndërsa importi 493.9 milionë euro, që është një rritje prej 43.3% për eksport dhe 29.1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Sipas ASK-së, të dhënat nga tregtia e jashtme të mallrave në Kosovë, tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 26.4% në muajin mars 2022, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 405.3 milion euro, krahasuar me deficitin prej 320.7 milion Euro në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 17.9%.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 28.0% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 23.7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.8% e përbëjnë produktet minerale, etj. Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.0% e përbëjnë produktet minerale; 12.0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.4% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.8% e përbëjnë mjetet e transportit, etj. Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 25.2 milion Euro, ose rreth 28.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 27.2%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (7.2%), Itali (5.5), Austria (3.5%), etj. Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 205.4 milion Euro, ose 41.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.1%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.6%), Greqia (4.8%), Italia (4.5%), etj. Në muajin mars 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 34.1 milion Euro ose 38.6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.5%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (14.1%), Shqipëria (11.0%), Serbia (7.7), Mali i Zi (4.5%). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin mars 2022 arritën në 93.2 milionë euro, ose 18.9% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.5%), Shqipëria (5.8%), Maqedonia e Veriut (5.3%). Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 29.1 milionë euro ose 32.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (19.3%), dhe Zvicra (6.7%)”, thuhet në një komunikatë të ASK-së.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 195.2 milionë euro, ose 39.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 13.8% dhe Kina me 10.5%.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat