Produktet bazë të shportës së konsumatorit janë shtrenjtuar muajve të fundit.
Se çmimet janë rritur njoftuan edhe nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
E krejt kjo situatë po vazhdon të shqetësojë qytetarët e Kosovës.
Këtë e tregojnë vetë ata, të cilët madje bëjnë edhe krahasimin me vendet evropiane.
“Po natyrisht m’ka ra me ble edhe e kam bërë një krahasim. Produktet të cilat transportohen prej vendeve të tjera janë në krahasim me Evropën shumë shtrenjtë. Detergjentet, deot , shamponat, e shumë e shumë tjera”, thotë Djellza Surdulli- qytetare.
“Çmimet janë shumë të shtrenjta për pensionera si na që jemi është shtrenjtë, ndoshta për dikë që i kanë rrogat e medhaja nuk është shtrenjtë”, shprehet Bahtir Berisha
E dikujt nuk po i duken çmimet e larta.
“Besoj që janë pak shtrenjtë por edhe luksin nuk jemi te ndalë hiq, duhet me ndalë pak luksin, gjërat elementare besoj që nuk janë edhe shumë shtrenjtë”, thotë Burhan Jashanica.
Se çfarë po ndikon në rritjen e çmimeve tregon ekonomisti, Jakup Bellaqa.
“Ka ndikuar inflacioni e në krahun tjetër është rritja e çmimeve që rritet me përqindje njëshifrore mirëpo në këtë situatë të caktuar për ngritjen e çmimit të konsumit është për shkak se diaspora që ka ardh në Kosovë edhe tregtarët në mënyrë të pandërgjegjshme i ngritin çmimet, vlerëson ai.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se ngritje të çmimeve ka pasur në produktet si bukë, drithëra, kafe e karburante.
Derisa është bërë e ditur se në korrik të 2024 inflacioni mujor ishte 0.3%.