Masat e BE-së dhe ngjarjet në veri rënduan ekonominë e vendit

Ekonomi

Masat e BE-së dhe ngjarjet në veri rënduan ekonominë e vendit

Më: 1 janar 2024 Në ora: 13:04
Foto ilustrim

Masat e Bashkimit Evropian, mosrealizimi i projekteve kapitale dhe zhvillimet në veri të Mitrovicës, ishin disa nga faktorët të cilët ndikuan në tkurrjen ekonomike përgjatë vitit 2023. Sfidë për vendin mbetet edhe migrimi.

Nga sanksionet e BE-së Kosova humbi disa projekte qindra milionë euro, një prej tyre ishte edhe ai për regjistrimin e popullsisë në kuadër të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Përgjatë këtij viti po ashtu nuk pati rritje të theksuar investimeve të huaja, e po ashtu edhe eksporti i mallrave shënoi rënie.

Deputeti nga PDK, Ferat Shala derisa akuzon qeverinë për mos realizim të projekteve kapitale, shprehet se në vitin 2024 nuk pret zhvillim të hovshëm ekonomik.

Shala: Nuk presim edhe në të ardhmen një zhvillim të hovshëm apo dinamik

“Kemi pasur një stagnim të dukshëm në pjesën dërmuese ekonomike të vendit. Fatkeqësia e këtij stagnimi ekonomik rezulton edhe me projektbuxhetin që kemi për vitin 2024. Pra, kemi një projektbuxhet i cili rezulton që nuk është zhvillimor, është projektbuxhet social, i cili ka jashtëzakonisht mangësi të mëdha sa i përket shpërndarjeve gjeografike, territoriale dhe zhvillimore. Në esencë nuk presim edhe në të ardhmen një zhvillim të hovshëm apo dinamik çfarë realisht rrethanat socio ekonomike të vendit e kërkojnë... Mosplanifkimi i mirë buxhetor, mosrealizimi i projekteve kapitale, ndikimet politike ekstreme në sektor të caktuar, çështja e menaxhimit të skajshëm joprofesional dhe politik të ndërmarrjeve publike, rregullatorëve e kështu me radhë, me theks sektorin e energjisë”, thotë Shala.

Se kjo qeveri ka dështuar në përmbushjen e premtimeve, e thotë edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Besian Mustafa. Sipas tij, janë mbi 200 mijë qytetarë që mezi presin që të migrojnë për një jetë më të mirë.

Mustafa: Qeveria ka dështuar në përmbushjen e premtimeve, mbi 200 mijë qytetarë që presin të lëshojnë vendin

“Sfidoj këtë qeveri që të pyes të jetë e sinqertë dhe transparente, që të pyet qytetarët e këtij vendi se si qëndrojnë ekonomikisht, më mirë apo më keq, apo kanë mundësi që ta mbyllin muajin me këto të hyra që kanë, me këto çmime marramendëse që kanë tejkaluar çdo pritje të çdo ekonomisti të mirëfilltë dhe t’i pyes qytetarët nëse po ja dalin nga muaji në muaj që të përmbushin nevojat e tyre dhe familjet. Jam i bindur se përgjigjja do t’u kthehet goxha negative nga qytetarët e Kosovës dhe pastaj do të doja t’i pyesja se si reagon kjo qeveri që në studiot televizive ose nga zyrat e tyre deklarojnë që zhvillimi i pashembullt ekonomik ka ndodhë në mandatin e tyre, përderisa qytetarët e tyre mezi presin janarin që të lëshojnë këtë vend. Pra, do doja ta dija si i barazon kryeministri Kurti këto dy fakte, njërën anë zhvillimin e pashembullt ekonomik dhe anën tjetër që ke mbi 200 mijë qytetarë të vendit mezi presin nga 1 janari që ta lëshojnë këtë vend”, thotë Mustafa.

Në anën tjetër, Mustafa thotë se masat e BE-së karshi Kosovës vazhdojnë të godasin ekonominë e vendit.

Mustafa: Masat e BE-së e rëndojnë ekonominë e vendit

“Masat e BE-së vazhdojnë të jenë, çuditërisht qeveria vazhdon t’i injoroj dhe mohoj ato, por janë qytetarët e Kosovës ata që i shohin çdo ditë. Është edhe vet fakti që kryeministri Kurti nën këto masa ndëshkuese dhe sanksionuese nuk ftohet në asnjë takim të rëndësishëm ndërkombëtar, kjo tregon qartazi që ky kryeministër dhe politikat, qasja e tij ndaj partnereve ndërkombëtar veçanërisht ata që kanë ndihmuar në çlirimin, krijimin dhe garantimin e shtetësisë së Kosovës nuk dëshirojnë që të kenë takime me të, nuk dëshirojnë që të bashkërendisin politikat ndërkombëtare me të”, shton Mustafa.

Ndërsa, deputetja nga AAK, Time Kadrijaj derisa ka renditur faktorët që kanë ndikuar në ngecjen e zhvillimit ekonomik në vend, akuzon qeverinë për qasje arrogante.

Kadrijaj: Janë goditur të gjitha shtresa, qeveria po sillet me arrogancën e numrave

“Janë goditur të gjitha shtresat, gjendja e rëndë ekonomike-sociale dhe inflacioni i rritur në shtetin e Kosovës që është përqindje të madhe, mos rritja e pagave në nivelin që kemi kërkuar dhe pensioneve njëkohësisht, hartimi i ligjit të pagave me 105 euro koeficient ka qenë skandali sërish i kësaj qeverie dhe tash duke i rrit për këtë vit buxhetor 5 euro pagë për gjithë njerëzit që punojnë në sektorin publik, bile me këtë ligj ta pagave ka kategori që ju kanë ulë pagat, dhe ne po ju shohim pakënaqësinë e kategorive të ndryshme të cilat po dalin dhe po manifestojnë pakënaqësitë e tyre qoftë me protesta apo greva, por kjo qeveri s’po i merr fare për bazë, po sillet me arrogancën e numrave, që ka shumicën e parlamentit dhe që ka të drejtë të bëjë çfarëdo”, thotë Kadrijaj.

Anën tjetër, njohës të ekonomisë derisa rendisin faktorët që kanë ndikuar në ngecjen ekonomike gjatë vitit 2023, thonë se qeveria gjatë këtij viti duhet të fokusohet në reforma strukturore.

Ndërsa, njohësi i ekonomisë, Besnik Avdija thotë për KosovaPress, se vitin që lamë pas kishte rënie edhe të fuqisë blerëse të konsumatorit, për çfarë thotë se ka ndikuar rritja e çmimeve.

Avdija: Në vitin 2023 ka rënë fuqia blerëse e konsumatorit në shumë drejtime

“Në kuptimin e rritjes ekonomike në vendin tonë, planifikimet kanë qenë që të ketë një rritje ekonomike solide, megjithatë rritja reale e GDP-së sipas Agjencisë së Statistikave sillet rreth 2 për qind, kjo mund të shtohet deri tek 2.2 deri në fund të vitit nëse investimet kapitale të planifikuara të qeverisë do të arrijnë të shohin një normë më të lartë të realizimit. Kjo, normalisht se përkthehet edhe në rritjen e qarkullimit të parasë, rritjen totale ekonomike, pra të GDP-së...Kurse në këtë vit, ka rënë fuqia blerëse e konsumatorit në shumë drejtime, duke filluar në shitblerjen e patundshmërive dhe duke përfunduar deri tek elementet më të vogla të domosdoshme siç janë produktet e konsumit të përditshëm. Konsumatorit i është zvogëluar shumë shporta mujore e ushqimit, në veçanti familjeve që ju takojnë skemave sociale. Kjo për shkak se çmimet e konsumit ditor, pra produkteve ushqimore, ose higjienike kanë parë një rritje solide të çmimeve që është përcjellë në vitin 2023”, thotë Avdija.

I njëjti shton se edhe masat e BE-së karshi Kosovës kanë ndikuar në ekonominë e vendit.

Sipas tij, qeveria gjatë këtij viti duhet të fokusohet më shumë në reforma strukturore që sjellin qëndrueshmëri afatgjate dhe jo në skema sociale.

Avdija: Ndryshimi strukturor i ekonomisë duhet të jetë prioritet i çdo qeverie dhe i çdo krahu politik

“Ndryshimi strukturor i ekonomisë duhet të jetë prioritet i çdo qeverie dhe i çdo krahu politik për shkak se ekonomia e Kosovës në masë të madhe varet nga konsumi dhe një gjë e tillë e pengon shumë zhvillimin e kapitalit vendor. Në reforma strukturore ato nënkuptojnë që të krijohen sektor të ndryshëm që janë të leverdishëm dhe konkurrent qoftë brenda ekonomisë, qoftë në krahasim me ekonomitë rajonale apo edhe ato globale. Në anën tjetër duhet punuar shumë që sektori privat në veçanti të mbështetet për të krijuar qëndrueshmëri, jo thjesht të mbështetet me para të gatshme por me forma të ndryshme të kapitalit të cilat ja mundësojnë që të krijojë siguri financiare për vete, pastaj të krijojë mundësi për investimin dhe për rritjen e përgjithshme qoftë të pagave, kushteve për punonjësit e vet apo edhe mundësi të tjera për eksport”, shton Avdija.

Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Sejdi Rexhepi konsideron se viti 2023 nuk ishte i mirë në kuptimin e politikave ekonomike.

Rexhepi: Ishte një vit jo fort i mirë në kuptimin e politikave ekonomike

“Ishte një vit jo fort i mirë në kuptimin e politikave ekonomike dhe rrjedhimisht edhe të rezultateve të cilat dalin ose reflektohen në bruto prodhimin e përgjithshëm. E kemi pa se në tremujorin e vitit 2023, trendët e rritjes ekonomike ishin konsiderueshëm më të vogla sesa në vitin 2022 dhe që përpos që janë rezultat i trendëve globale, i një inflacioni global që ekzistoi në 2022 dhe që u përcill edhe në vitin 2023...Ishin edhe refleksion i politikave jo mirë të dakorduara të qeverisë të cilat kanë pas mundësi me qenë shumë më aktive dhe më ndikuese në ekonomi. Qeveria ka ngecur dhe ka bërë një gabim të madh që nuk e ka ruajtur fuqinë konsomuese të konsumatorëve, sepse konsumi është një nga elementet kryesore përbërëse të Bruto Prodhimit dhe duke mos e mbajt nivelin e konsumit përmes indeksimit të pagave në realitet ka lejuar që të bjerë konsumi dhe kjo të reflektohet në rënien e madhësisë së bruto produktit”, thotë Rexhepi.

Ndryshe, nga njohësit e ekonomisë dhe opozita, pushteti vazhdon të mburret me punën që ka bërë sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit. Deputeti nga mazhoranca, Armend Muja thotë për KosovaPress, se rritja e buxhetit dhe të hyrat janë disa nga zhvillimet kryesore të vitit 2023.

Ndërkaq, Muja shprehet i bindur se rritja ekonomike do të vazhdojë edhe për këtë vit.

Muja: Rritja e buxhetit dhe të hyrave mendoj se janë disa nga zhvillimet kryesore të vitit 2023

“Mendoj se progresi më i madh i këtij viti është shtrirja e sovranitetit, autoritetit të shtetit në veri, sepse shteti atje nuk ka funksionuar, është rritja mesatare ekonomike 8 për qind, gjithashtu të hyrat për kokë banori në 10 vitet e fundit të Kosovës nga 2800 në vitin 2011 ka pas arrit në 3700 në vitin 2020 që d.m.th për 100 euro janë shtuar të hyrat mesatare për kokë banori për çdo vit, në ndërkohë që në dy vitet e fundit, kemi shtim të afërsisht rreth 1 mijë euro, që d.m.th ka pas reflektim edhe tek standardi i jetesës, të hyrat e shtetit që reflekton edhe rritjen reale ekonomike, por edhe formalizmin e ekonomisë...Rritja e buxhetit dhe e të hyrave mendoj se janë disa nga zhvillimet kryesore të këtij viti. Në ndërkohë po ashtu edhe rishpërndarja e pasurisë tek grupet e caktuara shoqërore, flas për fëmijët, për financimin e çerdheve që të ju mundësohet nënave dhe fëmijëve që të fillojnë shkollimin dhe punësimin në fëmijëri të hershme, por edhe nënave të fillojnë punësimin në tregun e punës”, thotë Muja.

Ndryshe, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) parasheh që rritja ekonomike për 2023 të arrijë 3.4 për qind, derisa për vitin 2024 të jetë 4.2 qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat