​Srategjia e energjisë, brenda tri viteve planifikohet prodhimi i 500 MW nga energjia e ripërtëritshme

Ekonomi

​Srategjia e energjisë, brenda tri viteve planifikohet prodhimi i 500 MW nga energjia e ripërtëritshme

Më: 7 qershor 2022 Në ora: 13:58
Artane Rizvanolli

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të aplikojë një qasje të re planifikimi për të adresuar sfidat aktuale dhe për të vendosur themelin për një të ardhme të sektorit të energjisë të vendit e cila gjithnjë e më shumë po pwrpiqet të ofrojë siguri të furnizimit me energji elektrike, energji të pastër, efiçiencë të energjisë, dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve e përkrahje për grupet e cenushme.

Kështu ka thënë të martën ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli me rastin e hapjes së Konsultimeve Publike për Strategjinë e Energjisë 2022-2031.

Rizvanolli tha se në tri vitet e ardhshme do të arrihet kapaciteti deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore.

Rizvanolli: Deri në vitin 2031 do të arrijmë 1400 megavat energji nga era dhe kapacitetet diellore

“Për herë të parë, strategjia jonë e energjisë parasheh targete tejet ambicioze për sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, dhe gjatë tri viteve të ardhshme do të arrijmë kapacitete prodhuese prej 500 megavat të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të arrihet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore, që do të thotë se në vitin 2025 do të kemi dy herë më shumë të kapaciteteve të burimeve të ripërtritshme të energjisë, krahasuar me ato që i kemi pasur gjatë vitit 2021. Ndërsa, deri në vitin 2031 do të arrijmë 1400 megavat nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, duke ndërtuar kapacitetet e reja të erës dhe diellore. Integrimi i këtyre burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet do të mundësohet falë baterive në kapacitet prej së paku 170 megavat ose 340 megavat orë rezerva. Deri në vitin 2031 synojmë që së paku 35 përqind e konsumit të energjisë elektrike të gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme, ndërsa ndotjen nga termocentralet ta ulim për së paku 32 përqind”, theksoi Rizvanolli.

Ministrja Rizvanolli theksoi në konferencën për media se kjo strategji paraqet rrugën e re nëpër të cilën Kosova do të ecë për ta bërë sistemin energjetik më të pastër, më të besueshëm e më të decentralizuar.

Madje, sipas saj në këtë draft-strategji janë dhënë edhe zgjidhje të reja për rivitalizimin e njësive të TC “Kosova A”.

Rizvanolli: Një njësi e TC “Kosova A” do të rivitalizohet sa më shpejt që është e mundur

Siguria e furnizimit do të përforcohet duke investuar për t’i bërë kapacitetet tona ekzistuese më të besueshme, por edhe më miqësore për ambientin. Në TC “Kosova B” do të bëhen investime për të arritur efiçiencën dhe për të ulur ndotjen. Një njësi e TC “Kosova A” do të rivitalizohet, për këtë procedurat do të fillojnë sa më shpejt që është e mundur dhe përderisa ky investim është duke u realizuar, do të merret vendimi sa i përket rivitalizimit të një njësie tjetër të këtij termocentrali. Ndërkohë do të punohet intensivisht për të ndërtuar kapacitete të reja me burime të ripërtëritshme të energjisë nga dielli dhe nga era, në mënyrë që nga vitit 2028 njësitë e rivitalizuara të “Kosovës A” të kenë nevojë të punojnë vetëm gjatë muajve të dimrit kur kërkesa për energji elektrike të rritet për shkak të nevojës për ngrohje”, theksoi Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë, tha po ashtu se integrimi i tregut me Republikën e Shqipërisë është prioritet për Kosovën.

Rizvanolli: Integrimi i tregut me Shqipërinë, është në prioritet dhe i rëndësishëm

Integrimi i tregut me Shqipërinë, është prioritet i lartë dhe veçanërisht i rëndësishëm për shtetin tonë. Hapi i parë në këtë drejtim do të jetë funksionimi i plotë I bursës shqiptare të energjisë Alpex, gjë që pritet që nga fillimi i vitit 2023. Qeveria jonë është po ashtu e përkushtuar të rrisë planifikimin e përbashkët në sistemin energjetik me Shqipërinë, me bashkë investim në termocentralin me gaz natyror për qëllim të mbulimit të kërkesë bazë ose për fleksibilitet të sistemit në Shqipëri, por edhe në Maqedoni Veriore dhe në Greqi, ku do të shqyrtohen me qëllim të ndërtimit gjatë viteve në vijim. Qeveria është e përkushtuar që transformimi i sektorit energjetik të bëhet duke pasur drejtësi sociale. Për herë të parë, qytetarët e Kosovës do të vendosen në qendër të së ardhmes energjetike, duke u siguruar që ata të kenë qasje në energji me kosto të përballueshme”, theksoi ajo.

Objektiv strategjik sipas kësaj draft strategjie mbetet dekarbonizimi dhe promovimi i energjisë së ripërtëritshme. Derisa analiza teknike e këtij drafti është bërë nga një grup i ekspertëve të pavarur.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat