​Dhoma e Tregtisë Kosovë: Ngritja e çmimit të çimentos, goditje e rëndë për sektorin e ndërtimtarisë

Ekonomi

​Dhoma e Tregtisë Kosovë: Ngritja e çmimit të çimentos, goditje e rëndë për sektorin e ndërtimtarisë

Më: 9 gusht 2022 Në ora: 17:11
​Dhoma e Tregtisë Kosovë: Ngritja e çmimit të çimentos, goditje e rëndë për sektorin e ndërtimtarisë

Ngritja enorme e çmimit të çimentos dhe efekti i saj te bizneset e sektorit të prodhuesve të betonit dhe sektori i ndërtimtarisë, ishte tema e diskutimit në takimin e realizuar ndërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë dhe bizneseve anëtare me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Ngritja e serishme e çmimit të çimentos për 17.81 euro për ton, duke përfshirë TVSH-në që ka hyrë në fuqi nga 08.08.2022 apo 58.27% brenda këtij viti, është ngritja e tretë e çmimit të çimentos këtë vit, arsye kjo e cila bëri që të reagojnë përfaqësuesit e sektorit të prodhuesve të betonit në kuadër të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Dhoma e Tregtisë me këtë rast kërkoi nga ministrja Hajdari që të ndërmerren masa të menjëhershme për tejkalimin e situatës së krijuar, në mënyrë që të mos ketë pasoja negative te bizneset dhe ekonomia vendore.

Sipas përfaqësuesve të bizneseve ngritja e shpeshtë e çmimit, me paralajmërime në afate tejet të shkurtra kohore, e mungesa e arsyetimit përmbajtësor për këto ngritje, po shkakton shumë sfida në operimin e bizneseve të sektorit të prodhuesve të betonit si dhe në përmbushjen e kontratave që këta të fundit kanë me klientët e bashkëpunëtorët.

Gjithashtu kjo po ndikon edhe në humbje të mëdha që po u shkaktohen këtyre bizneseve dhe si rrjedhojë ndikon edhe largimin e punëtorëve.

Nga njoftimet e pranuara nga bizneset për ndryshim të çmimit nga ana e kompanisë Sharr-Cem, konsiderohet që faktor të jetë rritja e çmimit të energjisë elektrike, e cila nga ana e prodhuesve të betonit gjithashtu konsiderohet si argument i pamjaftueshëm dhe i papranueshëm për një rritje kaq të madhe.

Ministrja Hajdari falënderoi për takimin dhe shprehu gatishmëri për trajtimin e rastit. Gjithashtu theksoi që ky takim ishte i nevojshëm në mënyrë që të marrë informata më konkrete për këtë problematikë me të cilën bizneset po ballafaqohen, duke shtuar që do ta trajtojë dhe do të bëjë përpjekje që t’i dalë në ndihmë këtij sektori. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat