Rriten çmimet e prodhimeve blegtorale 16.89 për qind

Ekonomi

Rriten çmimet e prodhimeve blegtorale 16.89 për qind

Më: 5 maj 2023 Në ora: 16:54
Foto ilustrim

Në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2023, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 16.89 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 6.45%.

Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) thuhet se Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 14.28%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Në kuadër të këtij raporti për Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi për tremujorin e parë të këtij viti, çmimi i fasulës ka shënuar ngritje në 3 euro 42 centë për një kilogram në muajin mars, derisa në muajin shkurt ky çmim ka qenë 3,29 euro, në janar 3,21 euro.

Sipas ASK-së, prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale.

Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.

Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat