Në Ditën Ndërkombëtare të Akreditimit, këtë vit Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka për synim përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Në shënimin e Ditës së Akreditimit, ministrja në detyrë e Industrisë Rozeta Hajdari, tha se sipas raporteve të organizatave botërore për bashkëpunim ekonomik Kosova kalon mesataren e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor.
Hajdari: Kosova kalon mesataren e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor
Video:
“Akreditimi së bashku me standardizimin dhe mbikëqyrjen e tregut është një shtyllë thelbësore e infrastrukturës dhe cilësisë. Kjo Ditë Botërore ka për qëllim të rrisë vetëdijen për rëndësinë e akreditimit në sektorë të ndryshëm industrial por edhe të tjerë. Për këtë vit si temë, këtij viti kemi përkrahjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme se si nga akreditimi përfitojnë bizneset… objektivat e qeverisjes sonë synojnë që të sjellin diversifikim ekonomik nëpërmjet çlirimit të prodhimit industrial. Kemi ndërmarrë përmirësime të rëndësishme në kornizën ligjore në përmirësimin e ambientit për të bërë biznes të denjë duke përqafuar ligjet vendore me legjislacionin e Bashkimit Evropian… raportet e organizatave botërore për bashkëpunim ekonomik theksojnë këtë progres të Kosovës në aspektin e politikëbërjes duke theksuar se Kosova kalon mesataren e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor”, tha Hajdari.
Ndërsa, udhëheqësi i sektorit për bashkëpunim nga Zyra e BE-së, Johannes Stenbaek Madsen, shtoi se prodhuesit në Kosovë ende duhet të mbështeten në trupa të huaja për vlerësim të konformitetit, gjë që sjell kosto shtesë.
Madsen: Prodhuesit në Kosovë ende duhet të mbështeten në trupa të huaja
“Ne duam veçanërisht të theksojmë se si akreditimi fuqizon ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të), dhe se si, përmes angazhimit me shërbime të akredituara, NVM-të mund të demonstrojnë besueshmërinë dhe kompetencën e tyre përballë konsumatorëve dhe partnerëve të mundshëm shpesh duke krijuar mundësi të barabarta me korporatat e mëdha… Ekonomia e Kosovës është, deri diku, e dominuar nga NVM-të, veçanërisht mikro-ndërmarrjet, ndërkohë që pjesa më e madhe e vlerës shtohet nga një numër i vogël i ndërmarrjeve të mesme. Gjatë 10 viteve të fundit, eksportet e Kosovës kanë treguar një model të qartë të diversifikimit gradual, duke konfirmuar se sipërmarrësit kosovarë mund të jenë konkurrues kur u ofrohen kushtet e duhura… Aktualisht, për produktet që kërkojnë vlerësim nga palë të treta, prodhuesit në Kosovë ende duhet të mbështeten në trupa të huaja për vlerësim të konformitetit, gjë që sjell kosto shtesë. Raporti i Bashkimit Evropian thekson rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve të sistemit të infrastrukturës së cilësisë në Kosovë, për të bërë përparim në mbikëqyrjen e tregut që të jetë e dobishme për të gjitha palët”, tha ai.
E drejtori i përgjithshëm i Akreditimit, Irfan Lipovica u shpreh se DAK është duke bashkëpunuar me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për pasaportën që jep akreditimi të vlejë në shumë vende të botës.
Lipovica: Po angazhohemi pwr ta rritur subjektivitetin ndërkombëtar
“Akreditimi i vendos pasaportën e faktit të implementimit të standardeve. Ne si Drejtori e Akreditimit jemi duke punuar në bashkëpunim me ekspertët vendorë por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë që çdo ditë të përmirësojmë shërbimet tona por edhe të rrisim subjektivitetin tonë ndërkombëtar i cili është shumë i rëndësishëm. Pasaportën të cilën e jep akreditimi të vlejë në shumë vende të botës”, u shpreh Lipovica.