Inflacioni 14.1 % në Kosovë| Kërkohet tërheqja e Trustit për t`i bërë ballë rritjes së çmimeve

Ekonomi

Inflacioni 14.1 % në Kosovë| Kërkohet tërheqja e Trustit për t`i bërë ballë rritjes së çmimeve

Më: 27 korrik 2022 Në ora: 09:58
Ilustrim

Inflacioni në Kosovë ka arritur në mbi 14%.

E, si pasojë e rritjes së çmimeve po kërkohet që çështja e Trusti të sillet edhe njëherë në Kuvend dhe të votohet nga deputetët.

Votimi i këtij projektligji nga legjislativi sipas njohësve të ekonomisë do të zbuste sado pak krizën ekonomike të krijuar në vend.

Ata po kërkojnë që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja nga Fondi Pensional prej 20%.

Mustafë Kadriaj, ekspert i ekonomisë thotë se Qeveria dhe parlamentarët nuk kanë disponim për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.

Ani pse sipas tij, kriza ekonomike ka kapluar rajonin, botën e njëjtë si këto edhe Kosovën.

“Ne jemi dëshmitarë të rritjeve të çmimeve tek të gjitha produktet, kostot janë rritur në gjithë aktivitetet ekonomike, por kur flasin për Trustin, Qeveria dhe shumica e parlamentarëve nuk kanë disponim unë kam qenë pro që të kalojë një pjesë e Trustit nga 20%. Qeveria po i jep arsyet e veta sikurse Kosova të ishte në një gjendje stabile. E gjithë bota dhe rajoni është në krizë ekonomike por sidoqoftë Qeveria nuk ka gatishmëri ajo po vlerëson që të gjejë mënyra të tjera të përkrahë qytetarin por në asnjë mënyrë që mos të prekët Trusti”, potencoi ai.

Sipas Kadriajt, propozimi i tërheqjes së mjeteve nga Trusti nuk do të duhej të bëhej nga opozita por nga shoqëria civile dhe qytetarët.

Njohësi i ekonomisë thotë se Qeveria në pushtet ka marrë votën që t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, por se kjo nuk po ndodhë.

“Kemi inflacion shumë të lartë pra një kalim i Trustit tek qytetarët do të duhej të bëhej. Kjo mundet me qenë tani vetëm një dëshirë e qytetarëve sepse Qeveria nuk është duke lëvizur në këtë drejtim, por edhe për faktin që është propozuar nga një deputet i opozitës dhe një mjekë që injorohen direkt nga kryeministri, por në fakt ish dashtë të jetë nga shoqëria civile dhe nga qytetarët por nga asnjë rrethanë nga opozita. Qeveria duhet ta ketë të qartë që askush nuk ja përfundon punët, ata kanë marrë votën e qytetarëve që të ju dalin në ndihmë por deri më tani nuk ka diçka të tillë”, u shpreh Kadrijaj.

Mendim të njëjtë se tërheqja e mjeteve nga Trusti do të ndihmonte qytetarët nga kriza ekonomike ka edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Imer Thaçi.

Ai thotë se Trusti duhet votuar për të parandaluar thellimin e një krize edhe më të rëndë.

Thaçi ka deklaruar se stina e dimrit do të jetë sfidë për qytetarët pas shtrenjtimit të peletit dhe energjisë.

“Pjesa e akumuluar e buxhetit duhet të shfrytëzohet për qytetarët dhe në të mirë të qytetarëve. Po iu afrohemi stinës se dimrit e cila pritet të ketë rritje edhe në shpenzimet e tyre të ngrohjes pasi që çmimi i peletit është rritur po ashtu edhe çmimi i energjisë ka shënuar një rritje rekorde e qe paraqet një dimër të rënd për qytetarët e Kosovës, pra thellim në krizë. Këto nuk mund të mbulohen ndryshe, prandaj duhet votuar tërheqja e kursimeve nga Trusti sepse në të kundërtën gjendja ekonomike e qytetarëve do të jetë e rënd dhe e papërballueshme gjatë muajve të dimrit”, theksoi Thaçi.

Ekonomisti, Thaçi ka theksuar se pas ngritjeve të çmimeve në vend Qeveria nuk ka reflektuar në rritjen e pagave për qytetarët.

“Familjet në Kosovë janë renduar shumë nga kjo rritje e papërballueshme e çmimeve me pagat e tyre të cilat po e rëndojnë shportën e tyre e sidomos rritja e çmimeve për produktet bazike që ka shënuar një rritje prej 41.34% e që kjo rritje asnjëherë nuk reflektoi edhe në rritjen e pagës ani pse rritja e çmimeve në përgjithësi ka ndikuar në rritjen e të hyrave buxhetore, pra Qeveria ka akumuluar më shumë para sepse rritja e çmimit rrit shumën e taksës së paguar nga qytetaret”, tha ai.

Ndryshe, organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit më 15 korrik kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, nënshkrimet e mbledhura në të gjitha komunat e Kosovës përmes së cilave kërkojnë të bindin ligjvënësit që t’iu plotësohet kjo kërkesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat