Në kompleksin “Fetnete Ramosaj” në Deçan sot u mbajt “Dita e Gështenjës”, e cila ka mbledhur dhjetëra vizitorë dhe prodhues vendorë. Përveç gështenjave, janë ekspozuar edhe produkte të tjera vendore si mjaltë, punime tradicionale, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e mikpritëse.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj theksoi rëndësinë e këtij panairi për të promovuar prodhimet lokale dhe për të mbështetur ekonominë familjare. Ai përmendi pjesëmarrjen e artistëve nga trevat shqiptare dhe diaspora, duke e bërë këtë një event të veçantë kulturor.
Ramosaj: Dita e Gështenjës është njëherësh një ditë e veçantë dhe përtej simbolikës
“Është ditë e veçantë, sepse përtej simbolikës, ne kemi një falënderim për frutën e gështenjës, sepse dikur ka ndikuar në ekonomitë tona familjare dhe jemi shkolluar dhe vesh-mbathur me këtë produkt. Pjesë e këtij festivali është edhe kolonia e artistëve që dikur ka qenë e famshme në Deçan dhe në edicionin e 7-të ka artistë të ndryshëm të trevave shqiptare, që janë edhe nga Amerika, Gjermania, Anglia që vinë të na nderojnë, dhe kjo është ajo madhështia tash në këtë debatin e fundit mes Smajl Latifit dhe Bali Muharremit dhe të cilët e kanë një garë vreshtat dhe kush e ka rrushin më cilësorë. Na vjen keq, por ne kemi gështenja në Deçan ka dhe Agroni në Junik, por nuk kemi bërë gara mes veti se cila është më e mira”, tha Ramosaj.
Një fjalë rasti para të pranishmëve mbajti edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj. Ai falënderoi artistët dhe fermerët e Deçanit për kontributin e tyre, duke theksuar rëndësinë e traditës së mikpritjes.
Haradinaj: Gështenja e Deçanit, më e mira në botë
“I dashur kryetar i komunës Bashkim Ramosaj, të dashur bashkëqytetar të Deçanit, fillimisht të gjithëve deçanas, kënaqësi t’i drejtohem një ditë të mirë kryetarit. Bashkimi e ka thënë njëherë një fjalë se pleqtë na kanë thënë burri si i raftë mot i lig mos u bëftë kishte qenë fjala për erë të mos fryjë shumë. Unë sot jam i kënaqur që na ka dashur moti shumë dhe po shihet që është një ditë e mirë me porosi të mira... Fermerët e Deçanit, njerëz punëtorë me të cilat krenohemi që e kanë mbajtur këtë popull në kohërat e vështira dhe na kanë mbajtur në kohën e luftës me bukë na kanë ushqyer. E vërtetë është që gështenja e Deçanit në botë është më e mira“, tha Haradinaj.
Piktori Musaj Prelvukaj e përshkroi Ditën e Gështenjave si një ngjarje madhështore dhe të veçantë për komunën. Ai përmendi bukuritë natyrore dhe frymëzimin që qyteti ofron për artistët dhe ftoi të gjithë artistët nga trojet shqiptare të vizitojnë Deçanin.
Prelvukaj: Dita e gështenjave është e madhërishme në komunën e Deçanit
“I nderuari kryetari Ramosaj në emër të komunitetit artistik të falënderoj shumë ju dhe stafin tuaj që na mundësuat të mblidhemi sot në këtë vend piktoresk e të shijojmë këtë vend qe e them sinqerisht që disa vite jam i mishëruar në këtë vend, po ashtu vendlindja ime është e lidhur me komunën e Deçanit. Andaj na u krijuan kushtet me ngjyra me panair, i shijuam dukuritë natyrore të hapësirës së Deçanit, pra edhe bjeshkët e larta, por edhe në këtë stinë edhe piktor, letrar, muzikantë dhe kushdo qoftë tjetër jemi frymëzuar nga koloriti i ngjyrave, sepse është një begati e fjalës dhe tingullit. Prandaj, artistët dalin nga të gjitha viset shqiptare që është dhe më madhështore, i ftoj të gjithë artistët të vijnë në Deçan dhe t’i shijojnë këto bukuri natyrore…Prandaj është e madhërishme Dita e gështenjave në komunën e Deçanit”, tha Prelvukaj.
Deçani njihet për traditat e tij kulturore dhe bujqësore, ku festivale të tilla synojnë të promovojnë prodhimet vendore dhe të mbajnë gjallë lidhjen e komunitetit me natyrën dhe kulturën lokale. Ky ishte festivali i shtatë vjeshtor i produkteve vendore.