ATK: Këngëtarët, hotelet e gastronomia, paguajnë më shumë tatim

Ekonomi

ATK: Këngëtarët, hotelet e gastronomia, paguajnë më shumë tatim

Më: 29 mars 2023 Në ora: 15:48
Foto ilustrim

Këngëtarët kanë filluar të paguajnë më shumë detyrimet e tyre tatimore ndaj shtetit, bazuar në fitimet që kanë.

Administrata Tatimore e Kosovës deklaron se statistikat që vijnë nga gastronomia e hoteleria, duke përfshirë edhe nga shërbimet që kryhen bashkë me to, si këngëtarë e stilistë, kanë shënuar rritje.

“Thirrjet e shpeshta nga ATK për të përmubushur detyrimet dhe puna në teren, kanë rezultuar që statistikat nga ky sektorë të jenë në një nivel të kënaqshëm, duke filluar nga qarkullimi i deklaruar me 24.24% ose 64 milion euro, pagesa 117.08% ose 10 milion euro dhe numri punëtorëve 14.45% ose 2,820 punëtorë më shumë se viti i kaluar”, deklaron ATK-ja.

“Pastaj, duke vazhduar me gjetjet nga tereni, si qarkullimi shtesë nga vizitat me dallim enorm prej 321.95% më shumë se vitin e kaluar”. 

Administrata Tatimore e Kosovës sqaron se në sektorin e gastronomisë dhe hotelerisë, si dukuri e cila mbetet ndër faktorët kyç të informalitetit janë edhe punëtorët e padeklaruar, e kjo është dëshmuar edhe nga puna e inspektorëve, të cilët për 2022 kanë formalizuar 111.84% punëtorë më shumë se vitin e kaluar. 

“Ajo çka vlen të potencohet është se ky sektor prin me statistika sa i përket fiskalizimit, por mbetet sfidë lëshimi i kuponëve fiskal”.

ATK-ja deklaron se projekti për përmbushje tatimore në hoteleri dhe gastronomi, si dhe zinxhirin e tyre bashkëpunues do të vazhdojë të  implementohet, me qëllim të formalizimit plotë të aktiviteteve.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat