Humbjet ekonomike nga bllokadat në kufijtë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut do të jenë shumë të mëdha për të gjitha vendet, jo vetëm për Bullgarinë, tha të martën zëvendëskryeministri dhe ministri në largim i Transportit dhe Komunikacionit Grozdan Karadjov. Ai po fliste me gazetarët gjatë Forumit Ekonomik VI të Sofjes.
"Bllokada të tilla, përveç shkeljes së disa prej të drejtave themelore - të drejtës për lëvizje të lirë dhe të drejtës për transport të lirë të mallrave, çojnë në pasoja shumë të rënda ekonomike, jo vetëm për sektorin e transportit, por për të gjithë sektorët e tjerë ekonomikë që varen nga dërgesat. Dhe kjo është praktikisht e gjithë ekonomia", shtoi Karadjov.
Sipas tij, bllokime të ngjashme në pikat kufitare zakonisht nuk çojnë në zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë vendet fqinje të Bullgarisë.
"Është më mirë të ulemi dhe të flasim me institucionet, në këtë rast, institucionet evropiane. As qeveria e Bullgarisë, as ajo e ndonjë shteti tjetër anëtar të BE-së, nuk kanë të bëjnë fare me këtë vendim. Kjo është arsyeja pse është e drejtë të angazhohemi në dialog me institucionet evropiane dhe të kërkojmë një kompromis të dobishëm për të dyja palët. Nuk ka nevojë që vetë vendet - Serbia dhe Maqedonia e Veriut, dhe ekonomitë e tyre të vuajnë po aq sa e jona, duke ndëshkuar njëra-tjetrën në këtë mënyrë", tha Karadjov.
Ai shpjegoi se ministrat në vendet evropiane marrin pjesë në formate të ndryshme për çështje që lidhen me transportin, dhe ajo që mund të bëjnë është t'i bëjnë thirrje Komisionit Evropian që të fillojë negociatat me të dy vendet sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa kufijtë të hapen derisa të gjendet një zgjidhje. Bullgaria vetëm nuk ka të drejtë të marrë vendime të tilla, shtoi ai.
Karadjov tha gjithashtu se do të inicionte kërkesa për të hapur dritare kohore në kufij me homologët e tij në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, por shprehu dyshime se një opsion i tillë do të realizohej, pasi e drejta për grevë është diçka që qeveritë lokale vështirë se mund ta anashkalojnë pa rrezikuar përshkallëzimin.
"Askush nuk dëshiron një përshkallëzim të marrëdhënieve; përkundrazi, po kërkohet qetësim", theksoi ai.
Dje, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka pritur me shqetësim të madh, protestat që po mbahen në shtetet fqinje nga kompanitë transportuese, raporton KosovaPress.
Sipas DHTIK, këto protesta kanë shkaktuar probleme për kompanitë tona, pasi shumë prej tyre nuk po mund as të eksportojnë dhe as të importojnë mallra nga Evropa.
Dje, ka nisur protesta e transportuesve të mallrave në Maqedoninë e Veriut, e cila është mbajtur në kufirin me Kosovën, por në territorin maqedonas, raporton KosovaPress. Po ashtu protesta të transportuesve të mallrave ka pasur edhe në Serbi. /